FB

January 20, 2022 | 8:25

Truri stërvit lumturinë

Lumturia nuk është çështje fati. Sipas psikologjisë është një sjellje, të cilën kushdo mund ta mësojë vetë, duke ndryshuar këndvështrimin mbi gjërat dhe duke kultivuar optimizmin. Truri mund të edukohet ndaj lumturisë nëpërmjet një sjelljeje të përbërë prej tre ushtrimesh. Për të qenë të lumtur është e nevojshme të shohim atë që është e bukur në jetë. Të mendojmë çdo ditë për tri gjëra për të cilat jemi mirënjohës kundrejt ekzistencës sonë mund të bëjë diferencën.

Numëroni tri gjëra të bukura në ditë

Javën tjetër, para se të flini shkruani tri gjëra që ju kanë shkuar mirë gjatë ditës dhe arsyen pse. Mund ta shënoni në ditar, kompjuter ose celular, e rëndësishme është të lini gjurmë. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për ngjarje të jashtëzakonshme. Pranë çdo ngjarjeje pozitive, përgjigjuni pyetjes: ‘pse ndodhi?’. Kjo teknikë është eksperimentuar shumë herë. Një nga arsyet për të cilat të moshuarit janë të lumtur është sepse kujtojnë të mirën dhe harrojnë të keqen.

Tregoni të vërtetën mbi gjërat që ju ndodhin

Një këndvështrim i papërshtatshëm për jetën tuaj, mund t’ju shkaktojë depresion. Psikoterapistët ndihmojnë të ‘rishkruani’ historinë tuaj nëpërmjet një këndvështrimi të ndryshëm. Kjo teknikë, ndonjëherë mund të jetë edhe më e efektshme se sa ilaçet. Sipas psikologut Michele Crossley, depresioni rrjedh shpesh nga një ‘histori jo koherente’ një ‘rrëfim i papërshtatshëm për veten’ ose nga ‘një histori e përfunduar keq’.

Psikoterapia i ndihmon njerëzit të shënjojnë një drejtim mbi përjetimet e veta, u jep atyre një rrëfim me të cilën mund të bashkëjetojnë dhe kjo gjë funksionon.Të pasurit një ‘gjykim retrospektiv” do të thotë të rimendoni mbi ngjarjet dhe t’u shtoni një notë pozitive. Njerëzit e lumtur e bëjnë automatikisht, por është diçka që edhe mund të mësohet.

Lyubomirsky ka treguar se njerëzit e lumtur i interpretojnë ngjarjet e jetës në mënyrë që të ruajnë vetëbesimin e tyre. Ndërsa Timothy Wilson, autor i “The Surprising New Science of Psychological Change” ka shpjeguar se si procesi i “story-editing” mund të shërbejë për të përmirësuar jetën. “Ne i inkurajojmë studentët tanë t’i shohin nga një tjetër këndvështrim mungesën e suksesit në shkollë, duke i shtyrë që të braktisin idenë për të cilën nuk ia dalin asnjëherë të kenë rezultate të kënaqshme në shkollë. Në të kundërt, duhet të binden për faktin se duhet kohë për të mësuar se si të shfrytëzojnë aftësitë e tyre. Studentët që kanë përqafuar këtë ‘teknikë’, në krahasim me një tjetër grup që nuk e ka bërë, kanë marrë nota më të mira vitin tjetër dhe mundësitë që të ngelin në klasë janë pakësuar”.

Dhe kur bëhet fjalë për të ardhmen, jini optimistë! Optimizmi mund t’ju bëjë më të lumtur.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top