Inteligjenca emocionale dhe krijimtaria janë dy nga aftësitë më të rëndësishme në botën e punës. Menaxhimi i asaj që ndiejmë dhe aftësia për ta kombinuar me atë që dimë për të arritur zgjidhje inovative, mund të sjellin ndryshim, duke ndihmuar njerëzit dhe kompanitë të jenë më efektive dhe efikase.
Por si funksionojnë së bashku inteligjenca emocionale dhe krijimtaria? Cila është lidhja e tyre?
Në vitet 1990, psikologu amerikan Daniel Goleman identifikoi një lloj të veçantë të inteligjencës të lidhur me përdorimin korrekt të emocioneve. Zhvillimi i tij është një faktor përcaktues në arritjen e suksesit, jo vetëm profesionalisht por edhe personalisht. Përdorimi i saktë i emocioneve do të thotë së pari identifikimi i tyre, pastaj kuptimi dhe menaxhimi i tyre në mënyrë që të jemi në gjendje të përballemi më mirë me jetën. Kreativiteti është shprehja maksimale e inteligjencës së një personi: falë tij, një individ mund të prodhojë zgjidhje duke provuar të rifitojë nocionet, talentet dhe prirjet e tij personale. Keqkuptimi më I madh në lidhje me krijimtarinë është se mendohet të jetë një tipar i natyrshëm që u jepet disave: atyre që ne i quajmë gjeni ose artistë. Në fakt, çdo herë që I shtojmë diçka botës, ne po bëjmë një veprim krijues dhe të gjithë jemi të aftë ta bëjmë. Sipas Goleman, ekziston një krijimtari “në çelësin kryesor”, me Ç të madhe, që ka të bëjë me veprat e gjenive. Por fakti që nuk kemi audiencë të na shohë se çfarë bëjmë ose t’I duartrokasë përpjekjet tona, nuk do të thotë që nuk mund të jemi krijues. Duke u përqendruar shumë tek kjo krijimtaria me Ç të madhe, përfundojmë duke lënë pas dore të gjitha mënyrat në të cilat secili prej nesh tregon se në jetën tonë kemi talent dhe imagjinatë. Inteligjenca emocionale mund të na ndihmojë të zhvillojmë frymën tonë krijuese. Fryma krijuese ka të bëjë me dëshirën tonë për të përtërirë, për të eksploruar shtigje të reja, për t ’i bërë ëndrrat të vërteta. Dhe është Brenda mundësisë së të gjithë atyre që ndihen të detyruar të përmirësojnë gjërat. Megjithatë, fryma krijuese duhet të aftësohet.
Jemi mësuar të përqendrohemi tek intuita, në atë moment në të cilin na shfaqet një zgjidhje të cilën mund ta kemi kërkuar kushedi sa kohë më parë, që papritmas na zgjohet në mendje pikërisht kur jemi të zënë duke u marrë me diçka tjetër. Të gjithëve u ka ndodhur, të paktën një herë në jetën e tyre, të jenë në dush, ose të dalin për vrap të shpejtë, e papritmas të gjejnë një ide të shkëlqyeshme që na ndihmon të zgjidhim një problem që na intereson prej kohësh…Ne kemi mundësinë t’i shumëfishojmë këto “momente Eureka” dhe t’i bëjmë ato një zakon, nëse në vend që të përqendrohemi tek ato – domethënë në fund të një procesi – të mësojmë të ndjekim rrugën që mund të na çojë në zgjidhjen që jemi duke kërkuar.
PROCESI PËRFSHIN 4 FAZA:
1.PËRGATITJA – në këtë fazë zhytemi në problem, duke kërkuar ndonjë informacion potencialisht të dobishëm; është e nevojshme të jemi të pranueshëm, të hapur dhe të gatshëm për të dëgjuar pa paragjykime, që të jemi në gjendje të mbledhim sa më shumë të dhëna, në mënyrë që elementet të fillojnë të zënë vend dhe të përshtaten së bashku;
2.INKUBACIONI – pasi të reflektoni në të gjitha aspektet përkatëse të situatës, është e dobishme që problemi të fermentohet. Edhe nëse nuk po mendojmë me vetëdije, mendja jonë vazhdon të kërkojë zgjidhjen në një nivel të pavetëdijshëm dhe të kombinojë idetë sipas lidhjes jokonvencionale;
3.FANTAZONI – është e nevojshme sepse, kur i japimvetes leje të fantazojmë, domethënë, kur nuk jemi duke menduar për ndonjë gjë të veçantë, jemi më të hapur ndaj intuitave të pavetëdijes;
4.NDRIÇIMI – zhytja në problem dhe të fantazuarit, i kombinuar me pak fat, çon në ndriçim; ky është momenti, kur papritmas zgjidhja del nga asgjëja.
Mbështetja në këtë proces dhe riprodhimi i tij sa here që duam të krijojmë diçka të re, do të na ndihmojë të kemi gjithnjë e më shumë njohuri. Nuk mjafton të kesh njohuri në një lëndë specifike për të gjetur zgjidhje, por duhet të jesh në gjendje të mendosh në mënyrë krijuese. Është e nevojshme të drejtohesh nga pasioni, i cili është elementi vërtetë thelbësor i krijimtarisë. Sepse krijimtaria vjen nga afiniteti me diçka: është pak a shumë si kur bie në dashuri. Ata që janë të përfshirë me pasion në atë që bëjnë, rrallë heqin dorë, madje edhe përballë vështirësive ose zhgënjimit që rrjedhin nga gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme. Të mbështetemi tek emocionet tona – dhe të dimë se si ta bëjmë për t’i menaxhuar dhe kuptuar ato – është thelbësore, sepse ato janë të pajisura me një forcë përçarëse që mund të na japin një avantazh, duke na ndihmuar të komunikojmë në mënyrë efektive, të dimë se si të motivojmë veten, të reagojmë më mirë ndaj stimujve që vijnë nga mjedisi. Kompetenca emocionale na ndihmon të përballemi pozitivisht me kompleksitetin e botës në të cilën jetojmë dhe t’i bëjmë ëndrrat tona të vërteta. Shpikjet më të mira, në fakt, të gjitha kanë lindur nga një emocion. Nga dikush që ka qenë në gjendje të përqafojë emocionet e tyre dhe të krijojë diçka prej tyre.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 169
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.