Të gjithë e mbani mend Dianën, vajzën 13-vjeçare me skoliozë, historia e së cilës mori përmasa ndërkombëtare. Një thirrje për ndihmë nga shokët e klasës ndryshoi kryëkeput jetën e saj. Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” u rikthye sërish tek ajo. Kemi përcjellë gjatë emisioneve të kaluara gjithçka ka ndodhur në Zagreb të Kroacisë ku u operua nga skolioza.
Kemi treguar edhe vizitorët specialë, përkujdesen që kanë treguar mjekët dhe kryetari i bashkisë së Zagrebit Milan Bandiç, i cili e vizitoi dhe i dhuroi një celular. Diana tashmë ka dalë nga spitali, por jo si një 13-vjeçare e zakonshme, por si një zonjushë e vërtetë dhe si një person publik që rrëmbeu me historinë e saj të dhimbshme gjithë dritat e kamerave kroate.
Së bashku me drejtoreshën e saj që nuk iu nda asnjë çast, Diana u prit në zyrë nga Kryetari i Bashkisë së Zagrebit Bandiç, si të ishte pjesë e rëndësishme e një delegacioni zyrtar nga Shqipëria.
Është ulur si një përfaqësuese e lartë e shtetit mes zyrtarëve të tjerë të bashkisë. Surprizat dhe dhuratat për të nuk kanë mbaruar pasi kreu i bashkisë Bandiç i dhuroi një arush të madh pellushi. Ai i premtoi Dianës se së shpejti do t’i mundësojë asaj, vëllezërve dhe babait, si dhe shokëve dhe shoqeve të klasës një vizitë turistike në Zagreb.
E kemi ndjekur me kamera edhe kur zbriti në aeroportin e Rinasit. Diana mbërriti me shpinën drejtë dhe me drejtoreshën e shkollës pranë. Në dorë shtrëngonte arushin e madh pellushi. Gjëja e parë që donte të bënte ishte t’i telefononte babait të saj. E lajmëroi që kishte mbërritur. “I them faleminderit Elvisit që më ka shëruar dhe më ka plotësuar dëshirat” thotë Diana.
10 ditët e qëndrimit te saj në Zagreb kanë qenë të vështira. Por në fund gjithçka shkoi me sukses. Faza pas operacionit ka qenë e vështirë por gjithçka u kalua me sukses.
Kamera e “Shqiptarët për shqiptarët” e shoqëroi Dianën në Lezhë, drejt shtëpisë së saj ku e priste i ati, vëllezërit dhe hallat.
Diana shkon ne shtëpi
Me brohërimat e fëmijëve të lagjes “Diana, Diana…” 13-vjeçarja u kthye në banesë. Gjithë lagjia kishte dalë për ta pritur mes duartrokitjesh dhe mes lotëve të gëzimit të babait. Të gjithë e përqafojnë, i urojnë shërim të shpejtë. “Mos u mërzit se jam mirë”, i thotë Diana të atit. “Sot për mua janë lot gëzimi, ti je drita e syve të mi i përgjigjet ai. “Jam shumë e lumtur, të gjithë më kanë pritur jam e lumtur se më kanë shëruar. Faleminderit Elvis Naçit dhe drejtoreshës që më ka qëndruar pranë, madje më ka dhënë për të ngrënë me zor” shprehet Diana e emocionuar. Diana erdhi në shtëpi me duart plot me dhurata për vëllezërit dhe të atin.
Diana kthehet në shkollë
Surprizat për Dianën nuk mbarojnë. Vajzën e kanë pritur shokët e shoqet e klasës, mësuesit e shkollës “Besëlidhja” në ditën e saj të parë të rikthimit mes tyre. Ishin pikërisht shokët, mësuesit e drejtoresha e shkollës, Valbona Gjoni që kërkuan ndihmë dhe hapën të parët dritën jeshile për Dianën.
Në një mbledhje me kolektivin e mësuesve, Valbona Gjoni ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për shërimin e Dianës si dhe fondacionin “Fierdeus” si dhe Elvis Naçin. Në klasën e 7-Α ishte përgatitur një surprizë për Dianën. Shokët dhe shoqet e klasës kishin organizuar një festë të vogël me një tortë për të pritur shoqen e tyre. “Faleminderit që na i sollët Dianën të shëruar”, thanë njëzëri ata.
https://www.youtube.com/watch?v=gp-iw5Srt9g
Burimi / http://www.balkanweb.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.