Në fokus

November 19, 2016 | 8:15

Udha e Shkronjave, psikogjeneza e alfabetit

1Në thellimin e analizës mbi komunikimin, gjejmë rëndësinë e fjalëve si origjina e botës njerëzore. Në fakt, edhe në shumë libra të shenjtë, që prej traditës antike hebraike deri te themeluesit e kishës së krishterë fjala ka primatin. “Në fillim ishte Fjala, Fjala ishte me Zotin, Fjala ishte Zoti. Gjithçka është bërë nëpërmjet saj, pa atë asgjë nuk është bërë në tërësinë që ekziston” (Giovanni 1:1).

1Por për germat që krijojnë fjalët dimë shumë pak mbi origjinën e tyre dhe mbi format që kanë. Ashtu si në shkencat e natyrës ku besohej se atomi ishte elementi i fundit i pandashëm e kështu fjala besohej si e tillë, zbulimi i elementëve që përbëjnë atomin mund të krahasohet në mënyrë analogjike me teorinë që ish-oficeri anglez, Alfred Kallir ndërtoi si fruti i një jete të tërë studimesh dhe analizash të kulturave dhe besimeve të ndryshme prej antikitetit. Çfarë i interesonte studiuesit ishte përgjigja se nga vinin dhe çfarë nënkuptonin shenjat e alfabetit.

Sipas tij, shenjat (germat) dhe vizatimet, si ato të gjetura në shpella dhe objektet e lashta, janë elemente që u transformuan me kohën në atë që sot quajmë Alfabet. “Ajo që Kallir do të na tregojë, është në bazë fakti se bota ecën brenda shenjave (simboleve) të veta, dhe se si ne (mendja jonë) jemi në të njëjtën kohë një emergjencë brenda këtyre shenjave.” (Veprat, Carlo Sini, 2014). Ndërsa filologu roman, Giuseppe Catapano, në botimin e tij pas 40 vjet kërkimesh shkencore, Thot-Tat Parlava Albanese, 1984 (Thot–i fliste Shqip, 1989) përshkruan zotin egjiptian Tehut (i përfaqësuar ikonikisht me trupin e një njeriu me kokën e një shqiponje) si Zoti i shkrimeve, konceptuesi i numrave dhe i hieroglifëve, d.m.th. i alfabetit fonetik antik egjiptian). Tehut për Catapanon ishte ai që shpiku shkencat antike. Në analizën e tij të figurave hieroglife, vizatimet antike nuk janë thjesht germa, por përfaqësojnë kuptimet e kulturës prej së cilës i drejtohej. Për shembull, vizatimi i dorës në Egjipt donte të tregonte punën e dorës së njeriut dhe veprimtarisë së tij, dhe sipas Catapano, në gjuhën shqipe kjo mori formën e D. Në të njëjtën formë mendimi jemi edhe në studimet e Kallir. “Gjuha”, këmbëngul Alfred Kallir (1961), thjeshtëzon relativitetin e të gjitha koncepteve të hapësirës dhe kohës. Tingujt e gjuhës dhe format alfabetike ngrihen në manifestim nëpërmjet “projektimit bisferik” të elementëve primarë psikosomatik.

Kallir tenton një lidhje thelbësore të ritmit somatik me dëshirën psikike në përcaktimin e kontureve të shenjave grafike. Për shembull, germa B është një kondensim kompleks i buzëve në profil, i flluskave paragjuhësore për fëmijët dhe i gjoksit të nënës. Nëpërmjet analizës etimologjike dhe fonike, Kallir arrin në përfundimin se germat dhe tingujt janë gjurmët fosile të nevojave dhe dëshirave. Germat kanë të njëjtën natyrë të pasur në këtë qasje arkeologjike si: banesat e hershme, skulpturat apo gjurmët e figurave në shpellat e neandertalit. Vepra e Kallir, Shenja dhe Vizatime, Psikogjeneza e Alfabetit(1961), ofron një shpjegim të detajuar të zhvillimit psikogjenetik të alfabetit. Premisat e tij fillestare, që “Alfabeti ka evoluar nga shenjat e qëmotshme, të cilat ndodhen në të pandërgjegjshmen kolektive”, sugjeron një orientim jungian, edhe pse ka një postulat të bashkëngjitur që këto shenja janë prokreative dhe të vizatuara për të ruajtur racën njerëzore. Ai reflekton një ton Kabbalistik në tezën e tij. (Imagining Language an Anthology, Jed Rasula e Steve McCaffery, 1998). Ekzistenca e të pandërgjegjshmes kolektive të njerëzimit e pasqyruar në shkrimin (germat) ngrihet si hipotezë universale, e cila ende sot supozohet se është aktive dhe vepron në sistemet e komunikimit dhe që gjen prova në tezat psikoanalitike. Germat e alfabetit janë në bazë vizatime të stilizuara, për ta bërë më të lehtë shkrimin dhe transportin e tyre, por ato kanë edhe një lidhje të ngushtë me tingujt që i shprehin dhe kuptimet që mbartin.

Sipas Kallir, dallohen kryesisht me një interpretim frojdian. Themeluesi i psikoanalizës, Frojd i jep një rëndësi kapitale proceseve psikike të pandërgjegjshme si përcaktuese mbi mendimin dhe sjelljen njerëzore dhe gjithashtu mbi marrëdhëniet ndërmjet individëve në shoqëri. Kështu si te Frojdi edhe në veprën e Kallir, impulset seksuale lidhen ngushtë me kuptimet e vizatimeve të stilizuara. Perceptimi i kuptimit që vjen nga një simbol i stilizuar, ndjek idenë e kapjes fizionomike të kuptimit. Çfarë do të thotë? Sipas Kohler dhe Werner, me fizionomi nënkuptohet dimensioni i qartë i shprehur nga format perceptive-semiotike. Dimensioni fizionomik i qëndron perceptimit global të formës, por edhe kuptimit të qëllimit që çdo element mban me vete. Për shembull, kur perceptojmë zjarrin nuk limitohemi të shohim fenomenin termik dhe dritëlëshues të djegies së disa substancave, por në të njëjtën kohë e shohim si burim ngrohjeje, i dhunshëm, shkatërrues, si një përzierje ngjyrash etj. (Teoria e formave semantike ndërmjet semiotikës dhe fenomenologjisë, A. Bondi, 2012).

Psikogjeneza e alfabetit përfaqëson në njëfarë mënyre një zgjerim teorik të konceptit të formës, që synon të rimarrë aspektin fenomenologjik të origjinës së shenjave dhe vizatimeve në teorinë e komunikimit. Stilizimi i shenjave, dhënia e formës, nuk është vetëm një çështje hapësire dhe tregues kohor, por në të njëjtën kohë edhe një prakticitet, sepse shpreh interesin, është një mënyrë për të hyrë në kontakte dhe për të kuptuar motivet.

“Një formë nën pikëvështrimin e dinamikës së përbërjes, mishëron një nivel të parë të dhënies së kuptimit, e cila në të njëjtën kohë është shprehje e sjelljes njerëzore dhe e vlerave emocionale”. (Rosenthal 2004) Forma na shtyn të rikonsiderojmë “Jetën e Gjuhës” në raport me “Jetën Perceptive”, duke i lidhur si vazhdime të anasjellta dhe duke krijuar dimensionin gjenetik të përvojës. Nga ky raport lind edhe ideja se fjalët “sjellin në jetë” çfarë ato shprehin. Vazhdimësia dhe ndryshimi në raportin ndërmjet fjalës (gjuhës) dhe botës (perceptimit) na lejon të kuptojmë faktin e jashtëzakonshëm dhe të pakuptueshëm, si e cilësonte Einstein, të njohurisë (dijes). (Carlo Sini, 2014)

Alfred Kallir u përball rastësisht me problemin e alfabetit, siç tregon edhe ai vet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa punonte si dekodifikues për kundër spiunazhin anglez. Ai mbeti i mahnitur nga fuqia unike e shenjës që Churchill i drejtonte londinezëve gjatë bombardimeve të ushtrisë naziste Hitleriane, ku me gishtin tregues dhe atë të mesit të hapur, tregonte një V, si shenjë për të nënkuptuar fjalën “Victory”. (Këtë simbol e ka sjellë në Shqipëri Sali Berisha gjatë revolucionit të vitit 1991, ku edhe mbeti pasuri e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të cilën e themeloi me lëvizjen studentore të atëhershme, ku kjo e fundit identifikohet me këtë simbol, sot në fushatat e elektorale). Kallir pyeste veten nëse V-ja nuk përmbante në vetvete ndonjë fuqi magjike apo magjepsëse dhe kështu filloi të studiojë alfabetin. Pas shumë analizash, ai arriti në përfundimin se prej prehistorisë, njerëzit në grafitët paleolitikë (2.5 milion vjet më parë) përdornin principin e pars pro toto (që do të thotë se koka e demit nënkupton të gjithë demin) dhe principin “akrokratik” (akros–pjesa karakterizuese) ajo që ka më shumë rëndësi është çfarë ndodhet në fillim, në majë apo në kokë (ashtu si ndodh edhe me emrin, AlfaBeti i vendosur me referim të dy germave të para: A dhe B).

Alfabeti ende aludon atë fazë të përvojës së fjalës në të cilën tingulli dhe imazhi nuk janë të ndarë. Origjinalisht, shenjat e shprehjes dhe komunikimit njerëzor ishin “simballik” d.m.th përmbanin tingullin dhe imazhin e kuptimit, psiqikisht të perceptueshëm si një cilësi e pandarë: tingulli kishte një figurë dhe figura kishte një tingull. (C. Sini, 2014) Germat në teorinë e Kallir kanë një vazhdimësi logjike që respekton historinë, duke filluar me zbutjen e demit, fillimin e agrikulturës dhe duke vazhduar me referenca në lidhje me shqetësimet e njeriut antik si, gjenerimi i fëmijëve. Prandaj germat e alfabetit tonë shpesh kanë dallime seksuale të rafinuara. Gjithashtu në teorinë e Serge Moscovici (Përfaqësimet Sociale, 2005), edhe sot në mënyrën se si ne krijojmë simbolet me kuptime, dallohen analogji me teorinë Kallir për sa i përket abstraktit grafik, i cili shoqërohet me një abstrakt mental, dhe ky quhet përfaqësim mendor.

Figurat me kalimin e kohës humbasin detajet e veçanta duke iu përshtatur nevojave të komunikimit, të cilat imponojnë shpejtësinë dhe thelbësoren në një mesazh. Kështu simboli që përfaqëson vetëtimën i frymëzuar nga fenomeni natyral, stilizohet me një vijë vertikale të thyer. Jeta jonë është fort e influencuar nga simbolet (shenja, vizatime) dhe nga ajo çfarë u dha atyre origjinë, abstraksionet. Ashtu si për njeriun e neandertalit kur pikturonte skenat në muret e shpellës, ashtu edhe sot për ne është e vështirë të evitojmë simbolet, qoftë edhe në një lojë me letra. E gjithë dija jonë bazohet në mënyrën se si raportohemi me botën, se si ndërveprojmë me të. Shkrimi me atë të alfabetit sot nuk prodhon mbase si atëherë për një njeri për të alfabetizuar të njëjtat reflektime kur e përdor atë, por rëndësia e këtij aspekti dallohet kur përdorim gjuhën e matematikës. Kjo e fundit kërkon një bagazh specifik kuptimesh ashtu si alfabeti dhe mungesa e këtij ngadalëson procesin e mendimit.

Çfarë bën të mundur përdorimin e simboleve (qofshin ato të alfabetit apo të matematikës apo të tjera) është fakti që këto simbole kanë kuptim për një grup të caktuar sipas rregullave që ata kanë vendosur për atë simbolizëm. Shpikja dhe shpërndarja e praktikës së shkrimit (nëpërmjet germave të stilizuara) ka lejuar përdorimin e simboleve të kuptueshme (shenjave dhe vizatimeve) mbi bazën e konvencioneve të vendosura më parë (në matematikë), apo të lindura sipas teorisë së Kallir, nga të gjithë ata që i përdorin (në alfabet), ku në esencë është përfaqësimi grafik i konkretes dhe abstraktes. Lindja e shkrimit i nënshtrohet pranisë së një alfabeti. Falë tij u bë e mundur dalja nga hipotezat storiografike për të arritur në fazën e “dëgjimit” të drejtpërdrejtë të atyre që na kanë paraprirë. Kështu filloi dhe fluksi i shpërndarjes së dijes për të cilën vet Einstein e konsideron si fakt të jashtëzakonshëm.

Alfabeti është një element i fortë formalizimi, i cili kërkon një abstraksion. Secili simbol (germe) thërret një koncept dhe një tingull fonetik, dhe jo më një përfaqësim grafik e një ngjarje të ndodhur apo të dëshiruar (si ndodhte me vizatimin e një dore në hieroglifet egjiptiane). Çdo gramatikë përfaqëson rregullat e brendshme në artikullin, duke reflektuar nga njëra anë zakonet e popullit që e ka gjeneruar dhe nga ana tjetër përcakton limitet e asaj që mund të shprehet korrektësisht me atë gjuhë, por në të njëjtën kohë mbetet një strukturë elastike që ka tendencë të ndryshojë falë një procesi social kompleks. Besoj se nëse sot do të rishkruhej Bibla apo libra të tjerë të shenjtë, do të shkruhej: “Në fillim ishte përfaqësimi i stilizuar i një kuptimi social, që i dha jetë fjalës së Dijes dhe u shndërrua në realitet. Pa atë asgjë nuk do të ekzistonte”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.107

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top