Mirëqenie

November 19, 2016 | 7:32

Ankthi… ndjenjë nervozizmi, frike

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Ankthi është një ndër emocionet që përjetohet më gjerësisht, i përkufizuar si ndjenjë e papëlqyeshme parehatie, nervozizmi, frike, shqetësimi ose meraku.

Zakonisht ky emocion është i lidhur me perceptimin e rrezikut dhe kërcënimit të individit dhe përfshin përbërës emocionalë, fizikë, të njohjes dhe të sjelljes. Kriteri për normalitetin ose jonormalitetin e nivelit të ankthit, mund të përcaktohet nga shkaku i tij dhe intensiteti. Në të vërtetë, ankthi i moderuar mund t’i motivojë njerëzit për të menaxhuar problemet e tyre dhe të kenë një sukses në jetën e tyre. Megjithatë, ankthi mundet gjithashtu, të përshkallëzohet me çrregullime.

Në të vërtetë çrregullimet e ankthit janë lloji më i përhapur i çrregullimeve psikologjike.

Çrregullimet e ankthit janë të pranishme pothuajse në të gjitha kulturat. Të dhënat tregojnë se përjetohet nga afërsisht 18% e të rriturve çdo vit dhe nga afërsisht 32% e njerëzve gjatë gjithë jetës së tyre. Ankthi e redukton cilësinë e jetës dhe kontribuon në paaftësi, duke shkaktuar dëmtim të rëndë profesional dhe humbje të produktivitetit. Pavarësisht nga rëndësia dhe përhapja, pak njerëz me çrregullime të ankthit marrin trajtim profesional.

Çrregullimet e ankthit mund të klasifikohen në varësi, nëse gjendja e ankthit është më shumë ose më pak e vazhdueshme, siç është te çrregullimi i ankthit të përgjithësuar dhe çrregullimi obsesivo-kompulsiv, ose i pavazhdueshëm apo episodik.

Çrregullimet episodike të ankthit, mund të klasifikohen më tej në varësi të faktit, nëse burimi i ankthit është i jashtëm, siç është te fobitë specifike, ose i brendshëm, në rastin e panikut. Mendimet e padëshiruara janë gjithashtu karakteristikë e gjendjes së ankthit të vazhdueshëm, me shqetësim të tepruar për situatat reale, që janë karakteristikë e ankthit të përgjithësuar dhe mosvlerësimi i rëndësisë së mendimeve të padëshiruara dhe fiksimeve të pakuptimta, që janë karakteristikë e çrregullimi obsesivo-kompulsiv. Për shembull, një klient mund të fillojë të shqetësohet në lidhje me shëndetin e tij (“Po në qoftë se më zë kanceri?”) dhe më pas shqetësohet për familjen e tij dhe financat (për shembull, “Kush do të kujdeset për fëmijët e mi nëse unë vdes? A do të kujdesen mirë për ta? Po nëse familja ime nuk e përballon dot funeralin?”). Domethënë, ata shpesh përmendin tema të shqetësimit, që përfshijnë familjen, marrëdhëniet, punën, shkollën, shëndetin dhe financat.

Së pari, duket se njerëzit me ankth, vazhdimisht shqetësohen më shumë për çështje të vogla, krahasuar me individët joklinikë. Sipas studimeve ka një lidhje ndërmjet ankthit dhe njerëzve me inteligjencë të lartë. Individët me ankth, kanë një cilësi të dobët të jetës dhe shumica e kësaj ka të bëjë me tendencën e tyre për të jetuar “në të ardhmen”. Thënë ndryshe, ata kanë vështirësi të mëdha që të jetojnë në moment.

Në bazë të studimeve, çrregullimet e ankthit janë të shoqëruara me ulje të konsiderueshme të cilësisë së jetës. Spitzer dhe kolegët kanë gjetur ndryshime negative në: funksionimin social, funksionimin sipas rolit dhe shëndetin mendor.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top