Në fokus

February 1, 2021 | 8:09

“Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, por ajo që kam vendosur të bëhem”

 

Përgatiti Besmir Guri, psikolog

 

Kjo shprehje e Jungut, vendos në perspektivë një proces mendor jetik të mënyrës se si ne mund të përballemi me problemet tona. Le të pranojmë që jeta nuk do të kishte kuptimin dhe dinjitetin e merituar, nëse do të vinte nga rehatia totale e mos pasjes së vështirësive, pengesave apo problemeve për të kaluar.

1Shumë raste që frymëzojnë, më tepër se për rezultatet e arritjeve të tyre, janë vlerësuar për mënyrën e kapërcimit të sfidave. Për shkaqe të ndryshme, herë të varura e herë jo nga ne, jeta mund të na përballë deri në sfilitje me të papriturat e saj. Këtu lind pyetja që njëkohësisht duhet të jetë edhe fillimi i zgjidhjes: Çfarë mund të bëjmë me problemet tona?

Në përpjekje për të dhënë një përgjigje, është fillim i mirë të themi se zakonisht karakteristikat bashkëshoqëruese të përballjes me problemin, janë vështirësia dhe njëkohësisht domosdoshmëria për zgjidhje. Në rrethanat kur tashmë problemi është ulur këmbëkryq para nesh, natyrshëm vjen edhe qëndrimi ynë jetik në raport me ardhmërinë e asaj që duhet të bëjmë.

Përbërja vetjake e psikologjisë sonë, ka pushtetin për të krijuar shtysën ku ne mund të shtrihemi me dëshpërim duke vajtuar fatin, ose mund të ngrihemi me vullnet duke i dhënë drejtim fatit.

Disa njerëz bëjnë zgjedhjen e parë si pasojë e trysnisë që u shkakton dhimbja e madhe, duke u bllokuar forcat, motivin, idetë për zgjidhje, deri tek “një rehati momentale që mund të gjejnë duke fajësuar fatin”. Një pjesë tjetër e njerëzve kurajoz, bëjnë zgjedhjen e dytë, pasi e kanë vajtuar dhimbjen e tyre, e marrin atë prej dore për t’i dhënë lehtësim dhe dinjitet nëpërmjet zgjidhjeve që bëjnë. Duke u ndalur tek zgjedhjet tona, kuptojmë se ajo që pritet të ndodhë pas problemit, duhet të fillojë me frazën vendimtare: unë kam vendosur të…

Nëse u japim orientimin për zgjidhje vendimeve tona, vijnë si proces i pandarë edhe rezultatet.

Në shumë  raste mund t’i zgjidhim problemet tona, e në disa raste të tjera do të na duhet të bëjmë zgjidhjen e funksionimit bashkë me to. Cilido qoftë rasti yt, mos e lë pa një vendim problemin tënd. Nëse problemi yt kishte një zgjidhje dhe ti e gjete atë, të konsideroj një rast kurajoz për t’u përgëzuar.

E nëse problemi yt tekanjoz nuk deshi të kishte një zgjidhje por ti vendose të mirëfunksionosh bashkë me të, je një thesar dinjiteti i paçmueshëm që frymëzon.

Vlen të konsiderohet zemërata që ndonjëherë situatat nuk janë aspak të lehta, për të thënë se shpesh vlera e gjërave vjen pikërisht për shkak të nivelit të vështirësive që duhen kaluar. Përvoja tregon se burime të pashtershme forcash në fjetje, janë zgjuar për të shpërthyer vetëm pasi problemi ka ndodhur.

T’i zgjojmë forcat tona sa herë situata ta kërkojë, pasi nuk mund të njihet suksesi pa sfida, pushimi pa lodhje, fitoret pa luftuar, arritjet pa vështirësi, kapërcimet pa pengesa, zgjidhjet pa probleme, meritat pa përpjekje, gëzimi pa dhimbje, madje as shpresa pa frikë. Edhe pse rrethanat mund t’i ndikojnë mendimet dhe vendimet tona, nuk mund t’i tjetërsojnë pambarimisht ato, sepse shpresa faktohet të jetë triumfuese ndaj çdo force që përpiqet ta sfidojë atë. E nëse je në kërkim të shpresës, dije se shpresa je vetë ti.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top