FB

September 2, 2021 | 8:10

URIME për të gjithë të rinjtë!

Kam lexuar prindër krenarë që shkruajnë në profilin e tyre “Urime për suksesin tënd fëmija im, tani po hapen rrugë të reja para teje”… Dua t’i përgëzoj këta prindër dhe fëmijët e tyre për suksesin e tyre në provime. Jam e lumtur me gëzimin e tyre dhe u uroj më të mirat. Por…, dua të ndalem në grupin tjetër të fëmijëve, ata që nuk i kanë kaluar provimet. Personalisht, do doja t’u uroja të gjithë këtyre fëmijëve urime, sepse ata e meritojnë:

Nga Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor

“Urime që mbaruat shkollën, që bëtë përpjekjen tuaj, që duruat këto vite të vështira. Rrugë të reja po hapen para jush ”.

Sepse këtu bëjmë një gabim! Ne mendojmë se rrugët dhe mundësitë janë të hapura vetëm për ata që kanë kaluar diku. Por nuk është kështu! Rrugët dhe mundësitë hapen për çdo të ri që ka mbaruar shkollën. Mundësitë nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht me studimet. Mundësitë në jetë lidhen me shumë faktorë të tjerë, të tillë si puna e palodhur, gatishmëria për të provuar gjëra të reja, aftësia për të komunikuar dhe lidhur me njerëzit përreth,  kreativiteti dhe aftësia për të zgjidhur problemet. Gjithashtu, aftësia e individit për të negociuar, për të vëzhguar, për të lexuar gjuhën e trupit të tjetrit, për të pasur të menduarit kritik, për të dashur të mësojë – të gjithë këta janë faktorë që lejojnë individin të përfitojë nga mundësitë që i paraqiten.

Njerëzit përfitojnë nga mundësitë që i’u paraqiten sepse janë ata që janë dhe…, sepse duan të jenë. Jo sepse ata kanë më shumë diploma ose studimet më të mira. Rrugët në jetë hapen me moshën madhore, e cila përkon me diplomimin nga shkolla dhe pranimin në universitet. Por një diplomë universitare nuk garanton domosdoshmërisht një punë.

Rrugë të reja hapen para çdo të riu nëse ka kaluar apo jo.

Uroj që të gjithë fëmijët të festojnë që ata janë të rinj, plot jetë dhe gëzim të jetës. Ata mund të bëjnë shumë zgjedhje të ndryshme ndaj shkoni përpara dhe zgjidhni atë që doni të bëni. Ndiqni rrugën tuaj me pasion, optimizëm dhe besim se do të keni sukses. Sepse suksesi është të jesh i shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht, të ndjesh gëzimin e jetës dhe të kesh marrëdhënie të bukura me njerëzit që zgjedhim të shoqërojmë në jetë.

Për të gjithë fëmijët që kaluan provimet këtë vit, uroj që jeta e re që po filloni të jetë fillimi për arritjen e ëndrrave tuaja! Për të gjithë ju që nuk keni pasur sukses, mos harroni se kjo pengesë nuk është asgjë më shumë se një rrugë e ndryshme drejt një të ardhmeje që ju pret ta kapërceni!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top