Editorial

November 3, 2016 | 11:25

Vajzat e përdhunuara

  • Koment nga Hysen Kica

Psikologjia e zhvillimit të fëmijëve justifikon mundësinë e shndërrimit të tyre në kriminelë kur ata dhunohen. Në veçanti vajzat e përdhunuara pësojnë një goditje të rëndë psikologjike dhe bëjnë një betim të tmerrshëm se do hakmerren, ku përdhunuesi i tyre është objektivi kryesor. Opinioni shoqëror, sidomos në zonat rurale, jo vetëm që i frenon të mos padisin, por i ngarkon me një barrë të rëndë sociale e morale. Shumë vajza të përdhunuara nuk e përballojnë ndeshjen me realitetin, nuk guxojnë t’u tregojnë prindërve, mundohen të shmangen dhe ta harrojnë, por përdhunuesit nuk ndalen në rrugën e tyre të krimit. Mendojnë se janë superiorë mbi viktimat e tyre, i kërcënojnë me të gjitha mënyrat dhe i vendosin para situatave të pakapërcyeshme nga viktimat. Në situata të tilla, të pashpresa, ka edhe plot vajza që i japin fund jetës së tyre me një mënyrë tragjike, ka vajza që shpresojnë se një ditë kjo gjendje do të arrijë fundin pa e marrë vesh nga të tjerët, por ka edhe vajza që nuk gjejnë më rrugëdalje dhe kthehen në vrasëse. Jetën e duan të gjithë dhe bëjnë çdo gjë për ta mbrojtur.

Realiteti shqiptar është i mbushur me plot raste të tilla kriminale, ku vajzat e përdhunuara i shfrytëzojnë edhe në rrugën e prostitucionit, ku shqiptarët shndërrohen në racën më të ulët njerëzore, duke detyruar viktimat e tyre të përdhunuara të prostituojnë në rrugët e gjithë botës. Ne nuk kemi të drejtë t’i harrojmë vajzat shqiptare që përdhunohen, që mashtrohen me martesa false për t’u nxjerrë në rrugët e prostitucionit, që torturohen barbarisht dhe ka plot raste që ekzekutohen kur nuk u binden urdhrave të mashtruesve të tyre. Ne nuk kemi aspak të drejtë të mendojmë keq kur gjendet në rrugët e botës kufoma e një vajze shqiptare. Nuk kemi të drejtë të themi se ajo ishte e degjeneruar dhe atë dënim meritonte. Jo vetëm se ajo kufomë ishte vajza apo motra jonë shqiptare, por se dikush e ka përdhunuar dhe e ka zvarritur pamëshirë nëpër rrugën e shkatërrimit. Ne nuk kemi të drejtë të mohojmë vuajtjet e vajzave të përdhunuara, lotët që ato derdhin dhe ëndrrat e tyre që vriten. Edhe ato vajza kanë qenë fëmijë dhe kanë pasur dëshirë të jetojnë, por një kriminel i pamëshirshëm i përdhunoi dhe i këputi ëndrrat e tyre.

Fatkeqësisht edhe unë e kam pasur rastin të takoj një vajzë të tillë në rrugët e Torinos. Them “fatkeqësisht” se nuk do kisha dashur kurrë të dëgjoja tragjedi të tilla. Kur unë i thashë se kam prerë biletën dhe se do kthehesha në atdhe, u mbyt në lot. Ajo nuk mund të kthehej më në atdhe për dy arsye shumë të forta. Në radhë të parë, prindërit e kishin mohuar si fëmijën e tyre dhe së dyti, përdhunuesi i saj e torturonte dhe e kërcënonte se do ta zhdukte nëse tentonte të tregonte të vërtetën apo të dilte nga rrethi ku e kishte futur. Një përdhunues pra, i kishte marrë gjithçka nga jeta e saj, e kishte ndarë nga të gjithë njerëzit e saj të dashur, ia kishte mohuar të drejtën për të dashuruar dhe për të ndërtuar një jetë familjare dhe i kishte mohuar të drejtën për tu kthyer në atdheun e saj. E pra ajo nuk ishte më njeri. Ajo nuk kishte më as familje, as atdhe dhe as emër. Ajo ishte shndërruar në një skllave që shitej e blihej në tregun e prostitucionit si kafshë. Ajo edhe mund të vidhej apo të vritej si një qen, se askush nuk e kërkonte dhe nuk e kujtonte më. Ajo kishte fatin e Zyra Hidës, kufoma e të cilës mbeti në rrugët e Amsterdamit.

Kush duhet ta masë thellësinë e kësaj tragjedie!

Për mendimin tim, i gjithë opinioni duhet t’i ndihmojë viktimat e përdhunimit, por detyra kryesore bie mbi prindërit dhe njerëzit e tyre të afërt, sepse ata e kanë fëmijën e tyre dhe kanë detyrimin prindëror. Nuk dua të them asgjë për organet e drejtësisë, sepse jam i bindur se edhe ata duan të pinë një pikë nga gjaku i tyre, por duhet të mendojmë pak edhe ne. Si ka mundësi që njerëzit e përdhunuesit pa pikën e turpit dhe respektit për drejtësinë bëjnë kërcënime që transmetohen në media! Ku vallë e gjejnë ata moralin social për të kërkuar dënimin e një vajze të përdhunuar qe në moshën 10-14 vjeçe!

Lërini fëmijët të rriten të qetë e mos i përdhunoni ata. Edhe ata kanë ardhur në këtë botë për të jetuar të lumtur. Nuk ka asnjë logjikë njerëzore që i justifikon përdhunuesit e fëmijëve, por edhe mediat duhet të kenë më shumë përgjegjësi morale para dëgjuesve të tyre. Ne presim jo vetëm një shpjegim të drejtë, por edhe mbështetje për këto viktima.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top