Në fokus

December 14, 2020 | 8:37

Vaksina Pfizer-BioNTech: çfarë ndodh pas dritës jeshile të FDA-së

Autoriteti më i lartë shëndetësor amerikan ka autorizuar përdorimin e imunizuesit, i cili mund të administrohet për amerikanët e moshës 16 vjeç e lart. Të parët që do të vaksinohen, ndoshta që nga e hëna, do të jenë mjekët dhe të moshuarit e azilit.

1

FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave), autoriteti më i lartë shëndetësor Amerikan, i ka dhënë dritën jeshile emergjente vaksinës Pfizer / BioNTech. Imunizuesi, i përcaktuar si 95% efektiv, mund të administrohet për amerikanë të moshës 16 vjeç e lart. “Vaksinat e para do të administrohen në më pak se 24 orë” në Shtetet e Bashkuara, njoftoi Presidenti Donald Trump në rrjetet sociale përmes një videoje. “Kam vërtet një lajm të mirë – tha Trump – sot kombi ynë ka arritur një mrekulli mjekësore. Kemi prodhuar një vaksinë të sigurt dhe efektive në vetëm 9 muaj. Është një nga arritjet më të mëdha shkencore në histori që do të shpëtojë miliona jetë dhe së shpejti do të vendoset përfundimisht fundi i pandemisë”.

Dritë jeshile për vaksinën Pfizer në Shtetet e Bashkuara

Shtetet e Bashkuara janë vendi i gjashtë në botë që ka aprovuar vaksinën Pfizer-BioNTech, pas Mbretërisë së Bashkuar, Bahreinit, Kanadasë, Arabisë Saudite dhe Meksikës. Miratimi nga FDA në fakt i jep dritën jeshile shpërndarjes së menjëhershme të rreth 2.9 milion dozave të vaksinës në vend. Të parët që do të vaksinohen, ndoshta që nga e hëna e 14 dhjetorit, sipas kritereve të vendosura tashmë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, do të jenë personeli mjekësor dhe spitalor në vijën e parë dhe të moshuarit e shtëpive të pushimit dhe kujdesit afatgjatë. Secilit person do t’i jepen dy doza, me ndarje nga tre deri në katër javë. Sipas Wall Street Journal, plani shëndetësor parashikon që të parët që do të kenë akses te vaksina këtë muaj do të jenë 21 milion punëtorët shëndetësorë dhe tre milion të moshuarit që jetojnë në rezidencat e asistuara.

Nga janari, nëse respektohen afatet, do t’i takojë një grupi të dytë të qytetarëve, me një numër prej rreth 87 milion njerëzish që bëjnë pjesë në kategorinë e punëtorëve thelbësorë, përveç atyre të shëndetit. Segmenti i tretë i popullsisë do të duhet të ketë akses te vaksina nga muaji marsi: do të ketë të bëjë me rreth 100 milion të rritur me sëmundje para-ekzistuese me rrezik të lartë, nga të cilët 53 milion qytetarë të moshës 65 vjeç e lart. Pfizer ka në plan të shpërndajë afërsisht 25 milion doza deri në fund të vitit, potencialisht të mjaftueshme për 12.5 milion njerëz pasi vaksina kërkon dy doza.

Më shumë se 294,000 vdekje nga koronavirusi në SHBA

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur nga koronavirusi në botë. “Ka pasur mbi 15.8 milion raste me koronavirus dhe mbi 294,000 vdekje në Shtetet e Bashkuara. Është shkatërruese. Kam në zemrën time të gjithë ata që kanë humbur një të dashur nga kjo pandemi vdekjeprurëse,” shkroi zëvendëspresidentja e zgjedhur e SHBA-ve në mediat sociale, Kamala Harris. “Në njëqind ditët e para – vazhdon Harris – do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta mbajtur nën kontroll këtë pandemi. Prioritetet tona janë: të sigurojmë që amerikanët të mbajnë një maskë, të shpërndajnë 100 milion doza të vaksinës dhe t’i sjellim fëmijët tanë në shkollë të sigurt”.

 

Përgatiti Orjona Tresa / Burimi Today.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top