Në fokus

December 15, 2015 | 13:27

Varësia nga rrjetet sociale, mungesë frymëzimi

Manjola BaçiNga: Manjola BAÇI

M.Sc. Psikologe Klinike

Kontributi ynë në punë nuk qëndron vetëm te fakti i të qenit rigoroz, por edhe krijues kur situata e kërkon apo për të ndryshuar stilin e punës. Të dyja këto mundësi lidhen ngushtë me hapësirat dhe dëshirën për të ndryshuar në lidhje për të qenë më në kontakt komunikimi dhe administrimi. Përfshirja jonë në rrjetet sociale mund të quhet nevojë komunikimi, kontakte, menaxhim biznesi, përvojë, pra, nevojë interaktive, për të qenë, pse jo, trendi apo “in” me dukuritë që ndodhin.

Puna krijon sjellje që automatizohen, mësohen e përvetësohen dhe vështirësia për t’u përqendruar është e pakët, edhe pse për këtë nuk duhet të abuzohet, pasi procesimi i këtyre sjelljeve të automatizuara mund të pësojë çrregullim në komandë të saj dhe performanca vepron në bazë edhe të ndijimeve të vetëdijes dhe emocionale.

Kur bëhet fjalë për pushimin gjatë punës kemi përftuar disi zakone ndryshe nga më parë ku kalohej në kolektiv. Tani jemi bërë më individualistë, për shkak se nuk jemi më vetëm, por me mjetet komunikuese ku gjejmë frymëzim, por edhe demotivim. Përfshirja në rrjetet sociale gjatë procesit të punës ndodh në kontekst, për të mos u fokusuar nga një vëmendje e gjatë në planin e punës, apo në lidhje kontakti, informacioni që ka të bëjë me punën. Megjithatë, edhe pse në varësi të llojit për përfshirjen në të, jep ndjesi shtendosjeje, pasi përcjell dinamizëm dhe shkëmbehet energji.

A është i gabuar aktiviteti në internet gjatë punës? Interpretuar këtë togfjalësh në pikëpyetje mund të themi me bindje që edhe të rriturit gabojnë. Ata mendojnë sikur e gjithë kjo u është bërë me kast, u është ngritur kurth dhe i ka kapur rrjeta pamundur për të shpëtuar, pasi u pëlqen kjo mënyrë argëtimi. Puna është produktivitet dhe kërkon përqendrim e sjellje serioze, pasi një marrëdhënie e tillë kërkon të krijojë, të zhvillojë e rrisë aftësinë profesionale. Që të mos konfliktohemi në spektrin ku përdorimi i rrjeteve sociale veprohet për kontekstin, ku marrëdhënia e punës është e bazuar dhe filtrohet nëpërmjet saj, por në kahun tjetër të saj, kur kjo sjellje manifeston mungesë përqendrimi, punë që delegohen te kolegët, irritim, intolerancë midis kolegëve etj. Koha e gjatë e shpenzuar si në facebook apo të ngjashëm me të, krijon varësi pa e kuptuar, obsesion në mendime, për të qenë aty çdo kohë e lidhur kjo me dobësinë e thashethemit, ku përfshirja e tepërt për të komentuar ka çuar në grindje me të panjohurit dhe ofendime. Këtu jemi përfshirë me sjellje të gabuara. Veprime këto që shëmtojnë karakterin tonë, që mund të shmangen pa qenë i përfshirë emotivisht për çështje apo opinione që nuk mund të merren në konsideratë, pasi mbetet komunikim virtual dhe nuk simbolizon vlera, por i shpërbën ato. Mania për të chat-uar (biseduar) në çdo kohë, është kthyer si një nevojë për të thënë çdo gjë tek të njohur apo panjohur, si një ndjesi për të shpërthyer në zemërimin apo gëzimin që kemi, ndajmë çdo ndjesi që përfshin dhe aspektin intim (personal), pa e kontrolluar këtë sjellje tonën. Është e vërtetë që individi ka nevojë të bëjë katarsis (çlirim emocionesh), por duhet gjetur koha, njeriu i përshtatshëm, ku dhe të filtrohet kjo ndjesi. Ndajmë shumë aspekte të jetës sonë në statusin tonë personal facebook ose në një tjetër të ngjashëm me të, që tashmë nuk mbetet më personal, duke përfshirë këdo për gjendjen dhe mendësitë që kemi. Për shkak të saj lëmë punët, jetën për ta ndarë atë dhe për të ditur edhe për statusin e miqve të tjerë. Ky, një fakt tashmë i ngjitur si një virozë që ka prekur të gjithë dhe, ashtu pavetëdijshëm, kemi rënë pre nga i njëjti karrem. Ku secili nga ata abonentë kërkon të tërheqë vëmendje, të shpalosë talentin në art, poezi, ese, politikë, analistë, që as vetë ata nuk e dinin më parë se kishin diçka të tillë. Janë po këta njerëz që ndahen në nëntipe dhe zgjedhin sesi ta përdorin këtë rrjet-social dhe çfarë konotacioni ka për ata. Nuk sjell dobi pozitive nëse kërkon koherencë për t’u informuar, sidomos për ata/ato që lajmin e përtypin ashtu të patretur mirë, pasi krijon aludime të pasakta dhe të panevojshme. Nuk bëjnë përjashtim meshkujt që lundrojnë në internet. Ashtu si femrat, edhe ata ndjekin tendencat e fundit si të modës, udhëtimeve apo të ushqimit. Në zgjedhje të tyre, reflektohet temperamenti ynë, si jemi ne, ku zgjedhim të shkojmë, si vishemi, apo çfarë hamë ne. Janë karakteristika që na bëjnë të vlerësojmë dhe të njohim veten, një aspekt shumë pozitiv. Ndaj dhe kjo mundësi eksplorimi nuk mund të quhet e gabuar, por koha e gjatë që kalojmë në këtë lundrim, bëhet shqetësuese, si për performancën në punë, por edhe për një realitet të shtrembëruar, i cili është ushqyer në mënyrë induktive nga ana pamore dhe procesohet në psikikën tonë të sistemit nervor. Individit/punëdhënësit i kërkohet vigjilencë dhe përshtatje në punë, ndaj dhe ky i fundit i duhet ta respektojë këtë klauzolë që njihet që në fillim të saj. Mirëpo, ndonjëherë, konfidencat me eprorët apo me asistentët e saj, lehtësojnë apo marrin krah për t’u shkëputur më shpesh nga procesi i punës, ndaj dhe facebook-u apo instagrami është i disponueshëm gjatë gjithë orarit të punës. Të gjitha profesionet kanë rregullat e tyre, përveç atyre që e thamë dhe më lart, që punën e tyre e kanë të lidhur ngushtë me mjetet komunikative, qoftë lundrim në internet apo kontaktet në celular. Profesione të tjera që janë në shërbim të klientit apo pacientit duhen ta kenë të reduktuar këtë kohë, pasi në gjithçka që interpretuam më sipër, na del që kjo kohë e shpenzuar në këtë lloj mënyrë është një luks që të jep kënaqësi, porse e lë individin pasiv, dembel, jo serioz dhe jo respektiv për punën që është i punësuar. Ajo që krijon individi janë zakone që, hera-herës, janë demotivuese dhe u ndodh kjo, pasi bëjnë Krahasimin-Social me të tjerët dhe botën ku ata ndërlidhen. Ashtu si marrin me vete jetën personale në atë profesionale dhe anasjelltas. Edhe pse është disi e vështirë t’i mbash larg të dyja, por jo e pamundur. Gjithçka nis sesi e perceptojmë ne punën dhe detyrat e saj, është e kuptueshme që ne kalojmë kohë jo të mira në punë, pasi, ashtu si ndryshon gjendja shpirtërore e njeriut, ashtu edhe ritmi kardiak i punës. Është vetia e ndërgjegjësimit që kemi nevojë, në momentet e kthjelltësisë sonë kuptohet që duam të ndryshojmë zakonet e atyre sjelljeve që na bëjnë të ndihemi inferiorë. Qëndrojmë tek aspekti i Krahasimit-Social, nga aty ne edhe përfitojmë, por edhe gjendja jonë është disi e dyzuar për sa i përket mënyrës sesi ne e interpretojmë të gjithë këtë. Nga këtu merr udhë inspirimi dhe gjendja reflektive si për veten dhe për të tjerët. Demonstrimi i tepërt duke e rrëfyer jetën në të shumtën e rasteve tregon paralizë të gjendjes afektive, ndaj të përpiqemi të kuptojmë cakun e të kuptuarit drejt të këtij lloj shkëmbimi virtual.

Si ta menaxhojmë këtë përfshirje që merr kohën më të vyer, punën dhe familjen. • Prioritet janë ato që zgjidhin udhëkryqet tona, mjafton të listosh apo të mendosh qëllimet dhe koha juaj kthehet në monedhë ari për ju dhe familjen tuaj • Familja është një nga motivet që na frymëzon dhe që kërkon kohë të plotë, edhe pse kjo e fundit reduktohet për shkak të punës, mos e shpenzoni për një kohë ku vetëm shikon jetën e të tjerëve.

  • Zgjidhni në përditshmërinë tuaj, të ndani me njerëzit më të afërt gëzimet dhe shqetësimet, jo me personat që realisht nuk e njohin brendësinë tuaj.
  • Shkëputuni nga varësia që keni krijuar, nga kjo botë virtuale dhe shpesh edhe të gënjeshtërt, pasi aty i jep mundësi individit të përcjellë një imazh të rremë ai ose ajo që nuk është dhe që thellë kërkon të jetë ashtu si vjen në këtë botë virtuale. Përpiquni të kërkoni ndihmë nga profesionistë/terapistë, apo të miqve dhe familjarëve.
  • Sjelljet e mësuara tregojnë mundësinë për të përmirësuar dhe reflektuar nga disa dobësi që ne na shfaqen përgjatë jetës që bëjmë dhe si e zgjedhim të veprojmë me të. Gjeni më tepër kohë për veten, dhe jini unik.
  • Vlerësoni dhe besoni, në ato çfarë keni dhe bëni, nga të tjerët mund të merrni më të mirën dhe përzgjedhja të bëhet sa herë që është e nevojshme.
  • Mos u ngarkoni me stresin dhe problemet/lajmet që merrni nga bota virtuale (rrjetet-sociale), por ndiqni të tonifikoni energjinë që keni.

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top