Në fokus

May 28, 2016 | 6:30

Vëllai i droguar e kërcënonte për para

Ai nuk reshte së trokituri në derën e shtëpisë së vëllait… insistonte me grushte dhe me goditje të njëpasnjëshme vetëm që dikush t’i shfaqej në derë. Përpara tij u duk e kunata, gruaja e vëllait të madh. – Çfarë do? – e pyet ajo. – Dua Muhamedin. – Nuk ka ardhur akoma nga puna. – Kur kthehet? – Nuk e di. Hamdi D. largohet dhe pret jashtë pallatit ku banon i vëllai. Kalojnë dy orë. Befas sheh në hyrje të pallatit Muhamedin. E ndjek pas me shpejtësi. E kap nga xhaketa dhe i kërkon para. – Nuk kam. – I dua tani. Kjo situatë do të përsëritej edhe për disa ditë të tjera me radhë, deri sa konflikti të përfundonte në grushte, ofendime e deri kërcënim me jetën. Vëllai i madh M.D. ishte gjendur në një situatë tepër të sikletshme, që po ia vështirësonte jetën, pasi vëllai i vogël ishte përdorues lëndësh narkotike. Kjo ishte arsyeja që u bë shkak për denoncime në polici, sepse H.D. kërkonte gjithnjë para nga i vëllai për të siguruar dozën e radhës. Ky i fundit nuk mundej t’i përgjigjej në çdo kohë me para në dorë, por agresiviteti i të vëllait narkoman po bëhej më shqetësues. Marrëdhënia acarohej së tepërmi, sidomos vitin e fundit, e për këtë shkak vëllai i madh iu drejtua organeve të drejtësisë, për të gjetur zgjidhje për çka po ndodhte. – Ma kishte bërë jetën ferr. Çdo ditë më zinte pritë përpara shtëpisë, shpesh edhe në vendin e punës. Më kërkonte para, dhe kur nuk ia siguroja dot, kapte shokët e mi, gruan time dhe u bënte presion. Shumë herë më është dashur të paguaj borxhet që ai u merrte të njohurve të mi. Nuk ia dilja dot… të punoja për tim vëlla, apo për të mbajtur familjen, – mësohet të jetë shprehur M.D. para gjykatësve. Kundërpërgjigjet i padituri H.D! – Edhe unë kam problemet e mia. Jam i papunë. Bëj një jetë sociale të vështirë. E pranoj që i kam rënë në qafë tim vëllai… Historia e kësaj marrëdhënie konfliktuale mes vëllezërish, është një nga ato ngjarjet jo shumë të zakonshme, që për më tepër përfundojnë në dyert e gjykatave. Mesa duket nuk është aq i lehtë shikimi i marrëdhënies mes vëllezërve nga pozicionet e reja. Tashmë të rritur, vëllezërit nuk munden ta pranojnë se janë dy persona që zhvillohen në mënyrë të pavarur… Në rastin e sipërpërmendur, gjykata megjithatë i dha të drejtë vëllait të madh M.D., duke kërkuar nga konkluzionet e procesit gjyqësor që i padituri t’i nënshtrohet kurimit pranë një qendre rehabilitimi dhe distancimi për një kohë të gjatë nga ai dhe familja e tij deri në përmirësimin e gjendjes së H.D.-së.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top