FB

January 6, 2022 | 9:57

Vetëbesimi: dekalogu i përsosur për të filluar sa më mirë vitin e ri

Le të harrojmë çfarë nuk shkon dhe të mundohemi të jemi më të fortë, më pozitivë dhe më të qeshur: ky është qëllimi i parë i mirë i 2022-it.

 

Pas vitit 2021 ende i vështirë dhe me shumë pasiguri, objektivi ynë i parë për vitin e ri duhet të jetë që ta duam veten pak më shumë, të ndihemi më të bukur dhe të jemi të aftë të falim edhe ndonjë gabim të vogël që kemi bërë. Ja një listë e vogël e përfitimeve që duhet të gëzojmë, si të jemi të rinj dhe plot me energji, ashtu dhe të rritur, sepse mosha mund të na dhurojë vetëdije më të madhe për veten tonë dhe aftësinë të dimë të pranojmë unicitetin tonë për atë që jemi realisht.

1. Dashuria për veten në vend të parë: në këto kohët e fundit kemi mësuar mbi të gjitha se nuk ka dashuri nëse nuk është e mundur të shprehim nevojat tona më intime dhe të vërteta. Qëllimi i mirë për këtë vit është të mësoni t’u thoni të tjerëve, por sidomos vetes sesa shumë vleni realisht: pandemi apo jo, do të jeni në gjendje të filloni të takoni njerëz që janë të aftë t’ju shtojnë lumturinë dhe t’ju bëjnë të ndiheni mirë.

2. Vlerësoni përvojën: të gabosh është njerëzore, por falë përvojës jeni në gjendje të përmirësoni veten pikërisht duke nisur nga gabimet tuaja. Largoni ndjenjën e fajit: në vend të saj kuptoni se si t’i kaloni vështirësitë dhe të mësoni nga gabimet, pasi do të jetë shumë e rëndësishme për të përmirësuar aftësinë e të vlerësuarit dhe të bëni zgjedhjet më të duhura në jetën profesionale si dhe në sferën më intime dhe private.

3. Refuzoni të ndiqni modën e të tjerëve: në çdo moshë, të ndiqni orientimet e modës shërben deri në një pikë të caktuar. Mjaft ndoqët tendencat e modës me çdo kusht: në vend të saj mundohuni t’i jepni vlerë pikëve tuaja të forta, edhe pse format janë më të buta dhe kur vitet kalojnë fillon të shfaqet ndonjë rrudhë. Vishni rroba që ju bëjnë të ndiheni rehat dhe në harmoni me veten tuaj si dhe ju dhurojnë më shumë joshje dhe personalitet.

4. Kujdesuni gjithmonë për veten: kremra dhe kura “pothuajse” mrekullibërëse, dieta të çdo lloji… Keni provuar pothuajse gjithçka, por në fund të fundit keni kuptuar se të dini të ndiheni mirë nën lëkurën tuaj është thelbësore dhe një mënyrë e mirë e të jetuarit. Synoni më mirë tek ushqyerja e shëndetshme dhe stili i duhur i të jetuarit, por mos lini pas dore as lëkurën dhe trupin tuaj. Sidomos mos hiqni asnjëherë dorë nga koha për t’u kujdesur vetëm për veten tuaj.

5. Praktikoni aktivitetet spotive: një stil jetese aktiv, ku nuk mungon asnjëherë lëvizja fizike, është i rëndësishëm për shëndetin e mirë të trupit dhe të mendjes. Njëzet minuta në ditë për një shëtitje, pavarësisht ngarkesave të punës, janë të mjaftueshme për të mbajtur larg humorin e keq, për të tonifikuar muskujt dhe për të oksigjenizuar organizmin. Çfarëdolloj rasti është i mirë për të lëvizur, edhe duke bërë ushtrime në shtëpi. “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë” në këtë rast nuk është vetëm një fjalë e urtë.

6. Synoni te joshja dhe sensualiteti: tashmë e dimë, synoni te joshja më shumë sesa tek bukuria, pasi është gjithmonë një lëvizje fituese, jo vetëm kur jeni adoleshentë, por sidomos kur jeni më të rritur, sepse përmirëson vetëdijen që keni për veten tuaj. Me kohën, jeni më pak të përqendruar te defektet dhe ndiheni më të lirë për të eksperimentuar, edhe në sferën më intime. Të mësoni dhe ta lini veten të lirë pa u ndierë të gabuar ose të pavend, është një fitore fantastike: nuk ka asgjë për t’u trembur.

7. Kërkoni humorin e mirë: edhe në periudhën e pandemisë “mirëmëngjesi” më i bukur është të zgjoheni me entuziazëm dhe dëshirë për të bërë çdo gjë. Fatkeqësisht, për shkak të kohëve të vështira që po kalojmë, nuk është gjithmonë e lehtë, por një e qeshur e shëndetshme e bën jetën më të lehtë dhe ju ndihmon të përballoni më mirë vështirësitë. Një e qeshur e bukur, qoftë edhe para pasqyrës ju bën më empatikë dhe alegro: familja dhe miqtë do të përfitojnë shumë nga kjo gjë.

8. Shijoni kuzhinën e mirë: sa më shumë rriteni, aq më shumë jeni të aftë të kujdeseni pak më shumë për veten. Largojeni përtacinë dhe mundohuni të gatuani për veten: është një aktivitet shumë i rëndësishëm edhe nëse jetoni vetëm. Të pasurit një gatim të shijshëm për drekë apo për darkë është mjaft shpërblyese dhe ju bën të ndiheni të përkëdhelur. Fjala kyç është: eksperimentoni. Jepini liri kreativitetit dhe nëse nuk jeni të aftë, mësoni nga interneti: rezultatet do të jenë surprizuese.

9. Informohuni: eliksiri i rinisë është të informoheni vazhdimisht dhe të mbani gjallë kureshtjen. Jepini vetes stimuj, mësoni gjuhë të reja, lexoni dhe ngacmoni aktivitetin cerebral, pasi është thelbësor për të mbajtur trurin të stërvitur dhe të mos i lini hapësirë humorit të keq. Libra, filma, lojëra për të luajtur bashkë me fëmijët, çlirojnë kreativitetin dhe stimulojnë fantazinë: të eksploroni interesa dhe reja duhet të shndërrohet në një domosdoshmëri.

10. Rrethohuni nga dashuria: dhurojeni ekzistencën tuaj me bujari, mbi të gjitha pa harruar dashurinë e familjes, por edhe të miqve, të kolëgëve dhe të gjithë atyre që janë të aftë t’ju transmetojnë ndjesi pozitive. Kjo gjë është absolutisht e domosdoshme për të pasur një vit të ri fantastik. Rrethohuni nga njerëz që me praninë e tyre e bëjnë më të ngrohtë dhe më harmonike jetën tuaj, sepse duke përkëdhelur zemrën tuaj, do t’ju ndihmojnë të mbani sa më lart vetëbesimin dhe do të ndiheni më të rëndësishëm dhe të çmuar.

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: Mediaset

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top