FB

March 5, 2026 | 17:30

Për ty që je në dilemë: “të bëj apo jo ndërhyrje kirurgjikale?” / Trupi është projekti yt prioritar

 

 

Paradoksi i kohës sonë është se predikojmë “duaje veten siç je”, por duartrokasim e promovojmë estetikën e filtruar. Ky mesazhi i dyfishtë krijon konfuzionin: të pranoj veten apo ta përmirësoj? E individi nuk di ç’të bëjë…

rudina-koromani

Normalizimi përmes rrjeteve sociale ka bërë që kirurgjia sot të mos perceptohet më si ndërhyrje por si optimizim, përmirësim. Platforma si Instagram dhe TikTok kanë krijuar standarde estetike pothuajse uniforme: fytyrë pa pore, buzë të plota, mollëza të theksuara, trup proporcional. E kur filtri bëhet Normë, realiteti duket Defekt.

Presioni i dukshmërisë është një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e fenomenit teksa jemi më të ekspozuar se kurrë përmes fotove e videove të vazhdueshme. Tashmë, trupi dhe fytyra janë kthyer në kartë identiteti publik, ku presioni për ta përmirësuar rritet e rritet. Rënia e stigmatizimit lidhur me ndërhyrjet që dikur fshiheshin, teksa flitet hapur e madje duke i promovuar me zë e figurë ka bërë që ndërhyrje të tilla të mos shihen më si turp por si të pranueshme e të modës. Por na duhet të pranojmë gjithashtu se ka ulur pragun e reflektimit, të menduarit më thellë mbi arsyet e procesit.

 

Motivet psikologjike pas vendimeve estetike

Shpesh flitet për motivet psikologjike që fshihen pas vendimeve për ndërhyrje kirurgjikale. Para së gjithash, është shumë e rëndësishme të mos i demonizojmë. Ka raste kur ndërhyrja ka rritur vetëbesimin, ka ndihmuar në tejkalimin e një kompleksi të thellë e ka përmirësuar cilësinë e jetës të individëve, që e kanë kryer me vetëdijshmëri të plotë, duke marrë vendime të shëndetshme e të mira për veten e tyre. Problemi i vendimeve për të ndryshuar veten nga pikëpamja estetike lind për ata individë që bëjnë ndërhyrjet për t’u krahasuar, për të shmangur plakjen me çdo kusht, për të mbushur boshllëqe emocionale apo teksa mendojnë se një ndryshim në pamjen e jashtme do i bëjë më të lumtur.

fytyre-lekure-perfekte

Arsyeja, jo Bisturia

Kirurgjia mund të ndryshojë tiparet por nuk mund të ndryshojë raportin me veten. Problemi nuk qëndron tek bisturia, por tek arsyeja pse e kërkojmë, sepse bisturia nuk krijon as mungesën, as paqen, por vetëm e zbulon arsyen pse ndodhemi aty. Dhe kjo arsye ndryshon sipas rolit që secili mban në jetë. Për biznesmenin / biznesmenen, ndërhyrja shpesh lidhet me autoritetin dhe konkurrencën. Kur imazhi perceptohet si kapital, lind ideja se rinia barazohet me besueshmëri dhe energji. Nëse ndërhyrja bëhet për të ndjerë siguri në tavolinën e negociatave, ajo mund të funksionojë. Por nëse synon të fshehë lodhjen, ankthin apo frikën nga zëvendësimi, atëherë problemi nuk është fytyra, por raporti me pushtetin dhe kohën.

Për ata që dalin në ekran: aktorë, këngëtarë, figura publike, trupi kthehet në mjet pune. Këtu presioni është konstant dhe i pamëshirshëm. Ndërhyrja mund të jetë pjesë e profesionit, një zgjedhje pragmatike. Por rreziku shfaqet kur identiteti ngushtohet vetëm te pamja: kur rolet, vlera artistike dhe zëri personal fillojnë të varen nga pasqyra dhe jo nga përmbajtja. Atëherë bisturia nuk ruan karrierën, por vetëm shtyn përkohësisht frikën nga harresa.

Për gratë dhe burrat shtëpiakë, dilema është më e heshtur, por jo më e lehtë. Ndërhyrja shpesh lind nga ndjenja e padukshmërisë: pas viteve të përkushtimit ndaj të tjerëve, trupi duket sikur nuk “flet” më për veten. Nëse ndërhyrja bëhet si akt kujdesi personal, mund të rikthejë dinjitetin dhe vetërespektin. Por nëse bëhet për të rikthyer vëmendjen e humbur apo për të konkurruar me një ideal të paarritshëm, ajo rrezikon të thellojë boshllëkun emocional.

 

Vetëdijshmëria si vendim jetësor

Çështja nuk është ta bësh apo mos ta bësh ndërhyrjen estetike. Çështja është nga cili vend i brendshëm vjen vendimi: nga frika apo nga qartësia, nga mungesa apo nga pranimi, nga nevoja për t’u dukur apo nga dëshira për t’u ndier mirë në lëkurën tënde. Nëse vendimi për ndërhyrje vjen nga vetëdija dhe jo nga frika është zgjedhje. Nëse vjen nga krahasimi dhe pasiguria, është presion i maskuar si dëshirë.

Bisturia mund të ndryshojë fytyrën, por ajo që ndryshon jetën është vetëdijshmëria jonë: aftësia për të kuptuar pse ndihesh si ndihesh, pse vepron, si vepron, dhe si mund të zgjedhësh ndryshe.

-Mund të heqësh kilogramë, por nëse ende s’e pranon trupin tënd, do të ndihesh bosh përsëri.

-Mund të ndërron punë apo partner, por pa kuptuar ç’kërkon vërtet nga jeta, do rikrijosh të njëjtat modele.

-Një ndryshim i jashtëm të bën të ndihesh ndryshe për pak, por një ndryshim i brendshëm të bën njeri tjetër përgjithmonë.

Shpesh kërkojmë ndryshime jashtë nesh, një pamje më ndryshe, më të re, një rrobë, një udhëtim, një “fillim i ri”… Por e vërteta është se asgjë nuk ndryshon vërtet, nëse nuk ndryshon mënyra se si e shohim veten dhe botën.

Një njeri i vetëdijshëm në moshë të mesme e kupton se ndërhyrja mund të ndryshojë një tipar, por jo marrëdhënien me vetveten. Nëse kjo marrëdhënie është e mbushur me kritikë, frikë dhe krahasim, asnjë procedurë nuk e shëron. Nëse është e ndërtuar mbi pranim dhe respekt, çdo zgjedhje, qoftë ndërhyrje apo jo, bëhet e qetë, e matur dhe pa pendesë.

Vetëdijësimi është ta pyesësh veten:Nëse askush nuk do të më shihte, a do ta doja këtë ndryshim? Dhe ta pranosh përgjigjen, cilado qoftë ajo, pa turp dhe pa justifikim.

Ndërhyrja estetike është një vendim për trupin që të jep një pasqyrë më të këndshme, ndërsa vetëdijshmëria është një vendim për jetën që të jep një marrëdhënie më të shëndetshme me veten. Kujdesu për pamjen tënde, por mos harro: fytyra mund të të bëjë të dukesh ndryshe, vetëdijshmëria të bën të jetosh ndryshe! Dhe kur jeton ndryshe, çdo vendim, edhe ai estetik, bëhet më i lehtë, më i lirë dhe pa peshë pendese.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top