Në fokus

December 24, 2016 | 15:40

Vetmia, si të ndiheni mirë me veten

Nëse për disa vetmia është sinonim i harmonisë dhe pjekurisë, për të tjerë nënkupton trishtim dhe braktisje. Ekspertët na ndihmojnë të kuptojmë arsyet e këtyre sjelljeve të ndryshme dhe të jetojmë në harmoni çastet kur jemi vetëm.

Vetmia është shumë e rëndësishme për hapësirën e brendshme personale. Kur jemi vetëm kemi kohë për të menduar e për të zhvilluar kreativitetin dhe kulturën personale. E megjithatë, ka njerëz që e kanë të pamundur të rrinë qoftë edhe një orë vetëm. Nga vjen kjo lloj vuajtjeje? Cila është origjina e këtij refuzimi për të kaluar kohë me veten?

Sipas Anna Barracco, psikologe dhe psikoterapeute, shpesh ata që e përjetojnë keq vetminë, kanë vuajtur nga mungesa afektive në fëmijëri. “Nëse kur jemi fëmijë përjetojmë një ndarje të padëshiruar të prindërve, apo nëna nuk ka qenë fizikisht e pranishme dhe ka munguar nga këndvështrimi psikik dhe emocional, kur rritemi përvoja e vetmisë mund të rindezë dhimbjen e asaj mungese në fëmijëri”, shpjegon Barracco.

“Ata që kanë një nivel të ulët vetëdijeje, nuk e dinë se posedojnë burimet e tyre me të cilat duhet të përballojnë vështirësitë e jetës dhe ndjejnë nevojën të kenë vazhdimisht pranë dikë tek i cili të struken.”

Mospranimi i vetmisë mund të jetë i lidhur me frikën se mos gjendemi vetëm përballë kontradiktave tona. Në ato momente jemi të detyruar të shohim edhe aspekte të vetes që na trembin apo na japin siklet dhe duhet të përballemi me dëshirat e parrëfyera më parë as vetes. Dëshira për të pasur dikë pranë, është një mënyrë për t’u shpërqendruar dhe për të evituar këto reflektime të vështira, ndonjëherë edhe të dhimbshme. Po si të mësojmë të jetojmë në harmoni në momentet kur do të gjendemi vetëm përballë vetes? Ndiqni këshillat tona…

Zhytuni në ndjesitë tuaja

Mësoni të vëzhgoni veten; analizoni dhe vlerësoni ndjesitë tuaja dhe shkruani të gjitha mendimet negative që ju shqetësojnë. Kërkoni në të kaluarën tuaj situatat kur jeni ndjerë vetëm, që ju kanë provokuar trishtim dhe ankth. Bëhet fjalë të gjeni gjurmën emocionale, skemën që ripërsëritet edhe në të tashmen, në mënyrë që më pas ta eliminoni.

Kini besim te vetja

Të qëndroni vetëm jo domosdoshmërisht do të thotë se jeni vetëm. Kini besim në aftësitë tuaja. Vetmia është një moment që mund ta mbushni me intensitetin e ndjenjave. Duhet të kemi sigurinë se në njëfarë momenti, kur ne të dëshirojmë, bota është aty jashtë që na pret dhe është e mbushur me shumë njerëz.

Qëndroni vetëm

Detyrojeni veten të qëndroni vetëm në shtëpi për të bërë diçka që ju pëlqen: dëgjoni muzikën e preferuar, këndoni, lexoni, pikturoni… Në këtë mënyrë do ta lidhni vetminë me një ndjesi pozitive. Por filloni gradualisht: duke kaluar një ditë të tërë vetëm, frika juaj rrezikon të rritet. Ndaj filloni pak e nga pak, një orë në ditë, dy orë… derisa të ndiheni mirë me veten. Me kohën, mund të testoni edhe zgjidhje të tjera “delikate”, si të shkoni vetëm në kinema.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top