Pika referimi

December 1, 2017 | 9:15

Viktimat e ekraneve

1

Duke pasur parasysh se planeti ynë po globalizohet jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në atë të kulturës dhe, sidomos, të mënyrës së të jetuarit, sociologët dhe veçanërisht psikologët vërejnë me të drejtë e me shqetësim se si gjërat lidhur me fëmijët dhe adoleshentët po evoluojnë jo gjithmonë për mirë. Ka ndryshuar, ndër të tjera, marrëdhënia e tyre me prindërit dhe mësuesit, por gjithashtu mënyra e tyre e të ushqyerit, si edhe ajo të komunikuarit me të tjerët, nën ndikimin e vazhdueshëm, nganjëherë alarmues, të internetit e të rrjeteve sociale.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Në këtë kuadër, shqetësuese po bëhet në shkallë planetare edhe një dukuri tjetër e këtyre dy-tri dekadave të fundit, kryesisht në vendet e zhvilluara industriale, por edhe në ato që ndodhen në zonat përreth atyre. E kemi fjalën për kohën që fëmijët, sidomos ata të qyteteve të mëdha, kalojnë para ekranit të televizorit, të kompjuterit, të tabletave, të smartfonëve etj., etj., në krahasim me kohën që kalojnë jashtë mjediseve të mbyllura. Dikur, le të themi sërish para dy-tri dekadash, fëmijët shqiptarë e kalonin pjesën më të madhe të kohës përjashta, në rrugë e sheshe, duke marrë pjesë në lojëra si topagropthi, cinglash, pincash, me zare, e ka kush e ka, ngrivashkriva, biz, futboll me porta të vogla etj., etj., kurse sot i sheh shpesh nëpër qendra interneti ose në shtëpitë e tyre duke kaluar një kohë të konsiderueshme në facebook e rrjete të tjera sociale, duke u dhënë pas lojërave me play-station, ndërkohë që mbllaçisin patatina, kikirikë, çibukë e ushqime të tjera të sheqerosura ose të kripura e të yndyrshme që kanë ndenjur me vite nëpër depo para se të hidhen në treg. Më e pabesueshmja është se ka prindër që i lënë fëmijët e tyre të mitur të luajnë me celularë apo tableta dhe që mburren duke thënë se këta dinë të futen në internet, të lundrojnë atje, të gjejnë imazhet ose këngët që u pëlqejnë. Por më frikshmja është se disa lojëra “fëminore” në internet, ndonëse i shkathtësojnë ata në përqendrimin e vëmendjes, u krijojnë vështirësi përshtatjeje në kopshte e shkolla apo edhe në shoqërinë e bashkëmoshatarëve.

Kështu, për shembull, fëmijët që luajnë me puzzles, pra, me formuese figurash nëpërmjet vendosjes së kubave, janë shumë të shkathët para ekranit të kompjuterit, sepse me dy lëvizje (klikim e spostim) e vendosin kubin në vendin e duhur, veçse, kur marrin pjesë në këtë lojë jo virtualisht, por realisht, pra, kur u duhet ta kapin me gishtërinj kubin në fjalë, ta ngrenë lart dhe ta spostojnë dorën me anë të parakrahut për ta vendosin kubin ngjitur me tjetrin, ata tregohen të ngathët, sepse nuk i kanë ushtruar gishtërinjtë e mëdhenj dhe treguesit si kapës objektesh reale, as dorën e parakrahun në rolin e vinçit. Të njëjtën gjë mund të pohojmë për lojëra të tilla si futbolli: tjetër gjë është të luash futboll në internet, pra, ulur para ekranit, dhe tjetër gjë është të luash në një fushë sporti, ku të duhet të vraposh sa paraprapa, të djersitësh, të rrëzohesh, të protestosh, të shënosh në portën e kundërshtarit dhe të rrethohesh nga shokët e skuadrës, të cilët të gëzojnë e të përqafojnë. Prandaj natyrshëm lind pyetja: A nuk janë fëmijët tanë duke u kthyer në viktima të ekraneve?

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com