Në fokus

December 1, 2017 | 8:15

Dita botërore kundër HIV/SIDA: Mjekimi me barna antiretrovirale zgjat jetën e të sëmurëve

Sot është Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV/SIDA. Kjo datë synon ndërgjegjësimin në lidhje me përballimin e kësaj pandemie. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.

sida

Çfarë është HIV-i?

HIV (Human Immunodeficiency Virus) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut, duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Virusi shkatërron dhe dëmton gradualisht funksionin e qelizave të imunitetit. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimin të qelizave CD4.

Çfarë është SIDA?

AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome) është një term që i referohet fazës më të avancuar të infeksionit HIV. Sida është dëmtimi i pakthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, i cili çorganizon gjithë sistemin imunitar. Në këtë situatë organizmi nuk është i aftë të përgjigjet ndaj agjentëve parazitarë, viralë, mykotikë dhe atyre oportunistë apo të kontrollojë disa tumore, duke u shfaqur edhe SIDA. AIDS apo i njohur si SIDA është përcaktuar si zhvillimi i disa lloje kanceri, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike.

Cilat janë shenjat e SIDA-s?

Shumë persona që jetojnë me HIV, në muajt e parë mbas infektimit, nuk kanë shenja të dukshme dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre, statusit pozitiv deri në fazat e vonshme. Për t’u zhvilluar shenjat, përgjithësisht mund të kalojnë nga 2 deri në 15 vjet, nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e tyre, në varësi të personit. Koha është e ndryshme për persona të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale dhe psikologjike. Shenjat më të shpeshta janë: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, dobësi e madhe, ethe/temperaturë e vazhdueshme, diarre e vazhdueshme që nuk dominohet nga mjekimi, kollë dhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste. Pa trajtim, ata mund të zhvillojnë sëmundje të rënda të tilla si tuberkulozi, meningjiti dhe lloje të ndryshme kanceri.

Si transmetohet HIV-i?

HIV mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të infektuara të trupit si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.

Si diagnostikohet HIV/SIDA?

Infeksioni HIV zakonisht evidentohet nëpërmjet testeve të gjakut, të cilat zbulojnë antitrupat e prodhuara nga një person, si pjesë e sistemit të tij imunitar për të luftuar infeksionin HIV. Shumica e këtyre personave i zhvillojnë këto antitrupa brenda 28 ditësh, dhe për këtë arsye antitrupat mund të mos kapen menjëherë pas infeksionit. Kjo periudhë e hershme e infeksionit quhet periudha dritare dhe përfaqëson kohën edhe rrezikun më të madh të transmetimit të infeksionit. Megjithatë transmetimi i HIV-it mund të ndodhë gjatë të gjitha fazave të infeksionit.

Si parandalohet infeksioni HIV?

Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it, të cilat shpesh janë përdorur në kombinim me njëra- tjetrën përfshijnë:

Përdorimin e prezervativit

Përdorimi korrekt të  prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale vaginale ose anale mund të mbrojë kundër përhapjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV.

Testimi dhe këshillimi për HIV dhe IST

Testimi për HIV dhe IST-të e tjera këshillohet me forcë për të gjithë personat e ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut.

Rrethprerjen mashkullore vullnetare mjekësore (syneti) zvogëlon rrezikun e infektimit te meshkuj me rreth 60%.

Përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim të transmetimit nga njëri partner te tjetri.

Profilaksia para ekspozimit me HIV është përdorimi i përditshëm i barnave nga persona të painfektuar për të penguar infektimin me HIV.

Profilaksia pas ekspozimit është përdorimi i barnave ARV brenda 72 orëve të ekspozimit ndaj HIV-it për të parandaluar infeksionin.

Reduktimin e dëmit për përdoruesit intravenozë të drogës.

Eliminimin e transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija

Si trajtohet Sida?

Me gjithë përpjekjet e shkencëtarëve, për momentin nuk ka akoma një mjekim specifik apo vaksinë për infeksionin HIV. Por, fatmirësisht sot ekzistojnë trajtime efektive me barna antiretrovirale (ARV) të cilat mundësojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit HIV, si dhe trajtojnë infeksionet oportuniste. Këto barna kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të tij të rifitojë kapacitetin për të luftuar infeksionet. Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar Sidën në një sëmundje kronike.

Burimi Instituti i Shëndetit Publik

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com