FB

November 24, 2022 | 7:20

Vlerat e inteligjencës në lidhje me të menduarit

 

Pak a shumë të njëjtën dilemë do të mendonin të gjithë mësuesit dhe pedagogët në sensin: Si t’i ndihmojmë nxënësit dhe studentët që të realizojnë potencialet e tyre? Në lidhje me këtë temë do të merremi kryesisht me disa rekomandime mbështetur në të dhënat e fundit të kërkimeve për inteligjencën.

000

Nga Prof.Assoc.Doc.Dr.Ilia S.LARTI

 

Është më së e ditur se çdo teori e inteligjencës që të jetë e besueshme, duhet të plotësojë tri kushte:

a.të lidhë inteligjencën me botën e brendshme të individit, të shpjegojë se çfarë ndodh kur ai mendon intelektualisht.

b.duke pranuar lidhjen midis botës së jashtme dhe inteligjencës, të shpjegojë funksionimin e inteligjencës në “botën reale”

c.lidhjen e inteligjencës me përvojat personale, të zbulojë mënyrën e ndikimit të saj mbi to.

Nisur nga këto kushte, le të shohim disa modele interpretimi mbi inteligjencën si: “modeli trepjesësh”, i Sternbergut; “inteligjenca e shumëfishtë”, e Gardnerit; “struktura e të menduarit” e Përknezit.

d-2

“Modeli trepjesësh”, i Sternbergut

Sipas Sternbergut aftësitë intelektuale dhe cilësitë e të menduarit janë të pandashme edhe se kanë të bëjnë më shumë me inteligjencën se sa me të menduarit. Sipas tij këto tri aspekte janë: Përbërëse; Provuese;

Kontekstuale.

Le të përshkruajmë aspektet sipas Sternbergu

Aspekti përbërës i inteligjencës – Ky përbërës në vetvete përbëhet nga tre komponentë bazë të inteligjencës të cilët janë: Meatkomponentët;  Komponentët e kryerjes së veprimit; Komponentët e përfitimit të njohurive.

Meatkomponentët janë mekanizma ekzekutivë të inteligjencës që nxënësi i përdor për të planifikuar, vëzhguar strategjitë e zgjidhjes së problemit. Këto kanë të bëjnë me: Identifikimin e natyrës së problemit; Përzgjedhjen e hapave të nevojshme për ta zgjidhur atë; Përcaktimin e planit dhe vlerësimin e zgjidhjes.

Komponentët e kryerjes së veprimit janë mekanizma të ekzekutivit të veprimit. Midis tyre, më të rëndësishëm janë ata mekanizma që kanë të bëjnë me marrëdhëniet, mbartjen e këtyre lidhjeve te stimuluesi apo ngacmuesi i ri dhe krahasimi i tipareve të stimuluesve. Nxënësit kanë nevojë të marrin sa më shumë informacion e ta përpunojnë atë me anë të këtyre mekanizmave, përpara se të nxjerrin përfundime.

Komponentët e përfitimit të njohurive kanë të bëjnë me mekanizmat e: përdorimit të gjuhës; me zgjedhjen e fakteve; me mekanizmin e zgjidhjes së problemeve. Kyçi i suksesit të tyre është të përcaktojmë faktet që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjidhjen. Në lidhje me këtë komponent, Sternbergu ka përcaktuar tre mekanizma të rëndësishëm për përvetësimin e njohurive: a. Përzgjedhja kognetive; b. Kombinimi i përzgjedhjes; c. Krahasimi i përzgjedhjes.

Përzgjedhja kognetive: mekanizëm me anën e të cilit zbulohen faktet që nuk janë të dobishme për momentin. Psh., Flemingu në zbulimin e penicilinës vuri re se në eksperimentin e tij se, megjithëse myku i kërpudhës kishte dëmtuar eksperimentin, bakteriet kishin ngordhur.

Kombinimi i përzgjedhjes: mekanizëm me anën e të cilit individët kërkojnë rrugë e mënyra për të kombinuar me përzgjedhje faktesh të pa lidhura midis tyre.

Krahasimi i përzgjedhjes: mekanizëm me anën e të cilit personi krahason informacionin e ri me atë ekzistues. Sternbergu thekson se këta mekanizma kanë një ndërveprim të ngushtë mes tyre. Përgjithësisht ata veprojnë njeri pas tjetrit duke i dhënë mundësi çdo individi të: planifikojë; veprojë; të njihet me rezultatin e punës së tij.

Aspekti provues i inteligjencës: ky komponent nga Sternbergu është përcaktuar si provues. Përvoja rrit aftësinë për tu marrë me detyra të reja dhe për ta automatizuar përpunimin e informacionit si p.sh., leximi është një shembull i mirë për ta ilustrim-sikur të mendohet çdo germë, atëherë do të prishej kuptimi i pjesës, gjë që do të thotë se kjo s’mund të ndodhë. Nevojiten kështu procese automatike provuese për të verifikuar nëse individi është në gjendje të zgjidhë probleme komplekse.

Aspekti kontekstual i inteligjencës: ky komponent ka të bëjë me mekanizmat e vendosjes së problemit për të cilin mendohet në një kontekst të caktuar. Ai specifikon funksionet në të cilat zbatohen komponentët në bashkëveprim me botën e jashtme. Thelbi i aspektit konstekstual të inteligjencës është përshtatja. Përshtatja ka tre nivele:  adaptim të mjedisit ekzitues, me qëllim që të përshtatet më mirë me të menduarit dhe zgjedhjen e problemit; përshtatje të mjedisit ekzistues në përputhje me nevojat që dalin; përzgjedhje e mjediseve të reja, veprim, i cili nënkupton vlerësimin e mjedisit aktual dhe zgjidhjen e mjediseve të reja më të favorshme.

Për kujtesë: nëse kërkoni te vetja dhe tek të tjerët që të njihni dhe të gjeni këto përcaktime të inteligjencës, ndoshta mund të identifikoni se cili aspekt i saj është dominant.

d-1

Gardneri dhe inteligjenca e shumëfishtë

Gardneri është bërë i njohur dhe i vlerësuar për teorinë e tij të inteligjencës së shumëfishtë (1983-1991). Sipas Gardnerit, të menduarit reflekton aftësi intelektuale. Por kjo nuk është e tërë inteligjenca. I njëjti nxënës apo individ, i cili ka gjykime të mprehta në lëndën e matematikës, por nga ana tjetër mund të jetë i prapambetur në lëndën e muzikës. Edhe se këto ide janë akoma teorike, ato përpiqen t`iu japin përgjigje problemeve të inteligjencës. Përcaktimi i inteligjencës sipas Gardnerit, teoria e inteligjencës së shumëfishtë ka një shtrat të dyzuar si: Investimi kulturor (nivel i caktuar kulturor i individit); Si dhe një bazë biologjike; Gardneri përshkruan tetë postulate për përcaktimin e inteligjencën e shumëfishtë si:

1.Duhet pranuar mundësia e dëmtimit të trurit: nëse dëmtohet truri shkatërrohet një aftësi e caktuar, që duket se nuk është e varur nga ndonjë tjetër defekt.

2.Duhet pranuar ekzistenca e njerëzve të veçantë: ka individë që bien në sy për zhvillimin e tij mbi të tjerët, si p.sh., aftësitë matematikore që i kalojnë aftësitë e moshatarëve të tyre, ndërsa aftësitë e tjera i kanë si dhe të bashkëmoshatarëve.

3.Duhen matur veprimet bazë: këtu përfshihen veprimet për përpunimin e informacionit, që janë aftësi të nivelit mjaft të lartë. P.sh., atletët e talentuar, vlerësojnë stimujt e shumëfishtë, gjykojnë vlerat e tyre dhe në mënyrë të menjëhershme, komunikojnë informacionin në tru.

4.Duhet marrë parasysh historia e zhvillimit të veçantë: çdo inteligjencë mund të kalojë në stade të dallueshme zhvillimi.

5.Duhet marrë parasysh ndonjë histori evolucionale: përparësitë e inteligjencës identifikohen edhe në specie të tjera jonjerëzore. Këto mund të shfaqen si elementë të veçantë e të dallueshëm në këto specie dhe të integrohen vetëm te njerëzit.

6.Duhet marrë parasysh të dhënat eksperimentale: Autonomia e inteligjencës mund të provohet për tu shqyrtuar nëse faktet mbështetin apo jo teorinë.

7.Duhet mbështetje nga matjet psikometrike: testet e standardizuara janë të ngjashme me ato që matin IQ, koeficientin e inteligjencës.

8.Të dhënat duhen transformuar në një sistem simbolik: mund të ketë disa kuptime për të shndërruar përmbajtjen e informacionit të koduar të inteligjencës.

d-3

Strukturat e të menduarit sipas Përkinzit

Psikologu Dejvid Përkinz, (1987), në lidhje me të menduarit ka ndihmuar për forcimin e marrëdhënieve midis mësimdhënies dhe inteligjencës. Ai duke besuar se shkolla duhet të bëjë më shumë për zhvillimin e shprehive të të menduarit, pohonte se çdo strategji në mësimdhënien e cilësive të të menduarit do të përballet me problemin e inteligjencës. Pyetjet që shtrohen është e thjeshtë: a kemi mundësi të përmirësojmë inteligjencën për mes ushtrimit të nxënësve që të mendojnë më mirë? Përkinzi besonte se pyetja kryesore së cilës i duhet dhënë përgjigje është: Cilët janë faktorët psikologjikë që kontribuojnë në një zhvillim më të gjerë dhe më cilësor të inteligjencës? Ai e gjeti përgjigjen në modelet e punës së tij dhe pohoi se psikologët modernë kanë adaptuar tri modele të inteligjencës si: Një teori e fuqishme bashkëkohore e inteligjencës: e cila varet nga efektiviteti neurologjik i trurit (interpretim gjenetik); Një teori taktike e inteligjencës: thelbi i së cilës është se ata që mendojnë më mirë e bëjnë këtë se dinë më shumë taktika rreth mënyrës se si të përdorin mendjet e tyre; Një teori e përmbajtjes së inteligjencës: e cila reflekton një vështrim të inteligjencës si një bazë e pasur njohurish. Zotërimi i materialit faktik është në zemër të të menduarit dhe zgjidhjes së problemit.

d-4

Përkinzi beson se një nga teoritë e vetme nuk na jep përgjigjen e duhur për inteligjencën, ndërsa të tre teoritë të kombinuara, marrim një përgjigje për çështjen e shtruar. Në këtë këndvështrim ai e konceptoi inteligjencën si më poshtë:

INTELIGJENCA: Fuqi + Taktikë + Përmbajtje

Përkinzi më pas e ktheu vëmendjen në rrugët për kultivimin e shprehive të të menduarit, të cilat mund ta përmirësojnë inteligjencën. Ai theksoi se shkolla mund të bëjë më shumë rreth fuqizimit të inteligjencës, ndoshta kanë bërë shumë më tepër lidhur me përmbajtjen e saj. Në këtë sens Përkinzi u përqendrua në taktikat dhe strategjitë, si shpresat më e mirë për të realizuar synimet e mësipërme. Duke përshkruar inteligjencën taktika, si një “çantë me marifete”, ai propozoi termin “struktura e të menduarit”, për të përshkruar “marifetet prej të cilave përbëhet inteligjenca taktike”.

Struktura e të menduarit, janë paraqitjet që e udhëheqin procesin e të menduarit nëpër: Mbështetjes; Organizimit; Aktivizimit të tij.

Përkinzi shtronte hipotezën se njerëzit mësojnë strukturat e të menduarit nëpërmjet një procesi me tre hapa, i cili përfshin: Përvetësimin; Përgjithësimin; Transferimin.

Në përvetësim: nxënësit ndeshin dhe transferojnë bazat e strukturës me anë të mësimdhënies së drejtpërdrejtë apo zbulimit. Detyra e mësuesit është t`i ndihmojë ata të modelojnë një paraqitje të temës apo çështjes.

Në përgjithësim: nxënësit e bëjnë procesin automatik. Përgjithësimi vjen përmes praktikës nëpërmjet shembujve të thjeshtë, deri sa bëhet rrjedhshëm he spontan. Kujtesa gradualisht bëhet automatike. Praktika e kuptueshme dhe kujtesa ndihmon drejt përpunimit automatik.

Në transferim: nxënësit përdorin strukturën në një llojshmëri të gjerë të kontekstit. Për sa kohë nuk ndodh spontanisht transferimi apo përgjithësimi, mësimdhënia për të duhet të vazhdojë.

Shkurt: Struktura e të menduarit e Përkinzit, ka ndikuar në përmirësimin e mësimdhënies duke kultivuar te nxënësit shprehi të të nxënit aktiv dha afatgjatë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top