Këshilla & Arsye

October 16, 2017 | 11:34

“Vrasësi i verbër”, historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs në një rrëfim epik të kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë

Çfarë shpikjeje janë, nënat! Dordolecë për të trembur sorrat, kukulla dylli për të ngulur gjilpërat tona, diagrame të bëra në ngut e sipër. U mohojmë një ekzistencë të tyren, i ndërtojmë në mënyrë që të na përshtaten ne, kuturisjeve tona, dëshirave dhe defekteve tona. Tani që e provova vetë, e di më mirë.

Kjo nuk është vetëm saga e një familjeje të pasur, por edhe saga e fajeve dhe përgjegjësive që mblidhen mbi njëra-tjetrën, si të ishin kukulla të vogla të verbra, që na lënë gjithmonë me pyetjen: “Po individi, ç’rol luan këtu?”

22      333

Fitues i Man Booker Prize në vitin 2000, “Vrasësi i verbër” është historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs dhe sekreteve të tyre. Romani fillon me vdekjen e mistershme, ndoshta vetëvrasjen, e një gruaje të re, Laura Çejs, në vitin 1945. Pas më se pesëdhjetë vjetësh, Irisi, motra që mbijetoi, kujton vdekjen misterioze të saj, fëmijërinë dhe dramat e njëpasnjëshme që kanë populluar historinë e familjes së tyre të pasur e të veçantë. Të gërshetuara me këto kujtime, të cilat Irisi vendos t’i shkruajë, gjenden kapitujt e romanit të Laurës, “Vrasësi i verbër”, i cili u botua pas vdekjes së saj dhe, njëherësh skandalizoi botën, por e bëri edhe atë të famshme. Në këtë roman, dy dashnorë të fshehtë zbavitin njëri-tjetrin me historinë e një vrasësi të verbër në një planet të largët. Këto rrëfime brenda rrëfimit, me shtresa të shumta, hap pas hapi, hedhin dritë mbi sekretet që i janë fanitur shpesh familjes Çejs. Në mbyllje të romanit, ato do të bëhen bashkë në një fund befasues e të shkëlqyer.

I vendosur në sfondin panoramik të historisë së shekullit XX, ky roman është një rrëfim epik i kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë.

Përveç Man Booker Prize, ky roman ka fituar edhe çmimin Hammet, si dhe ka qenë ndër veprat e nominuara për çmimet Governor General’s Award, Orange Prize for Fiction dhe International Dublin Award. Revista Time e ka shpallur romanin më të mirë të vitit 2000 dhe e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në Anglisht, që prej vitit 1923.

Kritika

“Rrëmbyes… i shkruar me mjeshtri… na shfaqet një rrëfimtare virtuoze.” –  New York Times

“I shkëlqyer… i pasur… Atwood-i është poete… dhe mjeshtr e trillimit; pothuajse asnjë fjali në prozën e saj të shpejtë, të thatë e megjithatë të etur, nuk dështon së bëri një punë të dobishme, duke kompletuar kështu një tablo të gjerë.” – John Updike, The New Yorker

“Rrëqethës… Lirik… Vepra e saj më ambicioze.” – The Boston Globe

“Rrëfim i madhërishëm ndër të madhërishëm… Krejtësisht magjepsës.” – The Washington Post Book World

“Atwood mund të mburret me aftësitë e saj rrëfyese; ky roman ua kalon edhe veprave të saj të mëparshme, si “Rrëfenja e shërbëtores”… ” – The Publishers Weekly

“Atwood nuk ka shkruar kurrë me kaq afsh dhe zhdërvjelltësi… një roman kaq i larmishëm që do të ngjallë interesin e të gjithëve… Brilant!” – Sunday Times

“Margaret Atwood është një nga romancieret më të shkëlqyera dhe të paparashikueshme të ditëve të sotme.” – Literary Review

“Romani i parë i mrekullueshëm i mijëvjeçarit të ri.” – Newsday

Autorja

margaret-atwood-biographyMargaret Eleanor Atwood (Ottawa, 18 nëntor 1939) është poete, shkrimtare dhe ambientaliste kanadeze. Ajo ka fituar çmimin Arthur C. Clarke, çmimin e Princit të Asturias për Letërsinë, çmimin prestigjoz Booker Prize (në të cilin ka qënë finaliste për pesë herë) pikërisht me “Vrasësi i verbër” dhe dy herë çmimin e Guvernatorit të Përgjithshëm, i cili jepet nga kryeministri kanadez.

 

Fragmente nga libri

… Kur je i ri, mendon se gjithçka që bën është njëpërdorimshme. Lëviz nga një e tashme te tjetra, duke e zhubrosur shuk kohën dhe duke e flakur tutje. Shkrihesh e bëhesh një me makinën tënde që rrëshqet me tërë shpejtësinë. Mendon se mund të çlirohesh nga gjërat, dhe nga njerëzit – mendon se i lë pas krahëve. Ende nuk ua di zakonin që kanë, për t’u kthyer…

… Përse vallë kërkojmë me kaq këmbëngulje të përkujtojmë veten? Madje e bëjmë këtë edhe në gjallje. Dëshirojmë ta theksojmë ekzistencën tonë, njëlloj siç pshurrin qentë mbi fikësit e zjarrit. I vendosim në vend të dukshëm fotografitë tona në korniza, diplomat tona në pergamenë, filxhanët e veshur në argjend; vendosim monogramet në të linjtat tona, gdhendim emrat tanë në pemë, i shkarravisim në muret e banjave publike. Gjithnjë e njëjta shtysë. Çfarë shpresojmë të marrim në këmbim? Miratim, zili, respekt? Apo thjesht vëmendje, e cilitdo lloj qoftë ajo? Më së paku duam një dëshmitar. Nuk e durojmë dot idenë që më në fund zërat tanë do të heshtin, si një radio që po i bie bateria…

… Biondet janë si minjtë e bardhë, i gjen vetëm në kafaz. Nuk do ta kishin të gjatë në natyrë. Bien shumë në sy…

pegi

Titulli: Vrasësi i verbër

Autori: Margaret Atwood

Përktheu: Agim Doksani

Zhanri: Roman

Shtëpia Botuese PEGI

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top