Gjatë zhvillimit tonë personal dhe social përballemi vazhdimisht me vuajtjen. Na frikëson dhe ngrin qenien tonë si ndjesi e fortë e të ndjerit pa reagim ose pa orientim. Por çfarë është në të vërtetë vuajtja? Si na e kanë mësuar ta ndjejmë atë? Si na e kanë mësuar t’i qëndrojmë përballë asaj? Si ndikon ajo ndjenjat, mendimet dhe sjelljen tonë?
Në shoqëri dhe kultura të ndryshme vuajtja mësohet të perceptohet dhe reagohet në mënyra të ndryshme. Nuk do humbas kohë në këtë artikull të argumentoj për kulturat e tjera, synimi është te kultura jonë.
Në mendimet e thelluara për vuajtjen shpesh më vijnë në mendje skenarë nga fëmijëria. Aty ku nisi prezantimi më i thelluar me atë. Sapo individi përballet me një rrjet më të gjerë social si familja, institucionet arsimore, aty takon dhe ndjesinë e lidhur ngushtë me vuajtjen. Ai është dështimi!
-Ti dështon se nuk ke veshjen e duhur.
-Ti dështon se nuk dukesh aq i pashëm sa tjetri.
-Ti dështon se nuk ke humor si dikush tjetër.
-Ti dështon se nuk di të sillesh me dikë tjetër.
-Ti dështon se nuk ke mendim më të zhvilluar se tjetri.
-Ti dështon se nuk ke shumë shoqe/shokë etj,.
Mund të listoj pafund argumente për dështimin, por qëllimi është diku tjetër. Sa real është ky listim?
Kultura jonë na ka mësuar të dështojmë!
Shumë nga ju që po lexoni artikullin do ngrini me të drejtë dyshimin: Çfarë do të thotë që na kanë mësuar të dështojmë? Pse? Kush është kuptimi i kësaj?
Kuptimi i kësaj është theksi që i vendoset gjatë gjithë zhvillimit tonë, por në mënyrë të gabuar, dështimit. Duke na mësuar se dështimi, dhe si rezultat vuajtja që e pason, janë negative dhe jo zhvilluese. Në fakt, e vërteta është ndryshe. Dështimi dhe vuajtja janë ndjesi që na i kanë interpretuar dhe fiksuar në mendje si negative dhe shumë të vështira për t’i menaxhuar. Ky është ILUZIONI më i madh!
Vuajtja dhe dështimi nuk ekzistojnë në vetvete. Ato na janë mësuar në formën e negatives dhe kështu na kanë penguar qoftë dhe padashur emocionet e shëndetshme, mendimin e thelluar e kritik, besimin, lirinë, marrëdhëniet e shëndetshme. Në të vërtetë nuk është vuajtja penguese, përkundrazi. Ajo është procesi më zhvillues i lirisë së qenies. Përdorimi dhe interpretimi i saj gjatë kohës së zhvillimit tonë në mënyrë të gabuar ka çorientuar hallkat e zhvillimit personal duke na bërë: obsesivë, kompulsivë, të çoroditur, paranojakë, etj,.
Kuptimi i vërtetë i vuajtjes është zhvillues nëse gjatë rritjes tonë do lejoheshim ta perceptonim atë në mënyrë të drejtë.
Cilat do ishin hallkat e kësaj mënyre të drejtë:
1-Përqendrimi në ndershmëri dhe moral dhe jo në raportin sukses/dështim
2-Përqendrimi në thellimin emocional të strukturuar dhe jo thyerjes emocionale përmes skemave fikse të ndjesive.
3-Thellimi në lirinë e të menduarit kritik dhe jo mendimeve skematike kulturore.
4-Lejimi i kuptimit të traumës dhe jo mbytja e ndjenjës përmes represionit.
5-Kuptimi i vizioneve të hapura dhe jo “uljes me këmbë në tokë”
E parë nga ky këndvështrim, vuajtja rrit vrullin tonë mental dhe e bën më kreativ subjektin e të mirës dhe të keqes. Nëse do orientohemi me kujdes drejt kuptimit të saj, perceptojmë se ajo është aq e vrullshme sa jo vetëm na zgjidh dilemat, por rrit motorin e gjithë qenies tonë në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo bën që të përballemi drejtpërdrejtë me vetveten, pa frikë, pa ndrojtje, pa paragjykim.
Na sheh në sy dhe na çon në kuptimin e mirëfilltë të raporteve jetësore dhe jo në çoroditjen që shoqëria na ofron, ku shumë shpesh vë theksin te hijëzimi ose injorimi i saj.
Për secilën nga pikat e mësipërme, vuajtja zhvillon dhe ndriçon ritmin tonë mendor dhe emocional.
Për të kuptuar se si ta bëjmë atë pjesë të ndriçimit dhe jo rraskapitjes, do theksohen në temat konkrete në artikujt në vazhdim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.