Editorial

March 31, 2018 | 9:27

Vuan nga deformimi kurrizor. Të gjithë bëhen bashkë për të kërkuar ndihmë për Dianën

Një grup nxënësish të klasës së 7-të nga shkolla 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë kontaktuan me emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24”. Ata kishin një kërkesë të thjeshtë: dëshironin të ndihmonin përmes emisionit një shoqen e tyre të klasës.

Stafi i emisioni shkoi në klasën e tyre dhe mori disa rrëfime nga ta. Shokët dhe shoqet e klasës thonë se Diana është një vajzë e qetë, e ëmbël, e dashur, e përkushtuar ndaj mësimeve.

Ata shprehen se Diana nuk mundet të qëndrojë për një kohë të gjatë në klasë vetëm 2 ose 3 orë mësimi, as nuk mund të luajë për shkak të problemeve shëndetësore që ka. Dëshira e tyre është që ajo të shërohet sa më shpejt, pasi siç thonë ata, vajza me buzëqeshjen e saj të ëmbël, dëshiron të mësojë sa më shumë por sëmundja që ka e mposht çdo ditë duke u treguar e pamëshirshme me të.
Këta nxënës, të cilët nuk janë më shumë se 13 vjeç, ndjejnë përgjegjësi e dëshirë për të ndihmuar një shoqe, madje duke lotuar thonë se duan që Diana të realizojë ëndrrat e saj të vogla dhe të mëdha.

Ardiana ose Diana siç e quajnë shkurt shokët është nga ato vajzat që përthithin vëmendjen dhe dashurinë edhe të mësuesve apo drejtuesve të shkollës.

Mësuesja e saj kujdestare Violeta Hoti, duke folur për nxënësen e saj shprehet se një fatkeqësi që i ka ndodhur i ka ngrirë buzëqeshjen papritur. Mësojmë se Diana është bërë një nënë për vëllezërit më të vegjël pasi kujdeset për ta.

“Duke ndjekur emisionin tuaj kemi parë që ndihma që u ofrohet njerëzve në nevojë është reale. Kërkojmë ndihmë dhe mbështetje nga ana juaj”, thotë mësuesja kujdestare.

Zëvendësdrejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja”, Rexhina Nikolla e përlotur flet për nxënësen, për problemin e saj shëndetësor.

“Ky problem nuk e lejon të ecë përpara”, shprehet ajo.

“Vërtet kjo histori është që shqiptarët të jenë për shqiptarët. Ne duhet të bëjmë diçka për këtë vajzë”.

Mjeku ortoped që ndjek rastin e Dianës 13 vjeç, Dr.Pashk Gjoni thotë se ajo vuan nga skolioza e kolonës vertebrale me 35 ose 36 gradë deformim. Këndi i deformimit është i madh, një korse nuk zgjidh asgjë. Mjeku rekomandon që vajza duhet të ndiqet nga ndonjë klinikë e specializuar, pasi rast i saj paraqitet i vështirë. Nëse nuk operohet vajza rrezikon seriozisht shëndetin.

Burimi / http://www.balkanweb.com

https://www.youtube.com/watch?v=FVgdZfyuZ2w

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com