Psikofakt

December 18, 2020 | 8:15

Vullneti, indikator në perceptimin e lirisë

Çdo sistem i qeverisjes demokratike mbështetet mbi parimet e konstitucionalizmit, i cili garanton liritë themelore të njeriut, ku prevalon ajo e jetës dhe e drejta e gjithsecilit për të qenë i lirë në shoqëri, e drejta për t’u shprehur në mënyrë të pacensuruar, e ndërgjegjes si legjitimitet i besimit të gjithsecilit, si dhe shumë të drejta të tjera që vijnë si parakusht i garantimit të lirisë dhe vullnetit njerëzor.

Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat
Politike, Analiste

Në këtë logjikë duhet thënë se duke filluar nga Platoni me “Mitin e shpellës” apo edhe mite të tjera filozofike, si “Miti i Sizifit”, e tejkalojnë konceptin e lirisë si një e drejtë objektive e mirëpërcaktuar dhe absolute. Këtu e drejta dhe vullneti i lirë na vjen si një koncept sa subjektiv aq edhe normativ, ku shpeshherë vullneti i lirë i një individi shkon në sinkron me atë çfarë ai ka prodhuar si liri, e po ashtu, vullneti i lirë si normativë shoqërore (hyjnore/shtetërore).

Për t’u futur në psikozën njerëzore të vullnetit/lirisë subjektive dhe asaj normative do të analizoj dy shembuj. Në një nga filmat më të famshëm të historisë së kinematografisë “The Shawshank Redemption” analizohet vullneti subjektiv dhe ai normativ të lidhura me atë çfarë ne, përgjatë jetës konceptojmë si liri. Tabloja e filmit është e vendosur në ambientet e një burgu famëkeq, në të cilin personazhi kryesor jeton dënimin për një krim të cilin nuk e ka kryer. Këtu përballemi me vullnetin normativ, atë çfarë ligji dhe institucionet shtetërore konsiderojnë si të drejtë edhe në kushtet e pafajësisë.

Në anën tjetër shohim të pasqyruar realitetin e disa të dënuarve të cilët pas 50 viteve të burgosur, luten të mos i nxjerrin nga burgu. Kjo për faktin se ata nuk njohin liri tjetër apo realitet tjetër, përveç atij të qelisë. Sepse aty kanë ndërtuar një emër, një histori, dhe jashtë kësaj qelie ata janë “askushi”. Në këtë kontekst përballemi me vullnetin apo lirinë subjektive, si e drejta e gjithsecilit për të zgjedhur me vullnet të plotë ambientin ku ata janë të lirë dhe të realizuar.

Historia ka treguar se në regjime të ndryshme politike mënyra se si ne qasemi ndaj vullnetit tonë të lirë, ndryshon. Në shoqëritë komuniste, ishte regjimi ai i cili hoqi të drejtën e ndërgjegjes, mbajti fiktivisht të drejtën e fjalës dhe të lirisë së sjelljes, por i delegjitimoi ata duke e zhveshur psikozën e shoqërisë nga ndërgjegjja e lirë. Liria në këtë kontekst, është ajo që shteti ka kornizuar si të tillë. Këtu bie poshtë vullneti i lirë dhe tejkalohet ai normativ shtetëror, duke u shndërruar në vullnetin e orientuar autoritar.

Në këtë realitet është ideologjia që nëpërmjet centralizimit prodhon vullnetin e lirë të secilit. Duke analizuar sa më lart, arrijmë të evidentojmë se konteksti historik dhe ai politik janë shumë të rëndësishëm në mënyrën se si manifestohet vullneti dhe sjellja njerëzore si dhe perceptimi real mbi lirinë. Kjo evidenton qartë rëndësinë që ka e drejta e zgjedhjes dhe aplikimi i vullnetit subjektiv apo normativ, mbi modelin dhe cilësinë e jetës së një shoqërie të tërë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top