Dëshmi

November 5, 2018 | 14:11

Ylljet Aliçka: Reformat arsimore, thembra e Akilit

Cila është thembra e Akilit në arsim? Reformat. Por padyshim, reformat nuk janë një fjalë goje. Ato ecin paralelisht me integritetin e një shoqërie, e cila krijon breza të cilët do të pasojnë të ardhmen e vendit. Për pedagogun Ylljet Aliçka, reformat mbeten një nga sfidat më të forta, proces i cili kërkon përditësimin e vazhdueshëm të mësuesit për individin e aftë, të pavarur, dhe vetëzgjidhës të përgjigjeve ku i përball jeta. Sipas tij, “sa më e maturuar të jetë një shoqëri, aq më harmonikisht e bën këtë gjë me një vizion të qartë”.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Ylljet Aliçka, shkrimtar, “Doktor i Shkencave Didaktike”, “Profesor i Asociuar”.

Fëmijët, brezi i ri, edukimi i tyre në kohët që flasim. A po shkon paralel me zhvillimin e shoqërisë që duam për të nesërmen?

Si çdo hallkë e shoqërisë shqiptare, është pasqyrë e evolucionit të krejt shoqërisë. Dhe edukimi qoftë i fëmijëve apo i të rinjve, është pasqyrë e dritëhijeve, refleksion. Këto “arritje” që ka shoqëria shqiptare, apo të mira dhe të këqija, pasqyrohen edhe në çështjet e edukimit.

Cila është kontradikta gati-gati universale e problemit të edukimit të të rinjve?

Kontradikta është e tillë që, ti do e edukosh fëmijën e ri për ta bërë të gatshëm për realitetet dhe zhvillimin e reformave ekonomike të së nesërmes, për të pasur sukses në tregun e konkurrencës, së punës, e cila përputhet me një interes të shoqërisë. Janë të lidhura me njëra-tjetrën. Shoqëria ka në interes të zhvillojë një sektor që e ka në vakum, dhe i jep prioritet atij zhvillimi, edhe një prind, ka interes ta edukojë në atë drejtim që do të ketë sukses fëmijën e tij. Kush është kontradikta? Mësuesit e sotëm, të cilët kanë mbaruar 10-15 vjet përpara, duhet të përgatiten të nxisin nxënës jo me zhvillimin e sotëm ekonomik, por me perspektivën ekonomike që i duhen Shqipërinë pas 15 vjetëve, e cila është kontradiktë shumë e madhe. Zakonisht, reforma e arsimit është shumë e rëndë, gati-gati nga më të vështirat. Është sfidë e madhe për çdo shoqëri, dhe sa më e maturuar të jetë një shoqëri, aq më harmonikisht e bën këtë gjë me një vizion.

Si doktor i shkencave didaktike, keni kritika për edukimin arsimor e shoqëror të fëmijëve?

Përvoja është e tillë që, thjesht nuk përshtatet evolucioni i shkencës së edukimit, e cila nga ana psikologjike, didaktike, pedagogjike po anon tek të nxënit, dhe jo te mësimdhënia. Pra, pesha bie mbi nxënësit. Pra, si mendon nxënësi, si thith ai, çfarë mendon, si krijon, sa i pavarur është, sa sens kritik ka, dhe ky është thelbi.

Ka një diferencë mes nxënësit të sotëm me figurën e mësuesit?

Sot evoluon më shumë familja në këndvështrimin pedagogjik dhe edukativ se sa mësimdhënia. Sepse mësuesi kërkon t’i japë prioritet mësimdhënies. Ndërsa prioriteti tashmë ka kaluar më shumë te nxënësi. Gjithë thelbi është: çfarë do të ndryshosh tek ai? Çfarë të rejash do t’i japësh atij? Si do e nxërë ai? Dhe as i aftë do jetë ta përftojë atë që do i japësh? Kjo është sfida e edukimit të sotëm. Gjithçka nis me kurrikulën, Ministrinë e Arsimit dhe strategjia është kjo, që do përgatisësh një brez të ri për Shqipërinë e nesërme, evropiane, në këto standarde. Dhe ka një distancë në këtë mes. Nuk po arrihet që formimi i mësuesit, me gjithë trajnimet, shpeshherë çdo pesë vjet të kalojnë në provime, që është masë e mirë për t’i përditësuar. Procesi është i tillë, që duhet të azhurnosh mësuesit dhe të parashikosh se çfarë individi do formosh. Sot është ajo që quhet, individi i navigimit të dijes. Pra, të jetë i aftë, i pavarur, ta gjejë vet përgjigjen.

Çfarë ndodh nëse mund të përmendim ndonjë plagë aktuale?

Ende është një drejtim, mësues-dije. Ideja duhet të jetë që të ecin të dy bashkë dhe mësuesi të shoqërojë, të jetë vigjilent dhe regjisori i ndërtimit të dijes nga nxënësi. Ta orientojë. Duhet të jetë vigjilent, me më pak ndërhyrje, por më të sofistikuara. Puna është t’i hapësh derën nxënësit që ai të ecë vetë. Është një ndryshim konceptual shumë i madh. Dhe fatkeqësisht, inercia e shkollës është shumë e madhe, që vazhdon në një drejtim. Kush janë grackat e kësaj? Një shembull i thjeshtë: Një fëmije 2-3 vjeç do i japësh një lodër. Atë mund t’ia japësh në dorë dhe të kënaqet, të shuajë kuriozitetin. Mund t’ia lësh larg, që nuk e kap dot. Po ia le larg, ai krijon mungesën e besimit, që nuk është i aftë. 

Kjo ndikon për gjithë jetën. Ideja është që t’ia japësh në atë distancë jo që të mos e kapë dot, por as t’ia japësh falas, por që ai të mobilizohet, të gjejë mënyra që të zvarritet, e ta kapi. Pra të kuptojë që po të përpiqet, e gjen zgjidhjen. Kjo është metafora e edukimit. Edhe për fëmijën e rritur, ka plot mënyra për ta aftësuar veten qoftë përmes librit, filmit, internetit, shoqërisë etj, që të krijojë besimin. Pra, duhet ta manipulosh fëmijën, “ta gënjesh” atë që ai të ndihet i zoti i vetes. Në momentin që ia jep të gatshme, ashtu do të mësohet. Puna është ta aftësosh në çfarëdolloj problemi në jetë, social, ekonomik, shkencor, që të dijë të mobilizohet e të gjejë zgjidhjen. Ta bësh të pavarur, kritik, krijues, që të hulumtojë vetë, të mobilizojë energjitë e brendshme.

Ku janë sfidat në terma konkretë?

Në qoftë se një nxënës mungon në një orë mësimi, matematikë për shembull, dhe mësuesi nuk e kishte parasysh kur ai ka munguar, nxënësi dekurajohet për diçka që s’e ka kapur, jo për faj të tij, por se ka munguar atë kohë. Mësuesi nuk ka qenë vigjilent, dhe nxënësi, kalon mësimi i parë dhe mësimi i dytë, nuk e kupton, dhe vetëviktimizohet e thotë: nuk jam për matematikë. Gjë që nuk është e vërtetë. Është faji i atij që po të adreson. Vëmendja e mësuesit jo vetëm për lëndën, por mbi të gjitha të aspektit psikologjik, qoftë të bulizmit, po bëhet thelbësore.

Ku është problematika?

Sot pedagogjia po shkon tek oborri i shkollës sesa brenda klasës. Në oborr sheh dominancën, ekuilibrin, integrimin, komunikimin në grup. Një prind është më i lumtur të dëgjojë fëmijën e tij që po shkon me qejf në shkollë se sa që të ketë suksese në nota.

Pse është gjithmonë përgjegjësia e mësuesit?

Kjo ka mundësi të zgjidhet, me pak formim të psikologjisë së mësuesit, vëmendjes dhe përkushtimit. Në çdo klasë ke nxënës aktivë, dominantë, dhe nxënës të urtë e të sjellshëm që bien viktimë. Cila është zgjidhja? Kultivo sensin e grupit. Dhe ai nxënës që është i izoluar ta ndërfutësh, që t’i marrësh më të mirën atij, që të presionojë grupin e të bëhet gradualisht pjesë e tij. Integrimi social bashkë me diversitetin të pranojë të ndryshmen brenda grupit dhe të merret ajo që ka dobi. Kjo realizohet. Mësuesi është kyçi, sa delikate janë momentet, aq ka në dorë pedagogu, apo mësuesi për të neutralizuar.

Sa angazhim kërkon e gjitha kjo?

Kriza e shoqërisë është tek edukimi. Mungon ende kultura e mësuesve për të bërë një punë më të individualizuar, për të pasur më tepër vëmendje te emocionet dhe te nxënësit dhe për ta bërë sa më shumë të pavarur dhe integruar në grup. Mund të arrihet në dy mënyra, homogjene ose në grup prej pesë vetash, që krijon integritetin dhe i liron ankthet. Do pak më tepër angazhim. Ndërgjegjësoje fëmijën që të marrë situatën e tij në dorë, sado i vogël të jetë! Bëje pjesë të problemit, aq sa i mban truri, formimi! Përgatite për të mbajtur peshën e pavarësisë e realitetit!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top