Dëshmi

June 26, 2020 | 8:06

Zangrillo: “Së shpejti do t’i heqim maskat. Një person pozitiv nuk është një person i sëmurë”

“Izolimi ka qenë efektiv, megjithëse dramatik për ekonominë. Distanca është një masë e mirë. Por nëse vazhdojmë të sillemi mirë, nëse ndjekim rregullat e higjienës, unë jam i sigurt për një gjë: në fund të muajit, të paktën jashtë, do të dalim pa maska”.

Profesori Alberto Zangrillo, 62 vjeç, në një intervistë televizive në fund të majit tha se klinikisht Covid-19 nuk ekzistonte më. Pjesa më e madhe e virologëve dhe epidemiologëve kundërshtuan mendimin e drejtorit të kujdesit intensiv të Institutit San Raffaele në Milano. Ata e akuzuan atë se kishte hedhur mesazhe mashtruese, duke nxitur lirinë e plotë.

Profesor, numrat e përditshëm raportojnë një epidemi gjithnjë e më të shpejtë. Është e drejtë?

“Pacienti i fundit që hyri në njësinë e kujdesit intensiv San Raffaele daton në 18 Prill dhe pacienti i fundit i shtruar në repartin e zakonshëm, me një simptomatologji të thjeshtë, është dhjetë ditë më parë. Këto janë të dhënat e mia dhe nëse i krahasoj me ata të kolegëve nga spitalet e tjera, rezultati është identik. Në bazë të vëzhgimit, dy muaj më parë unë tashmë e dija se diçka po ndodhte”.

Çfarë saktësisht?

“Covid-19 është ende i pranishëm, nuk ka ndryshuar, por bashkëveprimi me virusin nuk jep më sëmundje. Tamponët e fundit kanë treguar një ngarkesë virale shumë më të dobët se sa mostrat e marra një ose dy muaj më parë.”

Nuk është pak.

“Është koha për të përsëritur një gjë: një pacient pozitiv nuk është i sëmurë. Dhe numri i përditshëm i infeksioneve nuk rrit radhët e të sëmurëve, apo periudhën e rikuperimit.”

Si do ta marrin italianët këtë të vërtetë? A do ta lirojnë dorën?

“Italianët tashmë janë tmerruar mjaftueshëm dhe mbi të gjitha të painformuar. Pavarësisht kësaj ata kanë qenë në gjendje të kuptojnë: tani le t’i tregojmë si janë. Thelbësore është që ata të sillen me zellin e babait të mirë të familjes dhe të përdorin masat parandaluese”.

Ju përmendët dramën e ekonomisë: a është e krahasueshme me çmimin e paguar për sa i përket jetës së njeriut?

“Është në vartësi të sociologëve dhe historianëve për ta bërë këtë ekuacion. Tani duhet të mendojmë për të ardhmen, të gjitha provat tregojnë që ky vend mund të kthehet në një jetë normale.”

Çfarë do të ndodhë pas verës?

“Nuk është aspak e thënë që do të ketë një valë të dytë”.

Po sikur të vijë? Një muaj më parë kishte nga ata që folën për 151 mijë pacientë të mundshëm në kujdesin intensiv.

“Nuk dua të komentoj. Sidoqoftë ne tani kemi trajtimet e duhura për ta luftuar atë. Ne dimë shumë rreth virusit.”

Çfarë kemi mësuar?

“Virologët e San Raffaele të drejtuar nga Massimo Clementi kanë konstatuar se bëhet fjalë për një beta coronavirus, të së njëjtës familje si Sars dhe Mers. Megjithatë, është më pak luftarak. Faktorët mjedisorë veprojnë gjithashtu në favorin tonë: rrezet ultraviolet dhe temperaturat e larta e dobësojnë atë”.

Çfarë tjetër?

“Në grupin San Donato ne kemi zhvilluar një qasje sistemike, duke prodhuar mbi 200 vepra të lidhura me epideminë. Virologët, kardiologët, specialistët e sëmundjeve infektive kanë hyrë në të njëjtin grup, secili duke dhënë kontributin e vet.”

Rezultati?

“Disa aspekte të përsëritura lejojnë një qasje të hershme ndaj virusit, i cili prek një segment të caktuar të popullatës. Kjo kohë është vendimtare për trajtimin dhe do të jetë shumë e dobishme në rastin e një vale të dytë.”

Aspekte të përsëritura?

“Korrelacioni linear me moshën: është e vërtetë që të moshuarit janë më të rrezikuar, si dhe kardiopatët ose pacientët me kancer”.

A është ende Covid-19 një armik i padukshëm?

“Përkundrazi do të thoja tradhtar. Por ka prodhuar një gjë të mirë: kërkon që ne të riorganizojmë një sistem shëndetësor cilësisht të shkëlqyeshëm. Unë flas për shëndetin publik, natyrisht”.

 

 

Burimi / https://www.quotidiano.net/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top