Dëshmi

September 26, 2020 | 8:08

“Zemra më çoi në Kinë”, Sidorela Manaj rrëfen përvojën si mësuese anglishteje, jetën ndryshe nga Shqipëria dhe ëndrrën e bërë realitet

 

Nga Orjona Tresa

Shumë të rinj dhe të reja që kanë lënë vendin, e kanë gjetur veten shumë herë më mirë jashtë kufijve, duke iu krijuar hapësira të favorshme për të dhënë maksimumin e tyre. Për fatin e tyre të mirë por jo vetëm, me gjithë vështirësitë që mund të hasë një emigrant në dhè të huaj, të rinjtë shqiptarë kanë treguar vullnetin dhe këmbënguljen për t’ia dalë, pa hasur bërryla në meritokraci. Jo rastësisht edhe plot të rinj dhe të reja vijojnë të aplikojnë falë teknologjisë, për vende pune jashtë, arsimim dhe shpërngulje banimi, si alternativa më e mirë për të bërë jetën e tyre. Një shembull i ngjashëm është dhe ai i Sidorela Manaj nga qyteti i Vlorës, e cila ushtron profesionin e mësueses së anglishtes në një qytet në veri të Kinës.

1

E diplomuar në “Master për Mësuesi, Dega Histori” në Universitetin e Tiranës, ajo i ishte përkushtuar prejt vitesh edhe gjuhës angleze, si një gjuhë ndërkombëtare dhe shumë e rëndësishme në ditët e sotme, duke u kompletuar gjithashtu edhe me disa certifikime specifike për mësimdhënien e gjuhës angleze në vende të ndryshme të botës.

E gjendur në Shqipëri dhe e izoluar prej pandemisë Covid19, Sidorela thotë se mësimin e ka vazhduar normalisht nëpërmjet teknologjisë, duke ruajtur lidhjet me nxënësit, mësimdhënien si dhe marrëdhënien korrekte të punës me Kinën. Në pritje të rikthimit të normalitetit, të cilin ajo e quan një domosdoshmëri për shkak të mbarëvajtjes dhe funksionimit të gjërave siç duhet në një shtet të madh si Kina, Sidorela ndan me ne emocione nga përvoja e të jetuarit në shtetit aziatik, marrëdhëniet me njerëzit, stilin e jetesës, historinë, kulturën, kulinarinë, dhe gjithçka që i ka lënë mbresa dhe mezi pret të rikthehet.

6

Më rrëfyet se jeni mësuese anglishteje në Kinë. Si u gjendët ju atje, ishte shkollimi që ju mbajti aty apo diçka tjetër? 

Vendimi për të udhëtuar drejt Kinës nuk ishte i lehtë. E ndodhur mes dy ofertave shumë të mira, njëra me lokacion në Shqipëri dhe tjetra me lokacion në Kinë, ma bëri edhe më të vështirë zgjedhjen. Pasi analizova shumë gjëra, zemra më çoi në Kinë.

Nuk është thjeshtë një përvojë pune shumë e mirë apo vetëm një pagesë shumë herë më e lartë krahasuar me Shqipërinë, por një përvojë e re që do të më vlente në shumë dimensione, një jetë e dytë për mua.

Kina do të ishte një trampolinë për të njohur një kulturë drastikisht ndryshe nga e jona, një mundësi për të eksploruar  vende të reja në kontinentin aziatik, për të shijuar e testuar ushqime të reja, për të bërë miq të rinj të kombësive të ndryshme, për të parë nga afër se sa ngjajmë e sa ndryshojmë nga njëri-tjetri. Kurrë nuk do të kisha pasur shansin të shkoja përballë kësaj aventure në qoftë se do të kisha vendosur të qëndroja në shtëpi, ulur në divanin e preferuar.

Si u përshtate në Kinë?

Java e parë ishte pak e vështirë për mua, le të them se përjetova të ashtuquajturin “shok kulturor”, duke qenë se çdo gjë më dukej ndryshe nga çfarë isha mësuar të shihja. Ishte hera e parë që dilja përtej kontureve të Europës, dhe kalimi në një kulturë drastikisht të ndryshme nuk ishte aq i lehtë. Megjithatë kjo ndjesi kaloi shumë shpejt, vetë natyra ime, e cila është e hapur ndaj eksperiencave dhe zbulimeve të reja, më bëri ta kaloja me sportivitet këtë pjesë. Mbi të gjitha, jam natyrë që i shkoj një gjëje deri në fund dhe nuk më ndodh të dorëzohem për asgjë derisa të kem arritur qëllimet dhe objektivat e mia.

Një rol kyç pati edhe atmosfera shumë pozitive që më dhanë studentët gjatë kohës së mësimdhënies si dhe kolegët kinezë, të cilët m’i lehtësuan shumë gjërat në ditët e para të ardhjes sime, gjë që më bëri të përshtatesha dhe orientohesha shumë shpejt.

Sot me shumë siguri mund të them që Kina ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë.

Keni tentuar t’u mësoni fëmijëve kinezë gjuhën tuaj? 

Po, shumë herë në orët e lira, një ndër gjërat që më pëlqen të bëj është t’u mësoj fëmijëve kinezë pak nga gjuha shqipe, dhe çuditem që mund ta artikulojnë shumë mirë që me dëgjimin e parë. Shpeshherë më ndodh t’u bëj video duke folur shqip, i shpërndaj në rrjete sociale dhe marr shumë reagime pozitive nga miqtë e mi, të cilëve u duket se u pëlqen që gjuha shqipe shkon kaq larg dhe artikulohet kaq mirë.

Si ishte përshtatja me ushqimin?

Të gjithë më pyesin si ia bën me ushqimin? Shija është subjektive për çdokënd. U përshtata shumë shpejt edhe në ushqim. Kulinaria kineze ofron një pafundësi zgjedhjesh, kështu që ti zgjedh vetë se çfarë të pëlqen dhe çfarë jo. Disa prej tyre kanë një shije fantastike, aq sa do doja t’i kishim edhe ne pjesë të kulinarisë tonë. Disa të tjera jo fort të shijshme për shijet e mia. Në përgjithësi kinezët janë të fokusuar te gatimet e pasura me perime, kështu që fakti që ishin të shëndetshme më shtynin të mos e mendoja shumë gjatë. Ajo e cila nuk u përshtata dot janë ushqimet shumë djegëse, të cilat janë ushqimet e preferuara të kinezëve. Kam ndjerë shumë mungesën e bukës sonë, djathit, picave, moltove, brioshëve, kosit, bakllavasë, kadaifit. Ishte shumë e vështirë t’i gjeje në Kinë. Nëse Europa është më shumë e prirur drejt gatimeve me mish, drejt të ëmblave, drejt pijeve me gaz, dhe gjërave të ftohta… Kina, dhe në përgjithësi kontinenti aziatik është i prirur drejt perimeve, ushqimeve djegëse, aspak të ëmblave, aspak pije me gaz, por vetëm ujë i ngrohtë, pasi vetëm ai konsiderohet si mbreti i pijeve, pija më e shëndetshme, dhe çdo pije tjetër është e dëmshme. Madje edhe për çfarëdolloj problemi shëndetësor që mund të kesh, këshilla e parë që të jep mjeku kur shkon për konsultë është: Drink more hot water. Tingëllon sa qesharake, por aq edhe e vërtetë.

Po  në të ardhmen si e shikon këtë ide? 

Të them të drejtën nuk e mendoj të ardhmen në Kinë. Mendoj se Kina është një përvojë unike për të punuar disa vite, për të udhëtuar, për të parë e mësuar gjëra të reja, mirëpo jo për të jetuar gjithë jetën atje. Kemi gjëra shumë të ndryshme me ta, dhe një europian përtej çdolloj aventure apo përtej çdolloj eksperience pune do habitatin e vet, do shtëpinë e vet. Premisat e mia pas Kinës janë diku nga Europa ose Amerika.

Në cilin vend jetoni saktësisht, larg apo afër zonës ku depërtoi virusi?

Qyteti im është i lokalizuar në pjesën veriore të Kinës, ndërkohë që zona e virusit ndodhet në jug të saj. Pra, jetoj shumë larg zonës së virusit, edhe pse virusi pati përhapje në gjithë hartën e Kinës e jo vetëm.

Më tregoni pak për Kinën në kohën që flasim. Lajmet prej andej thonë se situata është e qetë, jeta vazhdon normalisht, madje dhe ajo e natës. Pandeminë duket se e kanë lënë pas. E vërtetë, çfarë mund të më rrëfeni më shumë? 

Për momentin ndodhem në Shqipëri, por me informacionet që kam nga kolegët e mi kinezë dhe shqiptarë të cilët ndodhen aktualisht atje, duket se situata e ka kaluar tashmë prej muajsh panikun. Gjendja paraqitet e mirë, njerëzit vazhdojnë jetën normalisht, sigurisht duke u kujdesur më shumë se më parë.

Keni shëtitur dhe vende të tjera ne Azi? 

Unë pata fatin që gjatë qëndrimit në Kinë të vizitoja edhe dy nga destinacionet me famë botërore, Singaporin dhe Balin. Dy vende të jashtëzakonshme, të cilat më kanë pasuruar shpirtin dhe mendjen.

Ndërkohë që kam ende vende me bukuri mahnitëse, të pazbuluara në kontinentin aziatik, të cilat mezi pres t’i vizitoj.

Po sa i takon kulturës së kujdesit, ka ndryshuar ajo me sa vini re ju atje? Çfarë keni mësuar ju vetë më shumë? 

Në veri, njerëzit janë shumë herë më të kujdesshëm me ushqimin sesa në jug. Ndaj dhe veriu ndryshe njihet si një zonë me ushqim më cilësor dhe më të shëndetshëm. Zakonisht në jug konsumohen kafshë e gjallesa të cilat nuk janë fare në shijet dhe kuzhinat veriore. Kina është një kompleks kulturash dhe traditash, secila provincë ka stilin e vet të jetesës, e cila ndryshon nga tjetra.

Sa vite u bë që ndani jetën tuaj aty dhe çfarë ka ndryshuar tek ju? Ose më mirë, cilat janë dallimet që nuk i patë të realizueshme në vendin tënd? 

U bë rreth një vit që jetova fizikisht në Kinë. Tashmë jam duke vazhduar me mësimin online derisa ta shikoj të arsyeshme për t’u kthyer prapë, gjë të cilën mezi e pres.

Si është një ditë e juaja? 

Praktikisht pasi mbaroj orarin tim zyrtar në punë, mundohem ta  shfrytëzon kohën dhe qëndrimin tim në Kinë në maksimum, kështu që jap mësim part-time edhe në institucione të tjera pas punës.

Koha që më mbetet e shfrytëzoj për ndonjë shëtitje me kolegët, duke folur me miqtë dhe familjarët në Shqipëri (të cilët ishin 6 orë mbrapa), ndonjë qendër tregtare, me përgatitjen e planit të punës për të nesërmen, e deri të përgatitja e një ushqimi të shëndetshëm për të rifituar energjitë e nevojshme nga një ditë e lodhshme. Kishte raste që mbrëmjeve u bashkohesha grupeve të kërcimit në sheshet e mëdha publike, diçka mjaft argëtuese për mua. Ndërsa fundjavat i shfrytëzoja për të eksploruar zona dhe vende të cilat nuk i kisha parë. Është një nga pasionet e mia më të mëdha dhe një nga arsyet pse ndodhesha në kontinentin aziatik.

Cili ishte stili i jetesës së kinezëve?

Në përgjithësi kinezët janë njerëz që punojnë shumë deri vonë pasdite. Pjesën pas punës ua kushtojnë ngrënieve në restorante  apo shëtitjeve në natyrë, organizimit të piknikëve me shoqërinë apo barbekjuve. Nuk janë njerëz që parapëlqejnë kafet dhe të ndenjurit gjatë në kafe. Madje mund të them se shumë të rralla janë kafet-lokalet në qytetet kineze. Ato që gumëzhijnë më shumë janë restorantet sesa kafet-lokalet.

Mbrëmjet i kanë për të ushtruar aktivitete fizike, ose kërcim në sheshet e mëdha publike. Shpeshherë bashkohesha edhe unë me ta, edhe pse kishin lëvizje shumë të sakta dhe precize sa ndonjëherë nuk e kapja dot ritmin e tyre. Por ishte shumë interesante dhe shumë argëtuese. Këtë rit kinezët e praktikonin herët në mëngjes ose mbrëmjeve, varet nga mundësia dhe koha që kishin. Shpeshherë në sheshet e mëdha organizoheshin edhe spektakël shumëngjyrësh shatërvanësh, gjë e cila grumbullonte turma të mëdha njerëzish për ta shijuar.

Evropianët, sikundër dhe ne aziatikët, (pa kontekst gjykues), i shohim më ndryshe. Po juve keni një opinion të tyrin për veten? 

Nëse je i huaj, nëse ke një fytyrë ndryshe nga ta, ata do të të shohin sikur po vjen nga një planet tjetër, plot kureshtje dhe plot çudi. Madje-madje nuk do të t’i ndajnë sytë për minuta të tëra, derisa t’ju zhdukesh nga qendra e shikimit. Janë shumë të sjellshëm me të huajt, shumë ndihmues, dhe shumë të dashur. Gjëja e parë që të kërkojnë sapo të shohin një të huaj është: A mund të bëjmë një foto bashkë?

Mos u çudit nëse shpeshherë të fotografojnë fshehurazi kur ti je duke bërë blerje në supermarket, kur je duke u hedhur një sy rrobave në qendrat tregtare, kur je duke shëtitur në rrugë apo kur je duke ngrënë në restorant. Për ta, fytyra e të huajit është e veçantë, dhe për këtë gjë ke gjithë qendrën e vëmendjes së tyre. Gjithmonë do të marrësh komplimente për sytë, për hundën, për vetullat, tipare krejt të ndryshme me të tyret e për këtë arsye tipare që tërheqin shumë vëmendjen e tyre.

Vetëm diçka ishte e vështirë me kinezët, duke qenë se shumica dërrmuese e popullsisë nuk dinë anglisht, shpeshherë më duhej të përdorja aplikacione apo gjuhën e trupit (shenjat) për t’u marrë vesh me ta në supermarket, qendra tregtare, metro, restorant, rrugë, etj.

Kur jeni atje ju merr malli për vendlindjen, si e menaxhoni këtë pjesë, kontaktet me familjarët? 

Sigurisht që kur jam në Kinë më merr malli shumë për vendin tim, për familjarët, miqtë, natyrën shqiptare, ushqimet, sidomos ato të cilat është shumë e vështirë t’i gjesh në Kinë. Megjithatë, i shfrytëzoj periudhat e gjata të pushimit për t’u kthyer në Shqipëri e për të kaluar kohë me familjarët e mi. Në të njëjtën mënyrë siç po shfrytëzoj këtë situatë në të cilën ndodhemi tani, e gjendur mes familjarëve nga njëra anë dhe e klasave online nga ana tjetër.

Çfarë ju pëlqen në Kinë dhe çfarë jo? 

Ajo çka më pëlqen në Kinë është se mund të fitosh shumë dhe të shpenzosh pak, pasi kostoja e jetesës në përgjithësi është e lirë dhe ti arrin të kursesh një shumë të konsiderueshme parash. Të ofron një teknologji telekomunikacioni shumë të shpejtë dhe të sigurt, sa mund t’i biesh Kinës anembanë. Pagesa e shërbimit të ofruar me anë të aplikacionit WeChat, i bën shumë më të lehta dhe të rehatshme blerjet e gjithçkaje. Kështu nuk do të duhet aspak ta marrësh gjithandej portofolin apo shuma parash nëpër duar,  mjafton aplikacioni në telefon.

Nëse mendoni se kuzhina kineze bazohet vetëm tek orizi, gaboheni. Kulinaria e tyre ofron shumë larmishmëri dhe gatime tepër të shijshme.

Ato çka nuk më pëlqejnë janë cilësia e ajrit, sidomos në qytetet e mëdha, barriera e gjuhës, ku nga njëra anë gjuha zyrtare Mandarin është shumë e vështirë, dhe nga ana tjetër mungesa e theksuar e anglishtes në shumicën dërrmuese të popullsisë.

Për çfarë do ta linit Kinën? 

Premisat e mia janë diku në Europë ose Amerikë. Pasi të merrja gjithë përvojën e këndshme në mësimdhënie, e pasi të ndihem e plotësuar në aspektin e të udhëtuarit e të kem parë vende mjaftueshëm në kontinentin aziatik, do të jetë koha që të shkëputem me zemrën plot nga Kina. Me saktësi, nuk mundem të ta them kur, por e di që ende nuk është koha për t’i thënë lamtumirë Kinës, se kam ende për të marrë e për të mësuar prej saj, duke qenë se është një përvojë që po e shijoj shumë.

Një mesazh nga larg për Shqipërinë tënde dhe të të gjithë atyre që ndajnë jetën jashtë kufijve të saj?

Luftoni dhe punoni fort për ëndrrat tuaja derisa t’i shihni ato të bëra realitet. Shfrytëzojini në maksimum mundësitë që ju jepen, pasi janë përvoja unike dhe kujtime që pasurojnë personalitetin tuaj. Asgjë e mirë nuk vjen nga qëndrimi komod në divanin tuaj. Të gjithë e duam komoditetin, por asgjë e mirë nuk rritet aty.

4   3

2    5

7          8

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top