Këshilla & Arsye

November 14, 2017 | 11:10

“Zemra vërtitëse”, rrëfimi i një kori me 21 zëra unikë, ku përfshihen mendimet e një brezi të tërë

Krizat ekonomike e shpirtërore dhe pasojat e tyre janë njësoj kudo, pavarësisht vendit dhe kohës në të cilën shfaqen.

Në një fshat të humbur irlandez, menjëherë pas krizës së rëndë ekonomike, fillojnë të dalin në sipërfaqe tensione të rrezikshme. Lupa zmadhuese e Donal Ryan përqendrohet në tablonë e ngjarjeve që zhvillohen rreth falimentimit të një ndërmarrjeje ndërtimi; lidhje dashurie, tradhti, raporte familjare të shkatërruara, një vrasje dhe një rrëmbim gjejnë hapësirë po aq të natyrshme sa dhe veprimet e diktuara nga dashuria, nga shpirti i solidaritetit, nga dinjiteti dhe respekti. Përmes një kori me 21 zëra unikë, ku secili rreket të rrëfejë këndvështrimin e vet të së vërtetës, na shpaloset para syve një përrallë e vetme dhe origjinale. I ndjeshëm e tepër njerëzor, ky kor arrin të artikulojë fjalët dhe mendimet e një brezi të tërë. Në të, gjithçka përshkruhet me një stil unik, të ashpër dhe të gjallë, ironik dhe gjithëpërfshirës.

“Zemra vërtitëse” ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe ka fituar The Guardian First Book Award, (2013) çmimin “Libri i Vitit” në Çmimet e Librit Irlandez; ka qenë konkurrent në Dublin IMPAC Literary Award dhe në Man Booker Prize (2013). Në vitin 2015, fitoi Çmimin Europian për Letërsinë.

Kritika

I furishëm, mallëngjyes, me një humor të zi që të bie si grusht stomakut. Stili i tij është mrekullisht i rrjedhshëm, dhe secili prej zërave të shumtë tingëllon tërësisht i vërtetë. – New York Times

Zbavitës, mallëngjyes, i shkruar në mënyrë të mrekullueshme. – Edna O’Brien

Një roman i parë i shkruar në mënyrë të përkryer. […] Ja një shkrimtar irlandez i klasit të parë! Mjeshtëria e Donal Ryan është më se e dukshme. Pavarësisht rrëfimeve që na vijnë nga zëra të ndryshëm personazhesh, nuk ndihet asnjë fije humbjeje. Edhe personazhet më periferike i shtojnë romanit ngjyra dhe themele të forta. Me një roman të shkëlqyer si “Zemra vërtitëse”, nuk ka vend për të parë më larg se e tashmja. Për Donal Ryan, e ardhmja është sot. – Sunday Indipendent

Romani i Ryan-it duket se e përvijon diskurin nga heshtjet më të thella: dëshmia e personazheve të tij tingëllon e pasur dhe e vërtetë – zbavitëse dhe joshëse, e rëndomtë dhe e jashtëzakonshme – dhe ne s’mund të rrimë pa ia vënë veshin. – The Guardian

Çuditërisht prekës… tërësisht njerëzor… një roman bashkëkohor emocionues dhe i besueshëm që rrëfen për të humburit dhe për të lënduarit… – The Irish Times

I mprehtë, intim dhe me humor të zi. – The Observer

Autori

donal-ryanDonal Ryan (1976) është një ndër shkrimtarët irlandezë bashkëkohorë më premtues. Ai ka lindur në Nenagh, në Kontenë Tipperary, në Irlandë. Ka qenë nëpunës i sektorit publik për shumë vjet. Dhe vetëm më 2014, pas suksesit që korri “Zemra vërtitëse”, romani që e shkroi gjatë mbrëmjeve të verës së 2010-ës, i është kushtuar tërësisht shkrimësisë. Romani i tij i parë u refuzua nga 47 botues derisa më në fund arriti të gjente një të tillë. Dy romanet e tij të para “Zemra vërtitëse” dhe The thing about december (që do të botohet së shpejti nga Botime Pegi) kanë arritur majat e kritikës irlandeze dhe europiane. “Zemra vërtitëse” ka fituar The Guardian First Book Award, Çmimin Europian për Letërsinë (2015), titullin “Libri i Vitit” në Çmimet e Librit Irlandez; ka qenë konkurrent në listën e shkurtër të International IMPAC Dublin Literary Award; dhe në listën e gjatë të Man Booker Prize dhe Desmond Elliott Prize. Donal Ryan është diplomuar në Universitetin e Limerick-ut. Ai jeton me bashkëshorten, Anne Marie, dhe dy fëmijët e tyre në rrethinat e Limerick City.

pegi

Titulli: Zemra vërtitëse

Autori: Donal Ryan

Përktheu: Sokol Çunga

Zhanri: Roman

Data e botimit: Nëntor, 2017

Numri i faqeve: 152

Koleksioni Mozaik

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top