Tregojnë se në një fshat, një grup personash dëfreheshin me një fshatar, një fatkeq me zgjuarsi të kufizuar, i cili jetonte duke kryer porosi të vogla apo duke kërkuar lëmoshë dhe që e mbanin për budalla.
Çdo ditë, personat e lartpërmendur e merrnin budallain në një tavolinë në klubin e fshatit dhe i tregonin dy monedha: një monedhë me përmasa të vogla, por që vlente shumë pasi qe prej argjendi dhe një monedhë prej metali të rëndomtë, me përmasa më të mëdha, e cila vlente dhjetë herë më pak. Pra, i vinin dy monedhat përpara budallait dhe i thoshin që të zgjidhte njërën. Budallai gjithmonë zgjidhte monedhën e madhe, domethënë atë që vlente më pak. Atëherë, ata qeshnin me budallallëkun e tij dhe ia falnin monedhën që zgjidhte.
Një ditë, një i huaj që e vuri re këtë lojë, pasi budallai mori monedhën dhe iku, i shkoi pas. Para se budallai të hynte në shtëpinë e vet, e kapi dhe i tha:
– A e di se monedha e vogël vlen më shumë?
– E di, – tha budallai.
– Po pse merr atë që vlen më pak?
– Sepse, po të marr të voglën, ata nuk do të luajnë më dhe unë do të ngelem pa gjë.
(E solli në shqip Bajram Karabolli)/Mbi Libra nga Agim Baçi dhe Blendi Salaj
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.