Editorial

November 6, 2015 | 11:35

Retro, …drejt përpara!

Nga Orjona Tresa

Viti kalon shpejt.

Në vrapin e jetës shpesh harrojmë disa gjëra që kanë vlerën e vet për nga rëndësia. Ato gjëra që janë aq të bukura saqë po aq arrijnë të zbukurojnë shpirtin e individit. Një vlerësim, një falje fëmijës, mëngjesin e rrëmujshëm e të shpejtë, një përqafim prindërve, të dashurve, për t’u transmetuar më shumë dashuri; një fjalë e mirë për këdo përshëndetja e pas agimit mund të japë më shumë shpresë; një buzëqeshje për më shumë paqe, fytyrave të romuzta e aspak frymëzuese rrugëve të zhurmshme qytetase. Ngarkesa e përditshmërisë kthehet ndonjëherë në vrastaren e ideve të shëndosha, në largimin nga gjërat e bukura, të vërteta, të çojnë në futjen e atij thesi të dobët mendimesh, sa të bëjnë të vuash e të humbasësh, si mes kujtimesh prishakeqe, larg ëndrrave plot shpresë.

Të gjithëve na mungon një falje, prej së cilës presim shumë, një kthesë a një qëndrim i mirëpritur që të mund të na ndryshojë gjendjen shpirtërore, një lutje pajtimi a rifitimi për hir të miqësive të vjetra; ai çasti me vlerë për të mos na mbajtur peng i gjendjeve të brishta.

Përfshihemi në vrapin e mëngjesit dhe harrojmë më të rëndësishmet. Befas ndodh diçka. Ajo është e rëndë për ty. Makthi të zë për gryke dhe ti mendon: Ku isha deri tani? Kujtimet kthehen pas. Lëndohesh, frikohesh… Ndoshta nuk ishte çasti për ta përjetuar!

Viti kalon shpejt. Çuditërisht shpejt. Fundi i tij bën retrospektivën.

2014 ishte një vit energjik, mund të konsiderohet gjithashtu i brishtë. Plot ngjarje u shënuan në kujtesën e kujtdo. Të befasueshme, të dhimbshme, ndoshta të papritura ishin ndarjet nga jeta e disa prej figurave të njohura, që nga e madhja Vaçe Zela, mjeshtri i klarinetës Laver Bariu, aktorët Besa Imami, Liza Laska e Fadil Kujofsa, akademikët Eduard Sulstarova dhe Shaban Demiraj, deri te ikjet e parakohshme të gazetares Enkeleida Skënderasi dhe këngëtarit të njohur si Dr.Flori. Kujtimi i tyre do të jetë matësi më i mirë i dëshmisë në realitet që kanë lënë pas këto figura. Fati kështu e desh, dhe ne si komb kemi me se të krenohemi. Vepra e tyre ia vlen!

Viti kalon shpejt. Mbyllet e hapet me një spektakël fishekzjarrësh.

…Dhjetori është një muaj i rëndësishëm. Krishtlindja dhe Viti i Ri janë festat që kryesojnë atmosferën e gjallë të muajit të fundit të vitit. Për disa mund të jenë stresuese, për të tjerë argëtim pafund. Jashtë mendimeve për të shpenzuar apo bërë qejfin të gjithëve nga pak, shumëkush mund ta kanalizojë qëllimin e tij. Ka periudhën e duhur për t’iu thënë JO hatërmbetjeve, inateve dhe mërive. Të përpiqemi të gjejmë kohën për t’u ndjerë më mirë me veten, duke bërë gjërat që duam, pse jo më pranë të afërmve, të falim, të gëzojmë e shijojmë festat me jehonën që ato përçojnë. Një tryezë feste nuk ka kuptim pa buzëqeshjen, gëzimin, lumturinë e njerëzve të zemrës. Pa harruar kujtimet, të cilat janë si kambanat. Pak t’i prekësh, zënë e tringëllojnë. Pa lënë mënjanë gjithçka ka shënjuar jetën tonë, të mblidhemi për të kujtuar çastet e bukura me këdo na e zbukuron urimin mes trokitjes së gotave.

Viti 2014 kaloi shpejt. Viti 2015 mund të kalojë edhe më shpejt se kaq. Koha rrjedh e pakursyer…

 

Gëzuar një përvjetor të ri, 2015, në emër të revistës “Psikologjia”!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top