Psikofakt

November 8, 2016 | 8:30

Zoti ju dhashtë!

Përpjekjet për të qenë pjesë e jetës me të gjitha zhvillimet e saj jetësore dështojnë nga një fjalë e vetme, “Faleminderit”.

DorinahOxhaMirënjohja dhe gjithë kokëçarjet përcillen me të vetmen ‘faleminderit’. Sa herë jemi fshehur pas kësaj fjale, sa herë kemi qarë e qeshur pas kësaj fjale, sa herë kemi ironizuar e jemi inatosur?!

‘Faleminderit’ që na sollët në jetë o prindër, që na treguat se edhe drita e diellit ka nevojë ta respektosh me një ‘faleminderit’, njësoj si dhe ju o mësues, që me dijen tuaj na mësuat të fshehim inatin dhe hipokrizinë pas fjalës “faleminderit’. Faleminderit që na edukuat t’i fshehim dëshirat pas kësaj fjale dhe të shtiremi se ju jemi vërtet mirënjohës.

E kush nuk është në fakt?! … Kurvat.

Kurvërimi, kjo dukuri e vjetër sa vetë jeta dhe epshi mbi tokë. Kurvat janë më të përbuzurat pas krahësh dhe më të dashura përpara pantallonave. Kurvat janë epiqendra e vetes, që rrotullohen herë për veten e herë për të tjerët njësoj si universi. Po çfarë kuptojmë me fjalën ‘Kurvë’?! … “Grua Kurvë”, “Burrë si kurvë”, “ Jetë Kurve” me pak fjalë.

Kurvë është një tipar recesiv apo i mësuar?!…

T’i thuash një femre “kurvë” a është fyese apo lavdëruese?! Në shekullin e XXI kur sheh portalet mediatike të krijohet një tjetër përfytyrim i konceptit të kurvërisë si fenomen. Portalet e mediave rozë ta shesin kurvërimin si fashion, si arritje, si karrierë, si profesion, si vlerë dhe në fund si trend. A është trendy të kurvërosh?! Nëse je femër dhe nuk ke marrë një mesazh erotik publikisht ende nga një mashkull, sipas mendësisë bashkëkohore ose je dudume ose je e sëmurë psikike.

Idhujt e rrjeteve sociale vuajnë për një koment me karakter kurvllëku, sepse kjo gjë ju nxjerr në pah anën e tyre sensuale dhe njëkohësisht shërben si katalizator për të ekuilibruar gjendjen psiko-emocionale. Të jesh kurvë, i je një shoqërie ‘mirënjohëse’ pa brenga, kurse të jesh një virgjëreshë, i je një shoqërie ‘falënderuese’ që të nëpërkëmb sikur të jesh e katapultuar nga shekulli i II pas lindjes së Krishtit. Nën rrogoz qarkullon shprehja e gjysheve: “Bëju kurvë burrit në shtrat”. Ekziston kjo mendësi popullore, që na tregon sesa të dashura janë ‘kurvat’. Ditën të jesh virgjëreshë dhe natën kurvë. Të tilla mendësi të dyzuara kanë gjeneruar kurvërinë ndër breza dhe sot kjo shprehje duket se gjen vend e kthyer përmbys: “Ditën të jesh kurvë, e natën virgjëreshë”. Hipokrizi të tilla ta shesin vlerën për antivlerë dhe vjen e brendësuar virtualisht si silikon dhe operacione plastike kinse për një kurvërim të denjë, për konkurrencë internacionale.

Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, fjala ‘Kurvëri’ përcaktohet si një dukuri e shëmtuar, kur gratë shesin trupin e tyre për të siguruar mjetet e jetesës. Më pas në fjalor shpjegohet edhe se ushtrimi i kësaj dukurie ndalohet (dënohet). Po nëse gratë i kanë të siguruara mjetet e jetesës dhe kurvërojnë sërish, si ta quajmë?! ‘Rruspije’ thotë populli, ‘Trajtim’ thonë psikologët, ‘Rehabilitim’ thonë punonjësit social, ‘Mjekim’ thonë mjekët, ‘Rrofshin’ thonë politikanët, ‘Pendim’ thonë fetarët, ‘Përbën lajm’ thonë gazetarët, ‘Analizë’ thonë publicistët, ‘Ta ligjërojmë’ thonë juristët, kurse filozofët ‘Dyshojnë’!

Nëse je kurvë ose kurvar i nënkuptuar, mos u inatos pasi të lexosh këtë artikull, sepse ti je në trend. Për pjesën tjetër që bën si kurvë ose kurvar, por që në fakt janë të purifikuar, as ju mos u plogështoni sepse jeni një thesar të vërtetash, që i manipuloni sipas dëshirës dhe kjo është vlerë. Sa për ju të gjorët puritanë, nuk kam fjalë më shumë se një ‘faleminderit’ që ju dallon nga kurvëria dhe një shprehje migjeniane: “Zoti ju dhashtë”.

*Titulli është redaksional, ndërsa titulli origjinal i këtij shkrimi është “Virgjëreshë apo kurvë?”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top