Mirëqenie

October 24, 2017 | 9:20

Ҫfarë të bëjmë kur fëmija nuk ha?

Fëmijët kanë nevojë për ushqime të përshtatshme. Mirëpo, gjatë trajektores së rritjes dhe zhvillimit, mënyra sesi ata ushqehen ndryshon dhe ndonjëherë mund të bëhet problem. Prandaj, duhet të njohim disa aspekte të rëndësishme që lidhen me ushqyerjen dhe disa mënyra si t’i ndihmojmë fëmijët.

Para lindjes, fëmija e merr ushqimin në mënyrë pasive, përmes kordonit umbelikal. Pas lindjes, ai ka nevojë që të ushqehet. Ushqyerja kërkon të paktën dy njerëz dhe një rreth familjar. Nuk mjafton thjesht që fëmija të sinjalizojë nevojat e tij, por duhet që prindërit dhe kujdestarët t’i njohin këto sinjale dhe të përgjigjen në mënyrë të përshtatshme.

eating-disorder

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Fëmija sinjalizon, prindërit përgjigjen

Një detyrë e rëndësishme në vitet e para të jetës është zhvillimi i një rregullimi autonom të brendshëm të ushqyerjes. Fëmija duhet të njohë kur është i uritur dhe kur është i ngopur, si dhe të reagojë në mënyrë të përshtatshme në të dyja rastet. Ҫelësi për këtë është zhvillimi i një sistemi komunikimi prind-foshnjë, i cili kërkon që i vogli të sinjalizojë urinë dhe ngopjen dhe i rrituri të përgjigjet në mënyrën e duhur. Kështu, prindi nxit aftësitë e reja të foshnjës dhe i mëson asaj reagime të përshtatshme ndaj këtyre sinjaleve, duke e ndihmuar të rregullojë të ngrënit, në përgjigje të urisë dhe ngopjes. Foshnja duhet të ruajë një gjendje të qetë vigjilence për ushqyerje. Nëse foshnja është shumë e irrituar ose përgjumësh, ushqyerja mund të pengohet. Prandaj, prindi duhet të punojë me foshnjën që ajo të jetë e qetë gjatë ushqyerjes.

Që në moshën dy deri në katër muaj, shumica e foshnjave bëhen më aktive.  Gjuha e trupit që sinjalizon urinë dhe ngopjen, mund të bëhet më e qartë, ndaj ndërveprimet mes foshnjës dhe prindit për procesin e ushqyerjes, rregullohen më mirë. P.sh., nëse foshnja sinjalizon prindin për urinë kur e sheh atë, parashikon se ai do ta ushqejë dhe i ndalon sinjalet.

baby-eating.jpg

Fëmija dhe prindi negociojnë së bashku

Midis moshës 6 muajshe dhe 36 muajshe, fëmijët përparojnë përmes një procesi zhvillimi që quhet “ndarje dhe individualizim”. Ata bëhen gjithnjë e më të pavarur fizikisht dhe emocionalisht. Prindi dhe fëmija duhet të negociojnë se çfarë do të futet në gojën e fëmijës. Prindi duhet të tregojë kujdes me se e ushqen fëmijën dhe nëse po i ofron ushqime sipas nevojave të tij ushqimore dhe emocionale. Nëse fëmija lëshon pak sinjale, prindi mund të bëhet konfuz dhe të përpiqet t’i kapërcejë sinjalet e fëmijës. Kjo mund të çojë në një betejë vullneti. Që në këtë fazë, mund të krijohen modele ushqyerjeje të keqpërshtatura (problematike), në varësi të karakteristikave të fëmijës dhe prindit.

“Pse fëmija im nuk ka oreks?”

Humbja e oreksit te fëmijët njihet shkencërisht. Ajo lidhet me etapa të caktuara të zhvillimit. Nga mosha një deri në tre vjeç, shumë fëmijë kanë rënie të oreksit, që njihet me termin “anoreksia fiziologjike”. Ata konsumojnë më pak ushqime, por të mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat. Familjarët, duke mos e njohur këtë dukuri, shqetësohen më tepër për sasinë, duke nënvlerësuar cilësinë. Shkaqet e rënies së oreksit lidhen me rënien e ritmeve të rritjes, diçka krejt normale. Në moshën parashkollore, shumë fëmijë kalojnë periudhën e quajtur “faza e manisë ushqimore”, gjatë së cilës preferojnë të konsumojnë vetëm disa lloje ushqimesh (për javë të tëra), por kjo nuk ndikon në gjendjen shëndetësore dhe ecurinë normale të rritjes.

“A ka fëmija im një çrregullim të ngrëni?”

Rreth 25 për qind e fëmijëve me zhvillim tipik dhe mbi 80 për qind e atyre me vonesa në zhvillim, kanë probleme në ushqyerje. Dy manualet ndërkombëtare: Manuali i Ҫrregullimeve Mendore (DSM-V) dhe Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve (ICD-10) japin kriteret për diagnostikimin e Ҫrregullimeve në të Ngrënë. Mirëpo, diagnostikimi i një çrregullimi të tillë në fëmijëri është i vështirë, pasi pesha trupore e fëmijës dhe kërkesat për vlera ushqimore ndryshojnë me rritjen.

Kriteri kryesor për vendosjen e diagnozës është “dështimi i vazhduar për të ngrënë në mënyrë të përshtatshme” për shkak të të cilit, fëmija nuk shton dot peshë ose ka rënie në peshë për të paktën një muaj. Ky shqetësim nuk vjen për shkak të problemeve gastrointenstinale ose një problemi tjetër shëndetësor. Po ashtu, ai nuk shpjegohet më mirë nga një rregullim tjetër mendor (p.sh. Ҫrregullimi i ripërtypjes) ose nga mungesa e ushqimit. Simptomat duhet të kenë filluar para moshës 6 vjeç.

Si vlerësohet gjendja e fëmijës?

Vlerësimi i fëmijës bëhet nga një ekip multidisiplinar, ku secili nga anëtarët ofron ekspertizën për të shpjeguar funksionet e dëmtuara. Ekipi duhet të përfshijë: një psikiatër ose një psikolog klinik, të cilët vlerësojnë zhvillimin e fëmijës, karakteristikat e prindërve (statusin e tyre mendor, sistemin e atashimit dhe temperamentin) dhe vëzhgojnë ndërveprimet prind-fëmijë. Anëtarë të tjerë të ekipit janë: pediatri, që vlerëson shëndetin fizik të fëmijës; dietologu, që vlerëson gjatësinë, peshën, perimetrin e kokës, sasinë e ushqimit dhe statusin ushqimor; një patolog i gjuhës/të folurit dhe një terapist okupacional, për vlerësimin e zhvillimit oral-motor të foshnjës. Ekipi i profesionistëve mund të përcaktojë shkakun e çrregullimit ose problemit në të ngrënë, si dhe mënyrën e trajtimit.

Pse duhet të veprojmë shpejt?

Problemet e të ngrënit ose çrregullimet e të ngrënit janë të rrezikshme te fëmijët e vegjël, pasi ato mund të përkeqësohen. Shpesh, ato lidhen me emocionet dhe jo me ushqimin. Ndryshimet në sjelljen ushqimore mund të jenë një sinjal që fëmija po përjeton probleme emocionale, sociale ose zhvillimore. Shpesh, çrregulllimet e të ngrënit zhvillohen si një mënyrë me anë të së cilës fëmija kontrollon jetën e tij.

family eatin

Këshilla praktike për prindërit dhe kujdestarët

Prindërit dhe kujdestarët luajnë një rol me rëndësi në modelimin e qëndrimeve të shëndetshme ndaj ushqimit. Disa udhëzime për t’u praktikuar në shtëpi:

  • Përpiquni të mos i etiketoni ushqimet si “të mira” dhe “të këqija”, pasi kjo mund të krijojë te fëmija ndjenja turpi dhe faji.
  • Mos e përdorni ushqimin si ndëshkim ose shpërblim.
  • Pranoni se fëmijët kanë zakone të ndryshme të të ngrënit nga të rriturit. Ata mund të kenë nevojë për ushqim më shpesh gjatë ditës ose për ditë me radhë, të pëlqejnë (ose të mos pëlqejnë) një lloj ushqimi.
  • Fëmijët mësojnë përmes shembujve: mos i kapërceni vaktet dhe mos i kufizoni ushqimet.
  • Inkurajojeni fëmijën të shprehë ndjenjat lirshëm dhe komunikoni hapur në shtëpi.
  • Lejojeni fëmijën të hajë kur është i uritur dhe të ndalojë kur është i ngopur: mos e detyroni të hajë gjithçka që ka në pjatë.
  • Mos e kritikoni fëmijën për paraqitjen dhe mos bëni krahasime me fëmijët e tjerë.
  • Shtoni ushtrimet dhe sportet.
  • Nëse jeni të shqetësuar për fëmijën, pasi ai refuzon shumë ushqime, konsultohuni me mjekun pediatër.

Ju duhet të kërkoni menjëherë ndihmë, nëse dyshoni se fëmija shfaq shenja të një çrregullimi të të ngrënit. Identifikimi dhe ndërhyrja e shpejtë janë vendimtare, pasi fëmijët janë më të rrezikuar nga efektet e problemeve në të ngrënë, krahasuar me të rriturit. Flisni me një mjek ose një psikolog dhe ata do t’ju ndihmojnë për vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijës suaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top