Në fokus

October 10, 2017 | 9:42

10 Tetori, Dita Botërore e Shëndetit Mendor

Në jetë, çdo individ i rritur një pjesë të madhe të kohës e kalon në punë. Eksperienca e secilit në punë përbën një faktor determinant në mirëqenien e përgjithshme. Punëdhënësit dhe menaxherët duhet t’u japin jetë iniciativave të cilat mbështesin shëndetin mendor në punë, dhe të mbështesin punonjësit të cilët kanë probleme të shëndetit mendor, duke i ndihmuar ata jo vetëm të përmirësojnë shëndetin e tyre, por njëkohësisht të rritin produktivitetin në punë.

1

Një mjedis pune negativ, nga ana tjetër, mund të shkaktojë probleme fizike dhe psikologjike, përdorim të dëmshëm të substancave dhe të alkoolit, tërheqje dhe rënie të produktivitetit.

 

Depresioni dhe çrregullimet e ankthit janë problemet më të zakonshme të shëndetit mendor, të cilat kanë impakt në mundësinë e secilit për të punuar, dhe vlerësohet se ulin 5 herë produktivitetin në punë. Në rang global, më shumë se 300 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, një shkak që i çon në paaftësi. Më shumë se 260 milionë jetojnë me çrregullime të ankthit. Shumë prej tyre jetojnë me të dyja problemet. Një studim i kohëve të fundit i OBSH-së, vlerëson se depresioni dhe çrregullimet e ankthit i kushtojnë ekonomisë globale 1 trilion $ amerikanë çdo vit si humbje e prodhimtarisë. Në Europë vlerësohet se kosto vjetore e depresionit në raport me vendin e punës është 617 bilionë euro në vit, të cilat llogaritin mungesat, rënien e prodhimtarisë, koston e kujdesit shëndetësor dhe koston e kujdesit shoqëror (në formën e përfitimeve për shkak të paaftësisë).

 

Dita Botërore e Shëndetit Mendor organizohet çdo 10 tetor, me objektiv të përgjithshëm rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me problemet e shëndetit mendor dhe mobilizimin e përpjekjeve në mbështetje të një shëndeti mendor më të mirë. Slogani këtij viti është Shëndeti mendor në punë.

 

Lidhja ndërmjet stresit në vendin e punës dhe problemeve në shëndetin mendor është e mirëstabilizuar. Nga studimet e ILO-së (Organizata Ndërkombëtare e Punës) rezulton se stresi i lidhur me punën ka një kosto të madhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtëpërdrejtë.

 

Proceset kompetitive në nivel global i kanë transformuar organizatat e punës, marrëdhëniet e punës dhe modelet e punësimit, duke kontribuar në rritjen e stresit të lidhur me punën, si dhe problemet e tjera të shëndetit mendor.

 

Punët që kërkojnë komunikim të vazhdueshëm dhe nivele të larta të konkurencës, kanë bërë që vija ndarëse jetë-punë të jetë gjithmonë e më vështirë për t’u identifikuar. Shpesh herë, në ditët e sotme është shumë e vështirë të arrihet një balancë e përshtatshme ndërmjet punës dhe jetës private.

 

Në shumë vende, si pasojë e krizës ekonomike, shumë sipërmarrës reduktojnë aktivitetin në mënyrë që t’i mbijetojnë konkurencës. Kjo përfshin shtim të ristrukturimit, largim të punonjësve, papunësi, varfëri dhe përjashtim social.

 

Këto praktika në punë njihen edhe si “rreziqe psikosociale”. Në vendin e punës ato shkatojnë rritjen e konkurencës, pritshmëri më të larta të përformancës, punë më intensive, orë më të gjatë dhe të parregullta në punë, kërkesa më të larta të lidhura me punën, pasiguri në punë dhe zvogëlim të mundësive të punësimit. Duke shtuar në disa raste frikën e humbjes së punës, rënien e motivimit në staf, rënien e kreativitetit dhe stabilitetit financiar, të gjitha këto mund të rezultojnë me pasoja serioze për shëndetin mendor dhe mirëqenien e punonjësve.

 

Është vlerësuar se një në katër individë do të përballet me probleme të shëndetit mendor, paragjykim e diskriminim, të cilat janë barriera domethënëse të individit drejt zhvillimit të dinjitetit. Të respektosh dinjitetin e secilit do të thotë që çdo individ të konsiderohet si i tillë edhe në punë. Në shumë vende, në fakt, mungojnë vizione të qarta lidhur me shëndetin mendor në punë. Kështu që është momenti të nisë diskutimi lidhur me përkufizimin e praktikave më të mira në promovimin e shëndetit mendor në punë, dhe krijimin e një bashkëpunimi për promovimin e shëndetit mendor dhe dinjitetit për të gjithë.

 

Nga ana tjetër, shumica e individëve me probleme të shëndetit mendor janë të papunë, dhe pjesa më e madhe e tyre shprehin gadishmërinë për t’u punësuar.

 

Masat që mund të merren për uljen stresit në punë:

 

Fokusi i vazhdueshëm. Vihet re se ka një rritje të sensibilizimit lidhur me çështje të tilla. Në shumë vende, politikëbërësit dhe partnerët socialë janë përfshirë në ndërhyrje konkrete për trajtimin e rreziqeve psikosociale, të cilat shkaktojnë edhe stresin në punë. Është e rëndësishme të ketë energji në fushatat për rritjen e ndërgjegjësimit dhe në përfshirjen e rrjeteve të profesionistëve në këto fushata.

  1. Parandalimi. Mbrojtja e shëndetit mendor të punonjësve ka impakt më të madh nëse përqendrohet në strategjitë e parandalimit. Është shumë e rëndësishme të menaxhohen pasojat e stresit në punë duke kombinuar masat kolektive dhe individuale.
  2. Përfshirja. Mundësi më të mëdha për përfshirjen në vendimmarrje lidhet me një kënaqësi më të madhe dhe zhvillim të vetëvlerësimit. Në terma afatgjata, sadopak autonomi në kryerjen e detyrave është shumë të dobishme për kënaqësinë në punë dhe rritjen e produktivitetit. Pjesëmarrja në vendimmarrje në punë moderon efektet e rreziqeve psikosociale.
  3. Menaxhimi. Një sistem menaxhimi i përshtatshëm do të siguronte përfshirjen e praktikave të promovimit të shëndetit mendor.
  4. Kultura organizative. ILO vlerëson rëndësinë e mjedisit social në formimin e sjelljeve në punë dhe në vlerësimin e tyre; programet e burimeve njerëzore luajnë rol të rëndësishëm në vendosjen e marrëdhënieve të bazuara në besim, vërtetësi dhe partneritet. Sot, në shumë vende punonjësit po përballen me presion të shtuar për t’iu përgjigjur kërkesave të punës në kohët moderne./ishp.gov.al
To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com