FB

February 26, 2022 | 8:08

“Bërtisja shumë!”- 7 baballarë ndajnë pendesat e tyre më të mëdha si prindër

 

Të flasësh për prindërimin, nuk është edhe aq e thjeshtë. Nëse dikush pohon se nuk është penduar gjatë gjithë jetës së tij si prind, duket se nuk është edhe aq i vërtetë. Ose të paktën, të ketë ndjerë keqardhje një herë të vetme për situata opo ngjarje të caktuara. Dikush do të donte të kishte bërtitur më pak; një tjetër, do të donte t’i kishte dhënë vetes më shumë pushim etj.

dad-regrets-header

Ja se si shprehen disa baballarë në lidhje me këtë temë:

Do të doja të isha më konstruktiv kur flisja me fëmijët e mi

“Fjalët e para nga goja ime ishin gjithmonë “Kujdes”. Unë mendoj se kjo frazë është shumë e përdorur. E kuptoj pse e thonë prindërit. Fëmijët duhet të jenë të vetëdijshëm për atë që po bëjnë dhe është detyra e prindërve që ta mbrojnë. Ndiej se duhej të isha më konstruktiv. “Mbajeni atë gotë më fort në duar” në vend që të thoni “Jo, jo, jo, ki kujdes”. – Kevin, 37, Teksas

 

Do të doja të isha më konsistent

“Fëmijët kanë nevojë për qëndrueshmëri, e dini? Dhe për mua ishte vërtet e vështirë. Më mungonte vetëbesimi, gjë që më bënte disi të ndjeshëm ndaj mënyrave se si fëmijët e mi reagonin kundrejt meje. Ndonjëherë isha babai argëtues, herë tjetër isha babai i rreptë”. – Taylor, 44, Kaliforni

 

Do të doja të kisha një interes më aktiv në obsesionet e fëmijës tim

“Djali im ishte shumë i interesuar për Pokemon kur ishte rreth 10 vjeç. Dhe ishte shumë i emocionuar për ta ndarë atë me këdo që do ta dëgjonte. Unë isha shumë i pa interesuar për këto ‘lojra fëmijësh’. Nuk kisha nevojë të bëhesha ekspert i Pokemonit, por ndonjëherë mendoj se si fytyra e djalit tim do të ndriçohej nëse do t’i kërkoja të më mësonte se si të luaja, ose të më shpjegonte personazhe të ndryshme”. – Al, 44, Pensilvani

 

Do të doja të stërvitesha më shumë përpara se të kisha fëmijë

“Nuk e dija që mirëqenia ime fizike do të kishte një ndikim të madh në rolin tim si prind. Kur vajza jonë sëmurej, unë përpiqesha të rrija zgjuar, të flija dhe të zgjohesha shpeshherë gjatë natës. Ishte fizikisht e lodhshme dhe shumë më rraskapitëse se ç’duhej të ishte. Duhet të jesh në formë për të pasur një fëmijë”.– Jeff, 38, Nju Xhersi

 

Do të doja të mos i gjykoja aq shumë prindërit e tjerë

“Para se të kisha fëmijë, unë përqeshja prindërit e tjerë, sa herë që shihja një fëmijë të padisiplinuar në publik. Mërzitesha dhe mendoja: ‘Fëmija im nuk do të sillej kurrë kështu.’ Sigurisht që jo, apo jo? Do të bëhesha prindi i përsosur dhe do të rrisja fëmijën e përsosur. Dua t’i kërkoj sinqerisht falje çdo prindi për gjykimet që kam bërë. Para se të kisha fëmijë, nuk e dija çdo të thoshte ajo fjalë. Natyrisht, kisha shumë për të mësuar”. – K.J., 39, Kolorado

 

Do të doja të thoja “Të dua” më shpesh

“Është e thjeshtë: do të doja të thoja, që të dua më shpesh. Unë vij nga një familje që nuk shprehte shumë dashuri nga jashtë. Prindërit e mi ishin njerëz të mrekullueshëm dhe e shprehnin dashurinë në një mënyrë tjetër, por ata nuk më thanë kurrë se më donin. Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, mezi ua tregoja. Nuk ishte pjesë e fjalorit tim. Nuk e kuptova derisa vajza ime më pyeti përse nuk i thashë se e doja. Pra, shprehni dashurinë me veprime, por edhe me fjalë”. – Liam, 34 vjeç, Karolina e Veriut

 

Do të doja të mos bërtisja aq shumë

“Unë bërtisja shumë dhe acarohesha për gjënë më të vogël. Mbaj mend që fëmijët shpeshherë friksoheshin. Isha aq i shqetësuar për shëndetin tim mendor, saqë bërtisja në vend që të shpjegoja apo sugjeroja. Nuk duhej të isha aq impulsiv. Kjo gjë ndikoi në marrëdhëniet me fëmijët e mi, por punova për një kohë të gjatë për ta rregulluar atë.” – Jake, 49, Massachusetts

 

Pëgatiti K.I / Burimi fatherly.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top