FB

February 26, 2022 | 8:10

Dr. Shkëlqim Hoxha, Doktori i zemrave!

Ka njerëz që vënë zemrën e tyre në gjithçka bëjnë. Ata njihen nga shkëlqimi në sy, nga buzëqeshja me mirësi dhe dashuria që vënë në çdo gjest. Janë ata persona që janë gjithmonë të gatshëm të të ngrohin zemrën dhe të dhurojnë buzëqeshje në çaste të trishta. Dhe janë të gatshëm për të ndriçuar ditët tona të errëta. Kjo dritë brenda vetes i bën ata gjithmonë e më shumë madhështorë. Ata nuk dinë të tërhiqen para dikujt që ka nevojë për ndihmën e tyre dhe shpresojnë që ta kenë shansin e një takimi me njerëz të tillë.

Nga Orjona TRESA | Foto: Ibrahim YENGINER

Fati, arsyeja, bindja, vetë rëndësia për jetën, vazhdimësinë, e solli që dhe Ai të ishte një prej tyre. Sepse “të vizatosh” në zemrat e njerëzve lumturinë nuk është një aftësi që shumëkush e ka. Rëndësia e kësaj vlere është instinkti më i fortë dhe i çmuar thoshte Çarls Darvin. E në këtë rrugëtim të udhëhequr profesional, tanimë ai e di se para se të jetë mjeku i zemrës, duhet të jetë shërues shpirtëror i saj.

Specialistin kardiovaskular Shkëlqim Hoxha e takojmë në Tiranë, në ardhjen e tij të programuar për vizita dhe intervenime kardiovaskulare që lidhen me problematikat që ai kuron. I duruar, i qetë, optimist, shpresëdhënës, kërkon të japë maksimumin e tij si profesionist. Mendjen e ka në Shqipëri, vendlindjen e tij. Sepse rezidenca e tij zyrtare prej vitesh është jashtë kufijve. Gjithçka ka arritur deri më sot dëshiron ta implementojë edhe këtu, si një shans për të gjithë shqiptarët që kanë probleme me sëmundjet kardiovaskulare. Sepse ai vjen me teori e praktika të panjohura më parë, sigurisht. Dhe një vërejtje me vend sipas mjekut kardiovaskular është ajo që shumë njerëz ndjekin drejtim të gabuar të sëmundjes, pa kuruar atë që kanë realisht nevojë.

I larguar në moshë të hershme në Turqi, Doktor Shkëlqimi kreu shkollimin turk në ciklin e mesëm, atë të lartë për mjekësi në fushën e kardiologjisë si dhe specializime të pafundme si specialist invaziv kardiovaskular. Aktualisht punon në një spital privat në Turqi, ku zbulon se falë teknologjisë dhe risive të fushës, regjistron arritje me saktësi 100%. Të njëjtën gjë e ofron edhe në Shqipëri, ku pse jo në një të ardhme të afërt, do të vijë të japë kontributin e tij konkret jo më me kohë të pjesshme por si i atashuar me kohë të plotë në shërbim të pacientëve shqiptarë.

Emocionet e bisedës me të po jua përcjellim përmes kësaj interviste, e cila i shkon vërtet për shtat një mjeku zemrash, por dhe zemërmirë siç ka emërtimin e tij Doktor Shkëlqimi. Gjithçka mbi problematikat kardiovaskulare, shenjat, shkaktarët, ndërhyrjet sipas protokolleve të fundit të mjekësisë pa dhimbje dhe plagë, rehabilitimin e shpejtë dhe mbi të gjitha, rritjen e mirëqenies, vetëbesimit dhe motivimit për jetën.

Përvoja juaj në mjekësi njeh një rrugëtim të gjatë në Turqi, ndërsa prej disa kohësh jepni kontributin tuaj edhe në Shqipëri. Për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për ju, cili është profili juaj si mjek?

Unë jam diplomuar si kardiolog invaziv në vitin 2012 në Universitetin Erciyes, ku kemi pasur spitalin e zemrës prej 120 shtretër dhe që ishte qendra universitare që diagnostikonim dhe kuronim pacientë të rënduar, që i përgjigjeshin një popullate prej 2.5 milion banorë të qytetit Kayseri si edhe qyteteve përreth dhe më pas përveç procedurave kardiake kam qenë i fokusuar edhe në procedurat invazive periferike (hapjen e arterieve karotide, të ekstremiteteve të larta dhe poshtme dhe trajtimin e këmbëve diabetike), (stentime për Sindromën Vena Cava Superior dhe Iliake si edhe për kurimin e VARIÇEVE me metodat bashkëkohore “Pa Bisturi” me rezultate të plota dhe shëndet te pacientët që më kanë besuar për shumë vite. Kështu që specialist invaziv kardiovaskular (zemër+ arteriet periferike+sistemi venoz).

Sistemi më i rëndësishëm në trupin e njeriut theksoni ju, është sistemi kardiovaskular, trinomi zemër-arterie-venë. Çfarë do të thotë konkretisht?

Është sistemi kryesor në trupin tonë, ku në qendër ka zemrën, e cila pompon gjakun (deri në 100.000 rrahje në ditë), nëpërmjet tubave që quhen arterie, ai hapet në të gjithë trupin, duke shpërndarë oksigjenin, ushqimin dhe elementet kimike, të nevojshme për qelizat, dhe kthehet në zemër nëpërmjet sistemit venoz. Ky sistem është vetë Jeta!

Ndiheni i plotfuqishëm në këtë fushë? Sa janë shanset të rikthehet normaliteti në pacientët që nuk dinë për sistemin kardiovaskular dhe shërimin prej tij?

Po, sepse përkrah studimeve të larta kam marrë pjesë në kurse dhe konferenca ndërkombëtare të organizuara në Turqi dhe Evropë në lidhje me trajtimet me bashkëkohore të sëmundjeve kardiovaskulare. Dhe kur çdo pacient diagnostikohet dhe kurohet specifikisht, shanset janë tepër të larta dhe shëndeti nuk është rastësi.

Cilat janë shenjat dalluese që sjellin ngadalësimin e këtij procesi fizik?

Sëmundjet kardiake: dhimbje ose shtrëngime në kraharor, vështirësi në frymëmarrje nën ndikimin e streseve fizike apo psikologjike. Veçoria kryesore e kësaj dhembjeje është dhembja shtrënguese, që zakonisht lokalizohet në qendër të gjoksit, në mes të kraharorit dhe shpeshherë përhapet në krahun e majtë, shpinë, midis shpatullave. Është një dhembje që shfaqet në sforcim, në lëvizje, fillimisht. Nëse kjo dhembje shfaqet edhe në qetësi, atëherë situata është më e rëndë, dhe ndonjëherë dhembja mund të shfaqet edhe si mbytje në grykë apo si shtrëngim i nofullës së poshtme, dhe shumica e pacientëve drejtohen për tek dentisti.

Simptomat iskemike të damarëve të trurit: mpirje e një ane të fytyrës deri te mos kontrollimi i krahut dhe të rënit pa ndjenja. Dhimbje e këmbëve kur ecin me hapa të shpejtë (kladikasio): tregues që arteriet që ushqejnë këmbët kanë probleme serioze; ngushtim të theksuar ose bllokim total. Bashkëngjitur me këtë dua të theksoj se shumë ekstremitete të tilla nëse nuk trajtohen menjëherë ose sa më shpejtë që jepet mundësia arrijnë deri në amputim (prerje kirurgjikale). Një ndërhyrje, të cilën e kryejmë në sallën e anzhiografisë, duke përdorur guida, ballona dhe stenta të posaçme, në kohën e duhur jo vetëm e çliron pacientin nga shqetësimet, por i siguron dhe gjymtyrën e vet.

Këmba diabetike, që vjen si pasojë e diabetit të pakontrolluar, dhe shfaq shqetësime të ndryshme, që fillojnë me mos ndjenjën e tyre deri tek gangrena; por edhe këto realizohen me sukses të plotë. Humbja e koshiencës, edhe pse mund të ketë disa faktorë, një prej tyre është zemra që nuk arrin të krijojë ritmin e saj ose ka probleme ritmike atëherë këto probleme i realizojmë duke implatuar bateri të sofistikuar sipas kërkesës së zemrës.

Dhe problemet e fundit që dua të flas janë ato të variceve, qofshin këto të brendshme apo të varikozuara; dhe simptomat e tyre të para janë: dhimbje, djegie dhe pickime në këmbë, kur përqendrohen në këmbë pa lëvizje, dhe këto shqetësime dhe probleme venoze realizohen me sukses të plotë duke përdorur metodat bashkëkohore invazive venoze pa bisturi; ku mjafton vetëm 2 orë pas procedurave dhe pacientët janë në gjendje të lëvizin lirshëm, pa dhimbje dhe të largohen të shëndetshëm.

Cilat janë metodat që njehson shkenca? Janë të dhimbshme, është nevoja t’i nënshtrohemi operacionit klasik kirurgjikal?

Kur para 15 vjetësh operacionet kirurgjikale ishin opsionet e vetme, tani ato janë minimalizuar vetëm për raste të veçanta. Dhe paralelisht me zhvillimet shkencore kanë evoluar edhe metodat bashkëkohore të cilat filluan me lazer pastaj akoma me radiofrekuencë dhe së fundi me ngjitje të një agjenti specifik, dhe etj.

Ndër rastet më të lehta dhe ekstreme, si procedohet? Ka një hartë të personalizuar për këdo?

Në mjekësi ne kemi një shprehje: Nuk ka sëmundje por ka pacientë. Dhe duke u nisur nga kjo, çdo plan trajtimi personalizohet me pacientin dhe vetëm atëherë kur përkushtohemi dhe personalizojmë çështjen shëndetësore, atëherë suksesi është vetëm çështje kohe. Ne si specialistë invazivë kardivaskularë kemi arritur që të gjitha testet si edhe mjetet ndihmëse t’i përdorim në mënyrë perfekte. Kështu që le të marrin një rast për variçe: Pas vizitës vazhdohet me përdorimin e Eko Dopplerit dhe vizatohet harta e venave problematike të cilat duhen eliminuar. Kjo është një kërkesë që bëhet për mjekët që merren me këtë fushë, të jenë të aftë për t’i realizuar topografinë e venave në mënyrë perfekte dhe të dinë të gërshetojnë metodat e ndryshme për të marrë përfundimet më të suksesshme.

Sa i prekshëm është suksesi? Mund të themi 100%?

Nëse realizohet si më lart me kurim të plotë, pothuajse 100% të rasteve.

Sa ndikojnë traumat sociale në shëndetin kardiovaskular?

Në konstatimin tim: niveli social dhe kulturor ka të bëjë shumë, pasi stresin mund ta radhis të parin si faktor, i cili jo vetëm ndikon të tashmen por edhe të ardhmen. Pastaj, po i njëjti faktor nismëtar i konsumimit të duhanit dhe substancave të tjera tepër të dëmshme.

Cilat janë vështirësitë që ju hasni si mjek, duke iu kthyer territorit shqiptar, rasteve të konstatuara? Cilët janë shkaktarët?

Në përgjithësi mund të them se jam i kënaqur kur vizitoj, diagnostikoj dhe kuroj pacientë të vendit tim, por jo të tërë kanë mundësi për të marrë një shërbim të lartë.

A ka nevojë për profilin tuaj si mjek kardiovaskular në vendin tonë dhe a parashikoni në një të ardhme të zhvendoseni?

Ky profil është më i kërkuar më shumë se kurdoherë pasi mosha mesatare e njerëzve mbarë botën është rritur mbi 15 vjet e lart dhe sistemi kardiovaskular është i infektuar nga arteroskleroza që deri dikur mund të parandalohet por me moshimin e njerëzve bëhet i pashmangshëm. Më shumë se kurrë këtë e vërteton edhe fakti që shumë pacientë që më kanë ardhur janë ata që nuk u kanë dhënë asnjë shpresë për shëndetin e tyre.

Dua t’ju tregoj për një zotëri që e kurova para 2 muajsh, i cili kishte lodhje dhe shtrëngime në kraharor, dhimbje të këmbëve kur ecte, që ishin shtuar brenda 10 vjetëve dhe i kishin thënë se nuk ka asnjë kurim, (bllokım i arterieve të këmbëve) dhimbje kur qëndronte në këmbë (probleme të theksuar të venave varikoze), mbajtje frymëmarrjeje kur ecte (eko:dobësim të theksuar të zemrës). Pasi dëgjoj shqetësimet, shikoj EKG-në (test që tregon ritmin, si gjendjen e zemrës indirekte) bëj Eko-n e Zemrës dhe konstatoj dobësimin e saj të theksuar si pasojë e një infarkti të dikurshëm të patrajtuar, pastaj vazhdoj me Echo Doppler për arteriet e këmbëve të cilat ishin të bllokuara si edhe venat e varikozuara në grade të agravuar.

Në fillim bëjmë anzhion koronare dhe periferike, kur në të njëjtën seancë zemra u rehatua, duke implantuar 3 stenta të medikuara. Pas 5 ditësh ndërhyrjeje për varicet, dhe mbas 2 orëve pacienti qëndronte dhe ecte duke buzëqeshur. Dhe, pas 4 ditëve të tjera realizuam hapjen e damarëve të këmbëve që ishin të bllokuara prej 10 vjetëve, ecje e lirë pa limit. Brenda 10 ditëve të tëra problemet u kuruan me sukses të plotë.

Ka një hezitim në fakt në Shqipëri në lidhje me besueshmërinë ndaj mjekut. Çfarë i frenon njerëzit sipas këndvështrimit tuaj?

Problemi është se mjekët janë të detyruar të vazhdojnë edukimin e tyre me kurse dhe me pjesëmarrje të eventeve shkencore, sepse mjekësia evoluon, shkenca dhe metodat bashkëkohore po ashtu. Pra, kur dikush ka një fundjavë për qetësim dhe plane personale, një mjek është duke studiuar, ndjekur leksione ose publikuar.

Si është raporti juaj me pacientët? Nisur dhe nga shembujt tuaj në rrugëtimin profesional, si duhet parë pacienti?

Kur nisa studimet e para, në klasën e parë në mjekësi, thënia e dekanit tonë ishte: Mirë se erdhët të dashur mjekë, dhe prej tani e tutje ju duhet të jeni shembull Hipokrati për veten tuaj dhe për shoqërinë. Dhe studimet s’kanë të bëjnë me kurimin e pacientëve, por me nënën, babanë, gjyshin, gjyshen, motrën, vëllanë, bashkëshorten ose të dashurën e një kolegu tuaj diku në një vend tjetër. Dhe këto janë përmendur disa herë kur kishim raste tepër të vështira në fillim.

Komunikimi me pacientin, kjo është e para?

Po, është pjesa kryesore për mendimin tim. Një pacient nuk shpjegohet dot ose e ka tepër të vështirë nëse nuk krijohet lidhja e “Shenjtë” me mjekun. Dhe nëse simptomat shpjegohen siç ndihen, mjekut i mbetet vetëm të vendosë diagnozën. Pacienti duhet trajtuar si njeriu juaj më i afërt, sikur e keni njohur më parë dhe sikur do të ishte i afërmi juaj.

A është pikë e fortë e juaja komunikimi?

Në përgjithësi sa herë që mbaroj vizitën, nëse më tepron kohë, patjetër që kam dëshirë për të njohur pacientët, sepse përveç suksesit në mjekësi na duhet edhe njohja e jetës jashtëspitalore që të jemi pjesë e jetës sociale.

Ka një hezitim në fakt në Shqipëri në lidhje me besuesh mërinë ndaj mjekut. Çfarë i frenon njerëzit?

Mund të jenë disa faktorë të ndryshëm, por ne duhet të jemi ata që duhet ta zgjidhim këtë problem, duke komunikuar me kolegët, duke i respektuar dhe duke i dhënë ndihmë çdokujt në këtë udhëtim profesional.

Kush janë më të mirë, pacientët turq apo shqiptarë?

Atje jam edukuar dhe kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime dhe kam mendime pozitive, kurse tani jam duke njohur pacientët shqiptarë, të cilët më bëjnë përshtypje për dijet e tyre në përgjithësi, që e bën më të lehtë për komunikim.

Ju zhvilloni karrierën tuaj me qendër në një spital privat në Turqi. Çfarë ju mban lidhur me shtetin turk?

Efekti që ka qenë vendi ku unë jam diplomuar dhe kaluar jetën time profesionale dhe sociale. Atje e kam gjetur veten të mirëpritur dhe të respektuar prej fillimit deri tani.

Si funksionon vlerësimi përveç pagesës, është ky tipar që mungon në Shqipëri? Çfarë mendoni se duhet përmirësuar?

Nuk kam dijeni ekzakte për pagesat në sistemin shtetëror, por në atë privat e shikoj të arsyeshëm.

Kujt i jeni mirënjohës? (në Turqi) Cilët janë shembujt që ju kanë udhëhequr dhe shprehni konsideratë edhe pse sot mund të jeni kolegë?

Konsideratë për të tërë pedagogët që kanë kontribuar tek unë, por në veçanti ish-pedagogun tim në mjekësi si edhe shefin e katedrës së kardiologjisë Prof. Dr. Abdurrahman Oğuzhan për bisedën që kryem para se të kaloja për specializim, dhe më ndihmoi në çdo sfidë të mëvonshme; Për edukimin tim specifikisht në Aritmi dhe Implantim të Baterive të Zemrës, Prof. Dr. Namık Kemal Eryol.

Ka ndikuar familja në zgjedhjen tuaj profesionale?

Po, ka qenë edhe analiza dhe dëshira madhe e babait tim kur e kam pyetur se më duhet të zgjedh diçka që të kem mundësi të bëj mirë kur dhe ku të dua. “Atëherë mjekësia është ajo që do t’i përmbushë ëndrrat bir”, ishin fjalët e tij. Dhe kështu filloi një udhëtim.

Cili është rasti më i vështirë që keni trajtuar, e që mund të cilësohet si suksesi i jetës?

Mund të kemi shumë raste, por njërin doja ta veçoja. Kur isha Kardiolog invaziv (call on duty) në spital privat në Antalya, në orën 05:30 më merr në telefon një kolege kardiologe nga spitali shtetëror dhe më thotë: I kam bërë të tëra përpjekjet e mia për ta përcjellë më lart, por asnjë nuk ma ka pranuar dhe e shikoj që po të zgjoj, por kam qenë në dilemë pasi kemi një pacient 44-vjeçar që i ndaloi zemra para 40 minutave dhe mbasi e intubuam jemi duke i bërë masazh kardiak, por akoma nuk po ia dalim. (këto janë raste tepër të rralla dhe me një përqindje suksesi pothuajse negative). Por mosha e tij më bëri të telefonoja. Sa e dëgjova pa asnjë mëdyshje thashë, atëherë niseni menjëherë dhe vetëm vazhdoni pa ndalim masazhin kardiak. Menjëherë ekipi u thirr dhe pritëm pacientin që e shoqëronte ambulanca në urgjencën e spitalit tonë. Nuk më harrohet shikimi dhe fjalia e vetme e vajzës së tij, “të lutem babin!” Dhe vazhdojmë proceduren anzhiografike duke vazhduar masazhin kardiak pa ndalim, i cili tashmë po bënte 60 minuta. Dhe sa realizojmë hapjen dhe implantimin me stenta të dedikuara, damarin kryesor të zemrës.

Përgjigjja pozitive e zemrës erdhi mbasi e shokuam me defibrilator, pasi kishte edhe aritmi vdekjeprurëse. E gjithë procedura mbaroi për 25 minuta me pacientin tonë, duke e shoqëruar në reanimacion, ku u mirëmbajt për 2 ditë. Kur e vizituam pas ekstubimit dhe pasi i erdhi ndërgjegjja e pjesshme, e pyesnim për vendndodhjen: “mundet të jem në spital”; Kur e pyesja kush është kjo zonjë (bashkëshorten e vet), “nuk e di” më thoshte dhe i trazuar në mendje.

Pastaj e pyeta, pse ajo i qëndronte afër? “Nuk di gjë, as unë s’e kuptoj” ma ktheu. Atëherë i thashë, nëse edhe ti e pëlqen, kjo zonjë do të martohet me ty, (dhe kemi qeshur si ekip) kurse pacienti vetëm qeshi i turpëruar. Kurse jo shumë, por pas 4 ditësh ata nisen të gëzuar si familje. Dhe vajza e tij, që ishte në një moshë me vajzën time, erdhi dhe më përqafoi duke falenderuar.

Çfarë do të thotë të kthesh besimin emocional te pacienti? Sa shërojnë emocionet pozitive që fal mjeku?

Për mua është çelësi i shëndetit.

Vlerësoni bamirësinë, çfarë është për ju, pse ka nevojë kaq shumë shoqëria, sidomos ajo shqiptare?

Bamirësia është ajo që e çon shoqërinë përpara, përveç se ka efekte shumë pozitive, akoma më shumë për shoqërinë shqiptare, ajo është jetike në këto kohëra tranzicionesh politike, sociale dhe shëndetësore.

Një mesazh në këtë fillim viti!

Kujdes me zemrat tuaja! Ju uroj shëndet kudo që të jeni, vlerësoni familjet, shoqërinë dhe njerëzit që ju rrethojnë!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top