Pika referimi

January 5, 2016 | 14:39

103 vite, sa Shumë Pak!

eljan taniniNga Eljan Tanini

Nuk ndihem qytetar i këtij shteti. Nuk më pëlqen të jem as edhe qytetar i ndonjë shteti tjetër për ndonjë punë dokumentash apo interesash. Por të paktën ato dokumenta duket sikur të japin lirinë.

Të jem qytetar në këtë shtet nuk më bën të ndihem mirë, as më intereson ngjyra e flamurit, gjë që është e barabartë me nacionalizma të tjera boshe. Unë nuk jam dhe nuk dua të jem bashkëqytetar me të tjerë, thjesht mund të jem vendosur këtu fare rastësisht. Këtë vend ma zgjodhën të tjerë, nuk e kam zgjedhur unë. Jam vetëm bir i tokës, në të cilën mund të varrosem ku të dua, prej të cilës unë jam krijuar.

Pasaporta ime e kuqe me disa theksime ngjyrë floriri nuk është identiteti im, unë nuk jam ai që dukem në pasaportë. Thjesht janë disa formalizma të kota për të krijuar një shtet. Një shtet që ka kohë që rri në koma tranzicioni, që edhe emrin si qytetar i këtij shteti do të desha ta ndërroja. Të shpikja një tjetër shtet… Shteti më jep vetëm kufij. Këtu shumë luftojnë për ngjyrat e flamurit, duke menduar se ai për ne është më i bukuri në botë. Kur vjen puna për ndeshje të mëdha futbolli, mbushim stadiumin plot me tifozë huliganë, edhe me një flamur të stërmadh. Brohorasim rrugëve të kryeqytetit me buri makinash dhe çirremi me zë për ngjyrën e kombëtares sonë. Kështu duket sikur shlyen inatet e popujve nga e shkuara.

Kemi edhe festa kombëtare. Për to nuk jemi fort në rregull, i festojmë sa për t’u dukur së bashku me politikanët tanë, apo na pëlqen të mblidhemi me të vërtetë! Ne nuk e varim flamurin tonë kombëtar çdo të diel në dritaret tona, ashtu siç e bëjnë shtete të tjera.

Kohët e fundit diçka ka ndryshuar rreth vënies së flamurit në çdo dritare, por edhe kjo është shumë pak, nuk është flamuri ai që tregon dashurinë për vendin ku jeton. Rrallëherë e shoh flamurin kombëtar të vendosur diku në ndonjë dhomë të këtyre identiteteve, sado i vogël të jetë ky flamur. Asnjëherë nuk e shoh aktin e shpalljes së pavarësisë të varur në ndonjë dhomë apo pranë flamurit, ose heroit kombëtar. Ky i fundit sikur është pak më i shpeshtë, edhe nëse e donin Enverin, e hoqën, tani kemi Skënderin. Ne shqiptarët vazhdojmë të pimë qumësht me bidonë Coca-Cola, veshim dhe zhveshim rroba gabi, turke apo kineze, mbizotërohemi nga një fast-food që rëndësi ka të na shijojë, së shpejti edhe ushqime gjenetikisht të modifikuara, ne ende pëlqejmë të kopjojmë në injorancë çdo gjë të huaj dhe ta përshtatim me dëshirë të madhe si tonën, i hapim flamujt e botës sa mundim. Kopjojmë art, muzikë apo pikturë, për ta bërë si tonën, por nuk kuptojmë se vendosim me dëshirë globalizmin si një vend ende i varfër. Flasim për “ok”, sepse kështu na pëlqen për më shkurt, tregojmë se jemi gjoja më shumë të qytetëruar.

E ruajmë shumë keq të shkuarën. Më mirë do të thosha, se dimë dhe duam ta ruajmë keq me dëshirë atë.

Nuk e lejojmë që ajo të shkatërrohet nga koha, por jemi ne të parët për ta bërë këtë duke ia hedhur fajin kohës. Kemi shumë raste dhe fakte të freskëta edhe mbi kombin, ndër to janë pavarësia e Kosovës në lidhje me shqiptarizmën, por edhe kulturë i thënshin gjeopolitikës së organizimit të festivalit Europian. Nga njëra anë kemi Kosovën, që është një eksperiment i gjallë i globalizmit shtet në politikë. Shikoni flamurin e saj, a nuk ka ngjyrë blu si flamuri Europian dhe ai Amerikan? A nuk ka yje të bardhë si amerikani, apo edhe fushë kufijsh të verdhë si yjet e Europianit? Ja një agregat, ndoshta edhe klonim, por nuk mund të piqen kushtet për t’u rritur klonimi,më jep pavarësinë dhe me mua bëj ç’të duash! I vetmi mendim që duhet të dalë në pah, jashtë këtyre komplekseve të vjetra historike është që ta lëmë tashmë mënjanë ëndrrën e plakur për bashkimin e madh.

E për çfarë na duhet sot ne shqiptarëve bashkimi kombëtar, përveçse i përket një paaftësie të gjatë të globalizmit të kombit. Për ta braktisur atë, tashmë do të na duhet një mendësi më lart për t’u bashkuar në Bashkimin Europian; gjë të cilën do të duhet ta fusim më mirë në tru, të nxjerrim jashtë nacionalizma boshe. Nëse siç thuhet përçarazi, se Maqedonia do të ndahet, gjë që s’ka për të ndodhur kurrë, apo Kosova do të bashkohet me ne, është e vërtetë që flasim të njëjtën gjuhë e kemi të njëjtat tradita, por si shqiptarizmë jemi shumë larg njëri-tjetrit në një mendësi fjalësh apo edhe bote. Sepse tek ne si dhe tek ata, nuk e marrim vesh, kush është i trashë apo i civilizuar, më shumë shqiptar europian, kosovar shqiptar, kosovar serb, kosovar europian, kosovar e shqiptar turk, shqiptaro-maqedonas, shqiptaro-maqedonas-sllav…

Kaq shpejt e harruam ëndrrën ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa… ?!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top