Diversiteti është një nga pasuritë më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore. Dallimet në kulturë, gjuhë, përkatësi etnike, besime, tradita dhe mënyra të të menduarit nuk duhet të perceptohen si kërcënim, por si mundësi për zhvillim, bashkëpunim dhe pasurim të përvojës njerëzore.

16 Nëntori njihet si Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, dhe na kujton atë që, diversiteti nuk na dobëson. Përkundrazi, na jep mundësinë të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe më njerëzore. Nga këndvështrimi i psikologjisë sociale, paragjykimi, racizmi dhe diskriminimi lindin dhe përforcohen shpesh nga stereotipet, frika ndaj së panjohurës dhe tendenca për të ndarë njerëzit në grupe të ndryshme, duke favorizuar grupin të cilit i përkasim. Këto mekanizma mund të krijojnë distancë, mosbesim dhe përjashtim social. Psikologu Gordon Allport, në veprën e tij “The Nature of Prejudice” (1954), argumentoi se kontakti pozitiv ndërmjet individëve që u përkasin grupeve të ndryshme mund të ndihmojë në reduktimin e paragjykimeve, veçanërisht kur mbështetet në barazi, bashkëpunim dhe objektiva të përbashkëta.
Racizmi, diskriminimi dhe ksenofobia nuk dëmtojnë vetëm individët që janë objekt i tyre. Ato cenojnë edhe mirëqenien psikologjike, ndjenjën e sigurisë, përkatësinë dhe besimin ndërmjet njerëzve.
Toleranca, megjithatë, nuk nënkupton indiferencë ndaj padrejtësisë dhe as pranimin pasiv të diskriminimit. Ajo nënkupton respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtave dhe lirive themelore të çdo individi. Kjo kërkon që secili prej nesh të marrë përgjegjësi: të sfidojë informacionet e rreme dhe stereotipet, të mos përhapë gjuhë urrejtjeje, të mbështesë personat që bëhen objekt i diskriminimit dhe të raportojë përmbajtjet e dëmshme në internet.
Mesazhi është i qartë: Diversiteti është forcë, jo kërcënim. Toleranca është respekt, jo thjesht bashkëjetesë. Dhe përgjegjësia për një botë pa urrejtje fillon nga secili prej nesh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

