Në fokus

October 10, 2017 | 9:39

“3 gjëra që mësova kur fillova të dua veten”

self-love

Sot është data 10 tetor. Dita Botërore e Shëndetit Mendor. A e dini se një në katër njerëz në botë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor gjatë jetës së tyre? Nëse ju nuk jeni një nga ata, mund të jetë njëri prej anëtarëve të familjes suaj. Ose partneri juaj. Ose miku apo mikesha juaj. Një kushëri a një i njohur. Askush prej nesh nuk është i imunizuar. Ky shkrim nuk përkon pa arsye me këtë ditë të shënuar. Sot, të gjithë profesionistët e shëndetit dhe shëndetit mendor, apelojnë në emër të jetës. Ndaj unë vendosa t’ju tregoj pak nga njëra anë e medaljes: çfarë mund të ndodhë kur del nga errësira e mendjes dhe fillon të duash veten vërtet.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Fare thjesht, do t’ju tregoj sesi dashuria për veten më transformoi jetën. Do ta bëj e motivuar nga dëshira për të ndarë dhe shumëfishuar të mirën. E di që ky transformim mund të ketë ndodhur me disa prej jush. Kjo më lumturon (madje, dua të njoh sa më shumë nga ata që po e jetojnë këtë transformim). Ndërsa për ata që nuk ka ndodhur ende, uroj që të ndodhë sa më shpejt.

Ju mund të pyesni: Pa prit, ti mendon se ne nuk e duam veten? Unë nuk kam përgjigje për këtë. Përgjigjen e ka secili prej jush në mendjen dhe në zemrën e tij. Nëse e pyesni veten tani, jam gati e sigurt se ajo mund t’ua prishë qejfin. Sepse vetja nuk është e njëjtë çdo ditë. Vetja është në ndryshim. Bie, ngrihet, bie përsëri, ringrihet…

Po sqaroj si fillim se, të duash veten nuk do të thotë të jesh egoist. E di që ka shumë njerëz që bezdisen nga dashuria e njerëzve për veten. Ky është problemi i tyre. Me ata, mund të merremi një herë tjetër. Pra, të duash veten nuk është egoizëm. Përkundrazi. Kur duam veten, duam edhe të tjerët. Kujtoni ndonjë ditë kur jeni ngritur me dëshirë në mëngjes dhe ju ka pëlqyer vetja në pasqyrë: si u janë dukur njerëzit kur keni dalë në rrugë? Më të bukur, me siguri. Tani kujtoni një ditë tjetër, ndoshta me shi, kur mund të jeni ngritur pa pikën e dëshirës dhe vetja ju është dukur e lodhur, që pa nisur dita. Njerëzit? Më pak të bukur, në mos, të shëmtuar e të mërzitshëm. Kjo na ndodh të gjithëve dhe nuk ka nevojë për shkencë.

Ka shumë histori njerëzish, jeta e të cilëve ka ndryshuar kur kanë filluar të duan veten. Ka shumë libra motivues dhe mësime njerëzish të mençur, që përpiqen të na e kultivojnë këtë lloj dashurie. Historia është përplot me shembuj të tillë. Për shembull, mua, që në moshë shumë të vogël, më kanë frymëzuar historitë e Biblës; në adoleshencë, kam admiruar Madonën dhe në universitet, jam mahnitur prej Gandit dhe Viktor Frankl. Secili prej jush mund të sjellë ndërmend “idhujt” ose “modelet” e tij gjatë viteve.

Por le të ecim përpara tek tre gjërat… 

Çfarë ndodhi kur fillova të dua veten?

Së pari, mësova të njoh dhe të pranoj të shkuarën.  

Shumicën e kohës, ne mendojmë shumë për gjërat që na kanë ndodhur në të shkuarën. Sidomos, kur e shkuara jonë është shenjuar nga ngjarje të dhimbshme, si humbje dhe ndarje. Këto na e vështirësojnë jetën. Ndonjëherë, kanë fuqinë edhe ta shtrembërojnë vijën e jetës. Mirëpo, kur fillojmë dhe merremi seriozisht me përpunimin e së shkuarës, në mënyrë sistematike dhe me disiplinë, atëherë mësojmë shumë prej saj. Shumë njerëz e ndërmarrin këtë detyrë për muaj ose vite me radhë. Për mua, dy nga vendet më të sigurta për të përpunuar të shkuarën është psikoterapia dhe meditimi.

Së dyti, mësova të rri në të tashmen dhe të mos shqetësohem për të shkuarën dhe të ardhmen.

Sa prej nesh mund t’ia dalin mbanë të rrinë për pak minuta në nivelin “tani dhe këtu”, pa menduar për ngjarje që kanë ndodhur ose për ngjarje që mund të ndodhin? Shumica e njerëzve janë të mbërthyer nga “grepi i së shkuarës” ose turbullohen nga “erërat e së ardhmes”. Kjo e bën të vështirë qëndrimin në të tashmen. Dhe të qëndrosh në të tashmen, të shijosh çastin, atë që ke dhe atë që je, pa u shqetësuar për atë që ka shkuar dhe as për atë që do të vijë, kërkon përgatitje dhe aftësi që shpesh i tejkalojnë aftësitë e shumicës së njerëzve.

Së treti, mësova t’i pranoj dhe t’i dua njerëzit që takova në rrugën time.

Gjatë jetës, ne njohim njerëz të ndryshëm. Disa prej tyre qëndrojnë shumë pak, por mund të na lënë gjurmë në kujtesë. Disa të tjerë qëndrojnë më gjatë, por jetesa pranë tyre ose me ta, mund të jetë si një breshkë e ngathët që i ngjan një pune të mërzitshme në zyrë. Ka edhe nga ata njerëz, prania e të cilëve i ngjan një mrekullie dhe që ne i duam shpesh pa arsye “logjike” – dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për dashurinë në çift, por për dashurinë për disa njerëz që shpesh e tejkalon kufijtë e njerëzores. Por kur fillon të duash veten, ti kupton se shumica e njerëzve janë të ngjashëm me ty (ndoshta gjithë njerëzimi është i ngjashëm me ty). Ti kupton se njerëzit kanë më shumë të përbashkëta, sesa dallime: kanë një trup fizik dhe një shpirt vital, pavarësisht dallimeve në trup dhe besimeve në shpirt. Ti kupton se këto dallime janë shtrembërime që njerëzit kanë pësuar gjatë shekujve, por se në thelb, ata janë shumë të ngjashëm. Dhe kur kupton të gjitha këto, atëherë fillon t’i duash dhe t’i pranosh njerëzit, sepse te ata sheh shëmbëllimin tënd.

Mua këto tre gjëra më mësoi dashuria për veten, por jam e sigurt se do të më mësojë shumë më shumë. Shpresoj të njëjtën gjë edhe për ju. Sepse, në fund të fundit, mund të mos jemi aq të ndryshëm sa dukemi.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com