A është e mundur që të mposhtni ndrojtjen? Para se të lexoni këshillat e mëposhtme, është e udhës që të nisni nga një pyetje: çfarë është ndrojtja? Mund ta përcaktojmë ndrojtjen si një shqetësim në ndërveprimet sociale, ku njerëzit kanë tendencën t’i evitojnë ato situata që mund ta vënë në siklet dhe kështu ndaj një situate ankthi dhe mendimesh negative për veten…
Mos u përqëndroni në aspektet tuaja negative. Është pothuajse e pamundur që të mos ekzistojë asnjë aspekt negativ te një njeri, ndaj, me siguri edhe ju e keni një të tillë. Mirë, përqendrohuni mbi atë! Është e kotë të stërmundoheni mbi gjërat që nuk dini t’i bëni (ose besoni se nuk dini). Kjo sjellje nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të aktivizojë një seri mendimesh negative për veten tuaj, si një rreth vicioz, nga i cili është e vështirë të dilni. Bëni një listë të gjërave pozitive të personalitetit tuaj dhe shfrytëzojini në maksimum në momentin kur ndjeni se po ju kaplon ankthi.
Takoni njerëz të rinj. Përsosmëria nuk ekziston, ndaj është e kotë të pretendoni nga vetja se do t’i pëlqeni domosdoshmërisht të gjithëve. Të qenit të hapur ndaj njohjeve të reja është e rëndësishme, sepse eksperimentoni veten në situata të reja, njihni pjesë të vetes që më parë i injoronit dhe do të mund të kuptoni cilësinë e marrëdhënieve që doni ose nuk doni për veten tuaj. Ndaj, mundohuni të njihni njerëz të rinj, të cilët mund të jenë të ndryshëm nga ju dhe nga personat që keni frekuentuar më parë. Dhe mos harroni se tjetri jo gjithmonë është aty për t’ju gjykuar!
Përballuni me situata që ju vënë në siklet. Është e kotë që t’i evitoni situatat që ju japin siklet dhe ankth. Është më frytdhënëse të përballeni me to! Bëni një listë të situatave sociale, të cilave u trembeni më shumë dhe përballuni me to, duke filluar me ato më të thjeshtat për të kaluar më pas te situatat më të vështira.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 167
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.