Mirëqenie

May 28, 2016 | 7:04

3 ushtrime për të gjetur kënaqësinë në kuzhinë

Mungesa e kohës dhe stimulit mund të na kufizojnë kreativitetin në kuzhinë. Një ekspert sugjeron disa pista për të rizbuluar fantazinë mbi furnelë. “Dy vite më parë pata bërë një kurs kuzhine. Veçse u argëtova gjatë leksioneve, mësova të përgatis pjatat e para e të dyta shumë oreksndjellëse, – tregon Ada, 32 vjeç. – Por me t’iu futur punë sime si ekonomiste në një bankë, angazhimet më janë shtuar aq shumë, sa nuk gjej kohë për t’u marrë me gatimin”. Aranita, 38 vjeç, kryekuzhiniere në një restorant, pohon se ka një mungesë të theksuar dëshire për të gatuar kur shkon në shtëpi: “Tim shoq e kam joshur me pjatat e mia të preferuara. Kurse tani ndihen në faj se nuk përgatis më asgjë për të. Por nuk bëhet fjalë për shpërfillje ndaj tij”. Koha e paktë në dispozicion bën që të humbasë kënaqësia e të gatuarit. “Ushqimi, si dhe seksi, siguron mbijetesën e qenies dhe dhuron kënaqësi të tjera, – pohon Elisabetta Virginia Marinucci, psikologe në Milano. – Të gatuash është një mënyrë e kujdesit ndaj të tjerëve dhe shpreh kreativitet, përmirëson autonominë dhe është një mënyrë për të shkëputur vëmendjen nga mendimet negative. Akoma më shumë, të përgatisësh pjata bashkë me të tjerët (partnerin, një mik, një prind…) lehtëson komunikimin”. Si t’i gjejmë stimujt e nevojshëm për të pasur kënaqësinë e të gatuarit?

Ushtrimi i parë

Braktisni nxitimin

Jeta frenetike mund të na çojë në mungesën e interesit edhe në lidhje me ushqimin, për pasojë edhe për përgatitjen e tij. Të përpiqesh të (ri)zbulosh kënaqësinë në tavolinë, mund të jetë një hap i parë për të gjetur stimuj për t’iu (ri)futur punës me entuziazëm. Përpiquni të ndryshoni disa zakone të ushqyerjes dhe jepini vetes kohën e nevojshme për të shijuar me qetësi. Mendoni që, ushqimi është energji dhe ju ndihmon ta përballoni më mirë ditën. Provoni ta imagjinoni përgatitjen e ushqimeve. Çfarë përbërësish do të kishit zgjedhur? Me kë do ta kishit ndarë?

Ushtrimi i dytë

Kushtojini kohë përbërësve

Duhet bërë kujdes, sidomos nëse dëshironi të ushqeheni me gjëra të shëndetshme për mendjen dhe trupin. Prandaj, jepini kohë zgjedhjes së përbërësve që mund të përmirësojnë gjendjen tuaj psikofizike. Kur shkoni në dyqan, mos mendoni se thjesht po bëni pazarin, por se po i kushtoni kujdes vetes dhe kujt do të konsumojë së bashku me ju ushqimet. Shmangni ushqimet proteinike, preferoni perimet, mishin e bardhë dhe peshkun. Me t’u kthyer në shtëpi, vini një muzikë stimuluese për fantazinë tuaj dhe jepini hapësirë kreativitetit tek ndizni furnelën.

Ushtrimi i tretë

Hapësirë fantazisë

Provoni të mendoni një të diel që jeni në shtëpi, së bashku me partnerin ose fëmijët. Përfytyroni, për shembull, të gjithë së bashku në kuzhinë duke përgatitur një tortë. Është një mënyrë për t’u ushqyer jo vetëm me atë që jeni duke përgatitur, por edhe me kujtimin e një momenti të këndshëm të kaluar me njerëzit që doni.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top