Mirëqenie

May 28, 2016 | 8:07

Majlinda Laska: Tavolina duhet të ketë dashuri dhe shije

Si artiste e skenës, nuk tregohet aspak egoiste kur prezantohet potencialisht me vokalin dhe performancën e saj. Sepse arti është pjesë e pandarë e jetës dhe përditshmërisë së sopranos, ashtu siç është edhe çështja e të gatuarit për të. Duket se Majlinda arrin t’i bashkërendojë shumë mirë të dyja: artin në skenë dhe atë në këndin e kuzhinës së shtëpisë, çka e bëjnë një zonjë të kompletuar. Sopranoja Majlinda Laska thekson se të gatuarit i ka shërbyer gjithmonë në funksion të gjendjes së saj shpirtërore dhe pjesëtarëve të familjes. Ajo e konsideron jo vetëm nevojë fiziologjike për të mbushur stomakun, por edhe një mënyrë efikase për të shkarkuar ngarkesat e ditës. Gatimi është një terapi intensive, e përditshme, të ndryshon gjendjen dhe të përmirëson humorin. “Kuzhina është art. Të bën të mendosh ndryshe. Më pëlqen të gatuaj dhe të vlerësohem për atë që krijoj. Tavolina duhet të ketë dashuri dhe shije, pasi i konsideroj si përbërësit kyç në raportin e veçantë që krijohet mes meje, vajzave dhe tim shoqi”, – pohon 46-vjeçarja. Kujdesi i tepruar është një nga ato etapa që Majlinda e jep pa kursim! Shpesh preferon që një pjesë të mirë të përbërësve apo të pjatës ta përgatisë edhe në darkë, teksa të nesërmen i jep formën përfundimtare një pjate të shijshme dhe të kuruar nga ana estetike. Mënyra e servirjes shpesh shërben si aperitiv, i nevojshëm për të hapur oreksin dhe për të shijuar deri në thërrmijën e fundit recetën e përgatitur. E të kombinuara në mënyrën e duhur, këto e shndërrojnë Majlindën në kuzhinieren e preferuar të familjes Laska. “Jam praktike, por jo e pavëmendshme ndaj detajeve. Nuk lë asnjë recetë pa eksploruar, në funksion të ndryshimit të shijes. Duke bashkëpunuar me vajzat e mia, sidomos me Megin, vajzën e madhe, ua kam trashëguar dëshirën për të gatuar edhe atyre, çka qartëson edhe më fort marrëdhënien e veçantë që unë kam me gatimin”, vijon ajo. Mënyra e shtrimit të tavolinës është po kaq e rëndësishme sa edhe përmbajtja e pjatës së servirur. Lugët, pirunët, pecetat e gotat janë elementët që e pasurojnë tryezën, por që haptazi dëshmojnë se gjithçkaje i është kushtuar vëmendja e duhur. “Më pëlqen që shpeshherë të kombinoj edhe ngjyrat e pjatave me atë të mbulesës, apo të krijoj një larmi nuancash që të ndryshojnë gjendjen emocionale dhe të theksojnë ushqimin e servirur. Jam maniake pas materialeve të mira, por jo të shtrenjta, sepse për mua cilësia është goxha e rëndësishme”. Në fakt, ashtu siç edhe në çdo gjë tjetër që rrethon jetën e saj. Nuk ka vetëm ushqime dhe cilësi! Ka edhe erëza pikante apo salca të shijshme, që nuk mungojnë asnjëherë në gatimet e Majlindës, e cila ka zbuluar tek to magjinë e transformimit të shijes. Dhe këtë efekt nuk e jep çdo produkt ushqimor i zakonshëm. I përdor kryesisht tek makaronat, por edhe tek gatimet e tjera tradicionale shqiptare. Të gatuarit përditë nuk e konsideron si një veprim mekanik që karakterizon çdo amvisë të zakonshme apo çdo zonjë shtëpie. Nuk është as detyrim familjar, apo nevojë për t’u shërbyer pjesëtarëve të familjes. Është më tepër se dëshirë, për sa kohë që Majlindës kjo nuk i ka ardhur në majë të hundës.

2

Psikologji Dhjetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top