FB

May 30, 2022 | 8:00

8 arsye pse duhet të kesh një mik sarkastik

Sarkazma është një gjuhë që vetëm disa njerëz janë në gjendje që ta kuptojnë. Sidoqoftë, është një gjuhë që është e mbushur me shumë ndershmëri, gëzim, komedi, humor dhe intelekt. Ja sepse, kur ndodh që të keni mundësinë të njihni një person të mirë, i cili flet një gjuhë të rrjedhshme sarkazme, duhet me çdo kusht që mos ta humbisni mundësinë për t’u bërë miq të ngushtë.

Çdokush është i lirë që të zgjedhë se me kë do ta kalojë kohën e tij. Në fund të fundit, njerëzit me të cilët kaloni kohën, janë ata që kanë ndikimin më të madh në jetën tuaj. Ky artikull fokusohet te një lloj i caktuar personaliteti. Nëse nuk e keni marrë në konsideratë që të bëheni shok i ngushtë me një person ironik, atëherë ky artikull do t’ju bëjë të ndryshoni mendje. Ndoshta, kur të mbaroni së lexuari artikullin do të bindeni se një person ironik në shoqërinë tuaj është njeriu i duhur.

Më poshtë kemi listuar disa arsye se përse një karakter i tillë mund të jetë i duhuri për ta pasur mik gjithë jetën:

Ata kurrë nuk i sheqerosin fjalët e tyre. Nuk do ta bëjnë asnjëherë këtë sjellje, pavarësisht se kë kanë përballë. Mund të jeni të sigurt se ajo çka thonë është ekzaktësisht ajo që ndjejnë në një situatë të caktuar.

Nuk ofendohen aq lehtësisht. Një mik ironik nuk është dikush që mund të ofendohet kaq lehtësisht. Nuk do t’ju duhet të shqetësoheni se mos janë personalitet i brishtë. Ata e dinë sesi të bëjnë humor, por edhe e pranojnë atë. Nuk do të keni asnjë problem me të, nëse do t’i thoni atë çka ka nevojë të dëgjojë. Nuk do të ofendohen nga ndershmëria juaj dhe as nga sinqeriteti. Sigurohuni që me ta të jeni gjithmonë të vërtetë.

Do t’ju detyrojnë të jeni kreativë. Kanë një mendje kaq kreative saqë e përdorin edhe për t’ju frymëzuar që të bëni të njëjtën gjë. Ata vërtet do t’ju detyrojnë që të mundoheni të kapni nivelet e tyre të kreativitetit. Dhe kjo është një gjë e mirë. Është gjithmonë përfituese që të keni një shok të ngushtë që ju bën të jeni një njeri më i mirë.

Do t’ju mbështesin kurdoherë. Ju e dini se një mik i tillë do t’ju mbështesë pavarësisht çdo gjëje. Nuk janë njerëz që ju përflasin prapa krahëve dhe nuk janë të shtirur kundrejt jush. Përballë një sjelljeje të tillë edhe ju do të dëshironi që t’i mbështesni kur të jenë në një situatë të vështirë. Nuk do t’ju godasin asnjëherë pas shpine.

Janë miq të shkëlqyer. Një shok i ngushtë ironik është njeriu i duhur për të kaluar kohën. Janë plot humor, argëtues dhe me energji. Me ta do të kaloni përherë kohë të bukur, me humor dhe gaz.

Nuk kanë filtra në gjërat që thonë. Njerëz të tillë nuk kanë turp t’ju thonë se çfarë mendojnë. Kur keni një njeri të tillë në jetën tuaj, e dini se mund të mbështeteni tek ta për të qenë të ndershëm dhe të vërtetë. E dini se mund t’u besoni në mënyrë që të jeni të vërtetë dhe autentikë. Nuk do t’i ndrydhin kurrë fjalët e tyre dhe nuk do t’ju gënjejnë asnjëherë.

Nuk kanë frikë t’ju ofendojnë. Një shok i ngushtë ironik nuk do të ketë asnjëherë frikë që t’ju thotë diçka që keni nevojë ta dëgjoni, edhe pse kjo gjë do t’ju ofendojë. Ata nuk hezitojnë që t’ju tregojnë këndvështrimin e tyre, pasi e dinë se është në të mirën tuaj. Duan më të mirën për ju, edhe pse ndonjëherë do t’ju duhet të dëgjoni gjëra që nuk ju pëlqejnë.

E dinë se kur duhet të ndalin sarkazmën. Një shok sarkastik nuk do të jetë gjithmonë i tillë. Njerëz të tillë dinë sesi të bëjnë humor në çdo situatë, sepse është pjesë e natyrshme e karakterit të tyre. Por, po ashtu, ata e dinë se kur duhet të ndalin së bëri ironi, sidomos kur situata e kërkon një gjë të tillë. Vetëdija që kanë mbi një situatë të vështirë, është një nga tiparet më të nënvlerësuara të njerëzve të tillë. Dhe ky është një tipar, të cilin një njeri sarkastik është gjithmonë në gjendje ta zotërojë.

 

Përgatiti: Manjola EREQI  | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top