FB

January 20, 2022 | 8:15

A duhet t’u flisni fëmijëve për divorcin?

 

Shumë prindër të fëmijëve në moshë parashkollore mendojnë se ata nuk kanë nevojë për sqarime, sepse nuk i kuptojnë situatat e vështira. Në fakt, studimet kanë treguar se fëmijët me të cilët nuk është folur për ndarjen janë shpesh të irrituar dhe shfaqin shenja ankthi. Por a ka një mënyrë sesi duhet të silleni me fëmijët kur jeni para një vendimi kaq të vështirë dhe të rëndësishëm njëkohësisht? 

Biseda e parë duhet të zhvillohet gjithmonë në prani të të dy prindërve. Kjo i bën fëmijët të kuptojnë se ky është një vendim i përbashkët. Po ashtu, tregon se edhe më pas janë të dy prindërit që do të kujdesen për ta. Grindjet midis prindërve në këtë bisedë nuk duhet të ekzistojnë.

Koha më e përshtatshme e bisedës është atëherë kur vendimi ka marrë formë përfundimtare. Fëmijëve duhet t’u bëhet e qartë se cilat janë ndryshimet konkrete në jetën e tyre të përditshme, për shembull me kë do të qëndrojnë fillimisht, kur do ta shohin prindin tjetër, sa shpesh do të telefonojnë me të, etj.

Nuk është e domosdoshme që fëmijëve t’u thuhet çdo detaj, por vetëm ato gjëra që kanë rëndësi për jetën e tyre. Përveç bisedës për ndryshimet e mundshme, fëmijët ndihen të lehtësuar kur mësojnë se disa gjëra nuk do të ndryshojnë, si për shembull vizitat te gjyshërit, te kushërinjtë e preferuar, te halla, te xhaxhai, tek tezja apo daja.

Premtimet e bëra duhet të jenë realiste, në mënyrë që fjala e dhënë të mbahet deri në fund. Kështu fëmijët fitojnë siguri dhe besim se dashuria dhe kujdesi i prindërve nuk ka për të ndryshuar asnjëherë.

Është shumë e rëndësishme që edhe në të ardhmen prindërit ta thërresin njëri-tjetrin si më parë. Për një nënë, në bisedat në prani të fëmijëve, “babi” mbetet “babi” dhe jo “ai”.

Asnjëherë nuk u duhet hapur zemra fëmijëve, pasi nuk duhet të marrin rolin e ngushëlluesit të prindërve dhe nëse vendosen pa dashur në një rol të tillë, ata do të “burgosin” në shpirt ndjenjat, nga ankthi se mos u krijojnë prindërve edhe më shumë brenga.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Burimi: PsychoWorld

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top