Njerëzit që shfaqin admirim të fortë ndaj personazheve të famshëm kanë më shumë gjasa të jenë të prirur t’i binden autoritetit dhe të kenë një lidhje më të fortë me normat tradicionale. Sipas studiuesve, lidhjet emocionale intensive me figura të njohura të kulturës, muzikës apo rrjeteve sociale mund të lidhen me një preferencë për ruajtjen e rendit shoqëror ekzistues dhe respektimin e normave konvencionale. Kjo lidhje, sipas autorëve, mbetet e dukshme edhe pasi merret parasysh orientimi i përgjithshëm politik i individëve.

Marrëdhënie njëanshme me personazhet publike
Miliona njerëz krijojnë lidhje emocionale me aktorë, këngëtarë, influencerë dhe figura të tjera publike, edhe pse këto marrëdhënie janë kryesisht njëanshme. Këto njihen si marrëdhënie parasociale dhe, në disa raste, mund t’u japin njerëzve ndjesinë e komunitetit apo përkatësisë. Problemi shfaqet kur admirimi kthehet në një përfshirje intensive, ku individi shpenzon një pjesë të konsiderueshme të kohës dhe energjisë duke u fokusuar te një personazh i famshëm. Studime të mëparshme kanë sugjeruar se një obsesion i tillë mund të shoqërohet edhe me pasoja negative. Një studim i vitit 2021, për shembull, gjeti një lidhje mes obsesionit më të madh ndaj personazheve të famshëm dhe rezultateve më të dobëta në testet e fjalorit dhe inteligjencës fluide.
Nga admirimi te autoritarizmi
Ideja se admirimi i personazheve të famshëm mund të lidhet me autoritarizmin nuk është e re. Në vitin 2001, studiuesit kishin hedhur hipotezën se njerëzit me prirje për t’iu bindur autoritetit mund të tërhiqeshin më shumë nga të famshmit, të cilët shpesh perceptohen si figura me autoritet në fusha të ndryshme. Megjithatë, një studim i atëhershëm me pjesëmarrës britanikë nuk gjeti një lidhje të tillë.
Që prej asaj kohe, mënyra se si studiuesit e konceptojnë autoritarizmin ka ndryshuar. Një punim i vitit 2010 argumentoi se autoritarizmi i djathtë duhet kuptuar si një kombinim i tri dimensioneve të lidhura, por të dallueshme: autoritarizmit, që lidhet me agresionin dhe kontrollin e rreptë; konservatorizmit, që lidhet me bindjen ndaj autoritetit dhe ruajtjen e status quo-së; dhe tradicionalizmit, që përqendrohet te respektimi i mënyrave tradicionale të jetesës dhe moralit.
Studimi i ri
Gati 25 vjet pas studimit të parë, studiuesit vendosën të shqyrtojnë se cilat prej këtyre dimensioneve lidhen konkretisht me admirimin ndaj personazheve të famshëm, duke marrë parasysh edhe orientimin politik dhe faktorët demografikë. Ekipi u drejtua nga Ho Huynh, pedagog i lartë në Shkollën e Mjekësisë dhe Psikologjisë në Australian National University. “Ne e dimë se të famshmit kanë një ndikim të jashtëzakonshëm te njerëzit dhe se ata zakonisht mbështesin kauza me prirje liberale, si ndryshimet klimatike, emigracioni dhe aborti”, tha Huynh për PsyPost. Sipas tij, studiuesit u befasuan nga gjetjet e punës së tyre të mëparshme, sipas të cilave njerëzit që admirojnë personazhet e famshëm priren ta identifikojnë veten si më konservatorë politikisht.
Në studimin e ri, ekipi kërkoi të kuptonte nëse admirimi për të famshmit lidhej edhe me autoritarizmin e djathtë. Kjo, sipas studiuesve, mund të ndihmojë në shpjegimin e një paradoksi: pse njerëzit politikisht konservatorë në SHBA mund të tërhiqen më shumë nga personazhet e famshëm, pavarësisht perceptimit se të famshmit kanë përgjithësisht qëndrime liberale. Për të testuar këtë hipotezë, studiuesit përfshinë 331 të rritur që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, të rekrutuar përmes platformës online Prolific. Kampioni u krijua në mënyrë që të kishte një shpërndarje të barabartë mes personave që e konsideronin veten liberalë, të moderuar dhe konservatorë.
Studiuesit theksojnë se kampioni nuk është përfaqësues i popullsisë së SHBA-së në tërësi. Rreth 54 për qind e pjesëmarrësve ishin gra, ndërsa të gjithë ishin mbi 18 vjeç. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte rreth 40 vjeç. Ky studim u publikua në revistën shkencore Psychological Reports.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

