Në fokus

September 19, 2016 | 7:15

Adoleshentët & modelet mediatike

Sikur të bënim pyetjen se çfarë e kompleton një njeri, përgjigjet do të ishin të ndryshme: karakteri, inteligjenca, mënyra e komunikimit e shumë të tjera. Po pamja e jashtme a ndikon çfarë të tjerët mendojnë për ne dhe specifikisht veshja? Te kjo pikë do të ndalemi pak për të vëzhguar se si veshja është një lloj arme tjetër e fortë për të identifikuar veten tonë në sytë e shoqërisë.

A keqpërdoret veshja dhe a keqkuptohet nga të tjerët? Sigurisht që po, ashtu siç njerëzit keqkuptojnë njëritjetrin nëpërmjet komunikimit verbal. Po marr shembull veten: a mundet një mësues të vishet në shkollë çdo ditë njëlloj si për një festë? Sigurisht që jo. Audienca, që janë nxënësit dhe kolegët, do të më keqkuptonin dhe unë do të bëhesha subjekt bisede. Ashtu siç ndodh e kundërta, që në një mbrëmje nuk mund të shkoj e veshur me rroba të thjeshta, pasi do të “damkosesha” si një femër pa shije. Duke qenë se ne vetë duam ta përdorim veshjen si pjesë të aparencës sonë, për të kompletuar identitetin tonë në shoqëri, atëherë duhet ta përdorim me kujdes që të mos na keqkuptojnë dhe si rezultat të mos na “keqtrajtojnë”.

Gabimet me veshjen fillojnë që në fëmijëri dhe më pas ato bëhen më solide në moshën e adoleshencës dhe të paraadoleshencës, duke u “kalcifikuar” përfundimisht në moshat e rritura.

aurora celikuSot prindërit kanë vështirësi në komunikim me fëmijët e tyre edhe për hir të veshjeve. Deri nga mosha 4-5 vjeç fëmijët mund t’i veshim si të duam, pasi ata s’e kanë pretendimin në të veshur. Fëmijët e kësaj moshe janë më shumë të dhënë pas ngjyrave ose karaktereve të filmave të stampuar nëpër veshje. Vajzat, siç e dimë, janë të dhëna pas ngjyrave rozë dhe princeshave e luleve, ndërsa djemtë janë të dhënë pas makinave apo robotëve. Fëmijët e kësaj moshe nuk dinë se ç’është një material “firmato” ose një imitacion. Prindërit mund të manovrojnë në blerjen e rrobave pa qenë prodhime emrash të njohur për sa kohë që janë rroba higjienike si pambuku dhe jo material sinterike (sërish ky është tjetër diskutim, sepse ka kultura që i parapëlqejnë veshjet sintetike).

Me kalimin e kohës, kur fëmijët i drejtohen moshës paraadoleshente, shohim një dëshirë të tyren për t’u veshur dhe jo vetëm kaq, por atyre u duket sikur kurrë s’kanë mjaftueshëm. Dallimi midis konceptit “duhet” dhe “e dua” po ngushtohet gjithmonë e më shumë. Sidomos shprehja “e dua se e ka dhe ajo ose ai” fillon e bëhet refren i ditës. Televizioni është një nga burimet kryesore të “frymëzimit” të shijeve të moshave fëminore apo pak më të rritura. Ka ende fëmijë që duan të vishen si kukullat Barbie. Këta fëmijë janë të fiksuar të kenë gjithçka si në filmat vizatimorë apo emisionet me Barbie. Çdo veshje duhet të jetë pink, madje që në moshat e vogla vajzat kanë filluar të kërkojnë edhe imitimin në tualet apo në rregullimin e flokëve sipas veshjes. Kjo mënyrë e të konceptuarit të veshjes dhe të mendimit çfarë veshja paraqet, vjen duke u thelluar më tej në moshën paraadoleshente dhe adoleshente.

Duke marrë si shembull veten time, mësuese dhe nënë e një vajze 14-vjeçare, shoh që veshja është shumë e rëndësishme për këtë moshë. Veçanërisht vajzat në këtë moshë duan larmi veshjesh, të cilat mundësisht të jenë prodhime të firmave të njohura. Këtu fillon dhe konflikti prindërfëmijë. Sigurisht që ashtu si dhe ne të mëdhenjtë, edhe fëmijët duan të vishen bukur dhe ndryshëm çdo ditë, por varet edhe sa munden prindërit të përballojnë koston e këtyre rrobave. Le të kthehemi sërish tek ajo çka veshja duhet të thotë, në mënyrë që ajo të kompletojë identitetin e çdo moshe.

Po ta shohim në këndvështrim global, njeriu sot po “e keqpërdor” veshjen gjithnjë e më shumë. Duke mos bërë dallim midis veshjes së përditshme dhe veshjes për një rast të veçantë, atëherë personi transmeton në shoqëri mesazhe të gabuara. Në qoftë se një vajzë adoleshente shkon në shkollë me veshje jo të përshtatshme, duke treguar pjesë të trupit dhe përdorur tualet, atëherë çfarë mund të transmetojë ajo te shoqet e shkollës? Kundrejt meshkujve, ajo josh dhe kundrejt femrave është një shembull që fillon, ngjall zili dhe xhelozi. Po për sa i përket faktit se është një nxënëse? Absolutisht asgjë. Burimi kryesor? Sërish televizioni dhe aktorët e famshëm me emër. Vajzat dhe djemtë ndjekin rolin model të këtyre aktorëve pa pyetur se ku dhe si vishen këto rroba dhe çfarë duan të thonë. Gjithashtu, pa kuptuar, duke u veshur kështu, adoleshentët duken edhe më të mëdhenj në moshë. Sigurisht, po të fillosh të përdorësh make-up që në moshën 14-vjeçare askush nuk do dijë se si janë tiparet e vërteta.

Nga disa vëzhgime, informatat e mbledhura tregojnë se veshjet e ekzagjeruara janë edhe më shumë provokuese. Këto lloj veshjesh “ftojnë” për incidente dhe pastaj diskutohet sikur ky apo ai incident s’kishte shkak. Në një seminar me subjekt nga kriminalistika, u diskutua nëse femrat e “zhveshura” më shumë se ç’duhet janë subjekt për incidente që mund të përfundojnë edhe në krim madje. Disa vajza diskutonin se mund të visheshin si të donin dhe mund të shihnin punën e tyre në një klub ku ato mund të shkojnë për t’u argëtuar. Ndërsa disa djem diskutonin se është e vërtetë se ata do të tërhiqeshin më shumë në një klub nga femrat që janë më të zhveshura se sa duhet. Del pyetja: a është veshja një lloj “statement”? Specialistët përgjigjen: Po, veshja flet për gjithsecilin nga ne. Veshja e ekzagjeruar, qoftë edhe për qejf në një klub, “fton”. Prandaj, për të parandaluar çfarë mund të ndodhë me fëmijët tanë më vonë, edukimi duhet të fillojë që në moshat delikate të paraadoleshencës dhe të adoleshencës. Fëmijët tanë duhet të mësojnë të vishen për të paraqitur sa më hijshëm veten e tyre dhe sigurisht me vërtetësi. Pse në shkollat private për shembull, nxënësit janë me uniforma dhe shumë të rregullt? Sepse këto shkolla të shtrenjta normalisht, duan ta shprehin filozofinë e tyre të edukimit edhe nëpërmjet mënyrës së paraqitjes së nxënësit.

Së fundi, le të mos harrojmë që ne, prindërit dhe edukatoret, duhet të jemi model për fëmijët tanë dhe jo televizioni dhe show-girls-et. Ne duhet të punojmë me fëmijët dhe nxënësit tanë që ata të kuptojnë se jo çdo gjë rrotullohet rreth veshjes dhe dukjes. Veshja është pjesë e identitetit tonë dhe flet pozitivisht kur ne dimë si ta përdorim për të treguar në mënyrë dinjitoze kush jemi dhe çfarë jemi në gjendje të bëjmë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top