Radiografi

April 27, 2018 | 13:11

AIDA ALIKO / L’Oréal Professionnel sfida e një GRUAJE

Hapat e butë e të pandjeshëm duket sikur rrëshqisnin mbi rruginën e fundme, pikërisht tek shpejtonte pranë atij pallati që numëron në lartësi kate pa fund. E megjithatë e butë si një balerinë a si një gjimnaste mbi traun e ekuilibrit, nuk ish një ecje tekanjoze me qëllimin e vetëm për tërheqjen e vëmendjes edhe aty ku nuk duhet. Ndjesia e krijuar më herët përmes një kontakti telefonik nuk u zhgënjye. Fustan ngjyrë salmoni, pantoflat me lëkurë kali e një çantë fine hedhur supeve e sillnin më të ngrohtë sharmin e krijuar vetëm në eter. Ndërsa delikatesa dhe eleganca e kishin shndërruar staturën e saj të pakompletuar, nga eteri i shpërbërë prej tingujve zanorë në një dimension të arrirë estetik.

Aida Aliko

“Administratore … i ke thënë të gjitha!” Sentenca vërtitet rrëmujshëm të gjejë një vend a një cep për t’u bërë e gjithëpranishme. Por jo! Assesi në vëmendjen dhe pikëpamjet e saj nuk shtrihej në sfond një perceptim i tillë. I kish thënë të gjitha në veprimet e saj, ishte thjeshtësi! Aida Aliko është një grua që gëzon emër të mirë në botën e biznesit. Ajo është një femër e guximshme, këmbëngulëse, në sfidë me veten dhe gjithçka synon për më të mirën e saj, ndonëse në karakteristikë ka një zë të butë, të brishtë që veç mirësisë reflekton dhe shumë qytetari.

Me siguri që edhe këto “pikë”, vlera a virtyte thënë ndryshe, e kanë ndihmuar t’ia dalë në jetë, ndërsa me modesti pohon se është modeli ai që i ka referuar udhën e duhur!

Në oazin ku ka ngritur një perandori luksi dhe elegance, qëndron mbi krye si një mburojë e vërtetë. Ajo është distributori më i rëndësishëm i menaxhimit dhe shpërndarjes së produkteve bio-kozmetike dhe linjave thelbësore të markës së fuqishme L’Oreal, një menaxhimi fantastik për të gjitha sallonet në mbarë Shqipërinë me qendër në Laprakë. L’Oreal, Kerastase, Declèor janë markat që ekskluzivisht përfaqësohen në fushën e biokozmetikës në vendin tonë.

Në qendër të Tiranës, në hyrje të rrugës së vjetër që lidh shkollën ekonomike me ish-rrugën “Punëtorët e Rilindjes”, prej afro një dekade, i ka dhënë jetë një investimi serioz në kryeqytet, salloni “Royal”. Ai nuk është thjesht pasioni i një gruaje, por më së shumti ai për të pasur një qendër të arrirë për kryeqytetin. Me 10 ambiente shërbimi, parukeri, estetikë, fizioterapi, masazh e linfodrenazh, solar etj. Çelësi i suksesit te “Royal” janë ata, stafi i shërbimit, të gjithë të kualifikuar, puna në grup dhe puna e palodhshme e kreut të kësaj sipërmarrjeje.

Aida, i njëjti emër me një nga kryeveprat e Verdit. Besoni te fati i paracaktuar nga emri?

Aida është një vepër arti gjithashtu. Ne bëjmë Art! Mendoj se ka lidhje me atë çfarë ne bëjmë. Unë për nga natyra jam pak supersticioze. Më lejoni të përmend një citat të Karl Hajnc Smola “Emri nuk është gjithçka, por pa një emër të mirë gjithçkaja është asgjë”.

I përkisni një brezi sipërmarrësish të vjetër. Si kanë qenë për ju fillimet në karrierë?

“Si çdo fillim, dhe i vështirë” thonë fjalët e urta popullore, por me shumë punë, vullnet dhe dëshirë mbi të gjitha, për atë që ti bën, kur arrin të shikosh rezultatin, e humbet mundësinë e kalkulimit të vështirësive që ke hasur gjatë rrugës. Dy të rinj, me profesione të ndryshme nga realiteti ku jeni përballë për mbi dy dekada e gjysmë.

Çfarë ju bëri të hiqnit dorë nga diploma e t’i jepnit jetë një udhe të re?

Dua të jem pak diplomate në lidhje me këtë përgjigje në mënyrë që të mos fyej askënd. Kështu që, secili bën zgjedhjen e tij në jetë, por nëse unë dhe bashkëshorti im do të vazhdonim të ushtronim profesionet tona, nuk do të jetonim më mirë se sa jetojmë sot. Kjo është përgjigja ime e sinqertë pa dhënë detaje. Ndoshta fati më ka përkëdhelur, por jetoj, punoj dhe e konceptoj të ardhmen me këmbë në tokë. Pa diskutim, diploma dhe arsimimi im më vlen në punën time, pasi të qenit në treg ka lidhje me ekonominë dhe pa diskutim që më ka vlejtur dhe do të më vlejë.

Të bërit biznes bart vështirësi, shkopinj nën rrogoz, problematika në burime njerëzore. Si i keni tejkaluar ju këto sfida?

Në lidhje me këtë pikë të pyetësorit tuaj, po të më lejoni, do të shkruaja faqe të tëra, por do të respektoj formatin dhe do të përgjigjem shkurt. Në kompanitë që operojnë pothuajse në të gjitha vendet e botës, zyrat e burimeve njerëzore janë departamente të veçanta dhe shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e biznesit. Kjo frymë pa diskutim ka vite që është bërë pjesë edhe e bizneseve shqiptare. Kuptohet që bizneset shqiptare janë edukuar shumë dhe nga mënyra e të punuarit e investitorëve të huaj. Ne jemi pjesë e një grupi botëror, pjesë e një brandi që nuk na lejon të punojmë ndryshe. Burimet njerëzore për ne janë pjesa më e rëndësishme e të funksionuarit, pasi vetë natyra e punës është e tillë. Ne punojmë në grup dhe të gjithë duhet të jemi në rakordim me njëri-tjetrin. Kjo na bën të trajnohemi të gjithë si staf nga partnerët tonë, të cilët na vëzhgojnë vazhdimisht, dhe pse jo, në rastet kur dëshira për të mësuar dhe për të punuar ekziston tek i intervistuari, ne e pranojmë dhe e mësojmë. Rezultatet nuk më kanë zhgënjyer!

Sa ju kanë rritur ato?

Unë jam rritur me ato!

Po sa i takon të qenit femër përballë statujës mashkullore, sa e kenë ndjerë këtë?

Të them të drejtën nuk e kam ndjerë shumë, pasi vetë natyra e punës është e tillë, por varet në çfarë aspekti më pyesni. Me staturën mashkullore patjetër që përballesh. Unë jam Administratore e Shoqërisë “Eurocosmetic Distribution” shpk, dhe statujën mashkullore e has pothuajse përditë gjatë ushtrimit të funksioneve të mia, por jo në fushën e aktivitetit tim, por në fushën e administratës shtetërore për të përmbushur detyrimet ligjore, në mënyrë që të funksionojmë kundrejt rregullave dhe normave të legjislacionit shqiptar. Më lejoni t’ju them që ajo çfarë marr mbrapsht ka një shije të mirë dhe bon sens. Gjithashtu statujën mashkullore e has edhe me bashkëpunëtorët e mi, dhe së fundmi dhe me klientë. Mendoj se natyra e objektivit të këtij aktiviteti është ajo që ndan dhe mënyrën e komunikimit. Ndryshe është kur flet për produkte bukurie dhe ndryshe kur flet për naftën, kam përshtypjen!

Drejtoni një gamë biznesesh me bashkëshortin tuaj. Cili është fokusi parësor dhe ku i keni shtrirë sipërmarrjet tuaja?

Sipërmarrjet tona përgjithësisht shtrihen brenda territorit të Shipërisë. Bashkëshorti im ka devijuar pak. Ai ka shtrirje dhe në shtetet që na rrethojnë, por kam dëshirë të flas për fokusin. Fokusi ynë është emri i mirë dhe emri i mirë të shpërblen. E kam fjalën për shpërblimin moral dhe shpirtëror, pa lënë mënjanë dhe atë financiar, sepse do ishte e tepërt të tregohesha modeste në këtë fushë, dhe siç po ju thoja, emri i mirë krijohet në radhë të parë nga mënyra si e trajton të punësuarin tënd, stafin tënd, mënyra se si e trajton biznesin tënd dhe si i përgjigjesh detyrimeve të tua. Në qoftë se ti e trajton biznesin tënd si një fëmijë, që e lind dhe e rrit me plot dashuri, përkujdesje, duke i plotësuar nevojat, shpeshherë edhe duke u sakrifikuar, mendoj se ke realizuar atë që gjithmonë ke synuar, pse jo ta rritësh sipërmarrjen tënde në “djepin e lindjes” dhe ta shtrish sa më larg të jetë e mundur. Ky është fokusi ynë!

Në fushën e kozmetikës ruani ekskluzivitetin e disa markave. Si u gjetët pranë kësaj bote të madhe, tepër të vlerësuar?

Ndonjëherë dëshira për të bukurën dhe cilësoren, duke mos lënë mënjanë fatin dhe lidhjet, të cilat në fushën e biznesit janë të parat, na ka mundësuar të kemi kontaktet dhe njerëzit e duhur. Pasioni për të bukurën dhe për cilësinë, më ka bërë t’i kem të qarta synimet e mia dhe të këmbëngul në atë që dua.

L’Oreal është emri që ju njeh gjerësisht në botën e biznesit. Si ratë në kontakt me këtë firmë të madhe dhe nga më cilësoret?

E përsëris, ndoshta mundësia për të krijuar lidhjet e duhura bëri të mundur realizimin e qëllimit për sjelljen e brandeve cilësore.

Cilat nga figurat më të njohura botërore ju lidhin mediatikisht përmes L’Oreal?

Është mirëqenie është shëndet, pse jo dhe kultura e duhur për përkujdesjen e flokut, i cili është aksesori më i rëndësishëm i pamjes të njeriut. Kjo përkon dhe me moton e këtij brandi “Të gjithë të ndryshëm, por unikë në llojin e vet”.

Si e keni të organizuar gjithë këtë aktivitet, ku duhet thënë se risitë përditësohen, e për pasojë trajnimet, seminaret dhe aktivitetet e rëndësisë së veçantë marrin kohën e tyre?

Së pari është ngritur një perandori, duke filluar me një sallon pilot, “Salloni Royal”, dhe me plot gojën mund të them që ky sallon përmbush të gjithë parametrat dhe standardet që i përshtaten këtij brandi. Të kesh një markë të tillë, do të thotë të kesh një ambient me parametra 400 metra katrorë, të kesh një akademi ku të preket produkti nga klientët tanë, (sallonet) të kesh një magazinë ku ti të kesh krijuar stokun, të kesh menaxherët e shitjes për të deleguar produktin, të kesh një zyrë të mirëorganizuar finance dhe një marketing të fuqishëm.

Cili është aktiviteti më i bujshëm që ju ka marrë shumë energji dhe sakrificë?

Të gjithë artistët në mbarë botën dhe jo vetëm, operojnë me këtë produkt. Disa emra janë Kate Mos, Vanesa Brune etj. Një nga aktivitetet më të bujshme ka qenë në ambientet e Hotel Piazza, ku kemi pas të ftuar një nga Haute Coiffure Paris më të suksesshëm të kohës, ku është përcjellë me shumë pasion dhe dashuri një nga ritualet e fundit të L’Oreal Professionnel Profiber.

Më shumë femra në stafe apo meshkuj?

Femra dhe meshkuj, madje më lejoni të vë në dukje interesin e meshkujve në këtë fushë dhe rezultatet e tyre janë të shkëlqyera.

Më e vështirë është të bësh biznes me femrat apo me meshkujt?

Nuk ka dallim në të bërit biznes. Biznesi nuk ka gjini, por përveç të qenit investitore të mira, studimet tregojnë se femrat janë shumë më etike dhe produktive se meshkujt. Çfarë implikimi ka kjo për botën e biznesit? Femrat CEO janë më konservatore me raportimet financiare. Dhe ju e dini, firmat që kanë etikë janë më pak të kërcënuara nga gjobat dhe çështjet gjyqësore.

Kujt ia dedikoni plotësimin tuaj në karrierë?

Plotësimin tim në karrierë ia dedikoj bashkëshortit tim dhe pa diskutim, familjes time. Ato përmbushin njëra-tjetrën, familja ime më mundësoi arsimimin tim, ndërsa bashkëshorti më ka mbështetur për realizimin e qëllimeve dhe ëndrrës.

Po si nënë, angazhimet tuaja sa e kanë penguar të qenit prind?

Aspak. Të qenit prind më ka frymëzuar më shumë.

Një djalë dhe një vajzë, ishte kjo që ju ka përmbushur në jetë edhe sa i takon gjinisë së fëmijëve?

Është fat të provosh shijen e të dyja gjinive, të pasurit e një djali dhe të një vajzë, të provosh shijen e djalit dhe vajzës, tepër e përmbushur dhe e bekuar.

Si e ndani kohën midis të qenit nënë, bashkëshorte dhe sipërmarrëse?

Sepse ti je një FEMËR dhe një femër gëzon të gjitha atributet që Zoti dhe natyra i ka falë, të qenit nënë, bashkëshorte dhe punëtore.

Cila është këshilla që ua jepni shpesh fëmijëve?

E vetmja këshillë për fëmijët e mi është në fushën e arsimimit. Nuk lodhem dhe nuk do të lodhem kurrë së insistuari në këtë fushë. Shkollimi i fëmijëve të mi është çështja kryesore dhe qëndron mbi gjithçka. Kjo është fryma që unë me bashkëshortin tim përpiqemi t’i ngjisim fëmijëve tanë, vetëm me arsimim dhe me punën e tyre në të ardhmen, ata kanë përmbushur të gjithë sakrificën tonë.

Çfarë është për ty të qenit e vërtetë?

Të jesh vetvetja, të jesh origjinal, të mos vuash nga komplekset. Le ta filloj që me zgjimin në mëngjes: të hash atë që të pëlqen, të vishesh siç do të doje të ndiheshe mirë me veten, të dëgjosh muzikën e preferuar dhe me xhamat e makinës hapur, të qeshësh me zë të lartë, por dhe të thuash mendimin tënd. Të mos jesh e varur nga rregullat, por jo nga etika. Të jesh ajo që të gjithë të njohin edhe kur të të kenë përballë, dhe jo vetëm nga rrjetet sociale, që për mua përbën një show dhe një falsitet paradoksal.

Një femër e di mirë kur i hyn një pune, si ka qenë për ju rrugëtimi pas 25 vitesh?

Më e rritur, më e pjekur, më e ndërgjegjshme, më konservative. Me këmbë në tokë!

Për çfarë ju është dashur të sakrifikoni në emër të të bërit të këtij biznesi?

Koha, e cila është me shumë vlerë dhe me pasoja.

Ku e keni shtrirë aktivitetin tuaj dhe sa të punësuar njeh kompania juaj?

Aktiviteti ynë është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, ku operojnë mbi 100 sallone. Kemi një staf i cili përbëhet prej 30 veta.

Cili është çelësi i suksesit në organizimin e një veprimtarie të suksesshme?

Çelësi i suksesit është përkushtimi në atë që ti bën. Të shkosh në punë me dëshirë për mua është fat dhe privilegj, si për mua ashtu dhe për stafin tim.

Marrëdhënia me filantropinë, jeni ju një person që nuk e kurseni ndihmën?

Këtë virtyt unë e kam mbase të tepërt, gjë që e shikoj dhe tek ime bijë Mei.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top