Dëshmi

April 27, 2022 | 9:04

Aktori Leka Sefla: Më mirë të dëgjosh një gjë artistike nga autorë të njohur sesa të dëgjosh politikanët dhe gjëra pa vlerë!

 

Nga Orjona TRESA

 

Një heshtje e gjatë, i munguar. Larg skenës shqiptare. Sakrifikoi artin për t’iu dedikuar familjes. Aktori i mirënjohur Leka Sefla, i pranishëm përmes një lidhjeje live në emisionin Ora 7 në RTSH 2, rrëfeu emigrimin e tij 31 vjeçar në Gjermani. Për aktorin, jeta skenike mbeti pas, në tempullin e shenjtë ku interpretoi me një plejadë artistësh të shkëlqyer të para viteve ’90. Nostalgjik mes kujtimesh, Sefla u përball me një jetë të re në një shtet të huaj, një vend krejt i panjohur edhe sa i takon gjuhës. Vështirësitë ai i rendit në një kohë kur i duhej të mbështeste dhe t’i përkushtohej familjes, dajës, nënës dhe vajzës së tij të vogël atëherë. Me gjithë dhimbjen për artin, që nuk mundi të bënte dot ashtu siç do të dëshironte edhe në Gjermani, Leka thotë se sakrifica për familjen ia ka vlejtur dhe se ndihet krenar për gjithçka.

5

Pasioni nuk ka mbaruar…

Megjithatë, e pavarësisht jetës në një vend të huaj, ku i duhet të punojë jashtë profesionit të të qenit aktor, Leka Sefla thotë se në hapësirën e kohës së lirë, ai i përkushtohet pasionit të hershëm për leximin artistik. “Kam qenë ndër të parët interpretues në RTSH. Kam qenë shumë i angazhuar. Sot e vijoj këtë pasion me faqen time në Youtube dhe me mjetet e mia kam realizuar 200 poezi dhe proza të recituara. Është e nevojshme që njerëzit, duke pasur parasysh problemet, se është më mirë të dëgjosh një gjë artistike nga autorë të njohur, sepse përfiton shumë, sesa të dëgjosh politikanët dhe gjëra pa vlerë. Pse njerëzit kanë ende pasion për filmat e dikurshëm shqiptarë, jo për nga tema që përmbajnë, sepse ata janë të zgjuar, por për nga nostalgjia dhe për atë brez aktorësh që dha aq shumë. Tek unë nuk ka mbaruar pasioni”.

Dashuria në distancë…

Vlera e dashurisë është ndjenja që një artist e kompleton. Ai është në një lidhje të tillë, e cila edhe pse në distancë, nuk e shuan flakën e pasionit. Është poetja dhe gazetarja vlonjate Rudina Papajani që ia ka rrëmbyer zemrën prej disa vitesh. Njohja e aktorit ishte krejt rastësore. Ndoshta krejt e tillë për t’u besuar nga krijimi i një lidhjeje moderne si ajo përmes njohjes virtuale. “U njohëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Ishte rastësi. Në Facebook, ngadalë. Lindi kjo afërsi. Kemi komunikuar aq shumë sa gati 3 vjet ne flisnim çdo ditë deri në një orë e gjysmë. Komunikimi ishte tepër i nevojshëm. U lidhëm duke e njohur mirë njëri-tjetrin”.

Vlerësimi i aktorit për partneren ka ngjyra jete, mirësie. “Gruaja që kam në krah është një grua e mirë, Rudina Papajani. Përfitoj ta përshëndes, e puth, sepse ajo duhet të ishte këtu me mua. Ka burokraci që na e pengojnë bashkimin. Ajo jeton nëpërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë. Rudina është një poete e mirë, e talentuar edhe si gazetare. Ajo lexon mirë, ka një zë të mirë, është e kompletuar. E bën me pasion gjithçka, dhe unë e vlerësoj”.

 

“Jam bërë si një shishe vere në qilar, sa më shumë rri, aq më e shijshme bëhem. Dua të shpërthej!”

Për aktorin të gjitha rolet që ka interpretuar janë të rëndësishme. Nuk ka i madh apo i vogël. Të gjithë janë të pazëvendësueshëm për të, sepse i përkasin një epoke për të cilën ai ka mall. Me shpirt do të donte t’i kthente të gjitha rolet. Por, koha e aktrimit ndaloi për të, 32 vjet më parë. “Kam pasur privilegjin që pas mbarimit të shkollës të emërohesha në Teatrin Popullor. Aty interpretonte plejada e artistëve. Ishte shkolla e vërtetë. Aty mësova se çfarë ishte arti, kush ishin aktorët e vërtetë, regjisorët e vërtetë, ku do të veçoja, në artin teatral, të rrallin, Piro Manin, të jashtëzakonshim. Aq sa di tani e kam mësuar nga ai. Kam shumë nostalgji edhe për shumë nga miqtë e mi të cilët nuk jetojnë më. Më shumë se mik kam pasur Bujar Lakon. Kam një dhimbje të madhe nga humbja e tij, po jeta kështu është”. Pyetjes se çfarë mendon që e bën një aktor të suksesshëm, Leka Sefla iu përgjigj. “Ky është një zanat shumë i vështirë, që sa më shumë kalon koha, sa më shumë moshohesh, kupton se sa nuk ke ditur. Është zanat që kur moshohesh fillon e mendon se çfarë duhet bërë dhe si. Është e pafund. Për aktorët e rinj këshilloj të mos shkëputen nga plejada e aktorëve të kaluar, t’i shohin veprat e tyre, sepse ajo është shkollë. Modestia në këtë zanat është arma kryesore. Sa më modest. Duhet edhe shumë punë. Edhe kushtet për t’u bërë aktor i mirë në vendin tim nuk janë të favorshme, por çdo njeri mund ta bëjë individualisht duke punuar fort, duke punuar për shëndetin për të qenë gjithashtu i shëndetshëm në skenë”.

Ajo që e bën të ndjeshëm janë shfaqjet e vjetra teatrale, të shkëlqyera sipas tij, të cilat janë në arkivën e Radio Televizionit Publik Shqiptar por nuk janë të mundësueshme për shikuesin. Ai bën thirrje që të gjendet mundësia për implementimin e aparaturave përkatëse për të mundësuar rikthimin e veprave të shkëlqyera të teatrit para viteve ‘90. Sepse sipas tij, “ato janë pasur kombëtare”.

12

Projekte të ardhshme…

Kurrë mos thuaj kurrë, është një ngacmim i brendshëm që e mban gjallë në akumulimin e të projektuarit të planeve shpërthyese. Tani për tani thotë Leka nuk ka plane. “Nuk e di ku do ta kem të ardhmen këto vite që më kanë mbetur, por mendoj që jam bërë si një shishe vere në qilar, që sa më shumë rri, aq më e shijshme bëhem. Dua të shpërthej në zanatin tim. Kam disa plane në kokë, por jo plane konkrete. Bota dhe vendet kanë problemet e veta, pandemia, lufta. Duhet të kalojë kjo fazë dhe të kem mundësi të marr vendimet që dua të bëj”.

 

Karriera e Leka Sefla

Në biografinë e tij renditen filmat si “Ilegalet” në rolin e Xhevatit dhe “Skëterrë 43” në rolin e De Magistris, si personazhet kryesorë të interpretuar nga aktori Leka Sefla. Por janë shumë role të tjera në teatër dhe fil, në Radiodrama, Fjala artistike në Radio” etj., ku ai kultivoi gjithmonë me pasion dhe këmbëngulje dëshirën e tij që fëmijë për t’u bërë aktor.

“Njeriu zihet ngushtë. Gëlltit diku një lugë çorbë të prishur dhe vjell tërë jetën”, batuta e tij e famshme në rolin e Xhevatit tek filmi “Ilegalët”.

Leka Sefla u lind në Tiranë më 4 maj 1954. Ka kryer studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramës. Filloi punë si aktor në Teatrin Popullor në 1 nëntor 1976. E nisi karrierën e tij si aktor me rolin e Rikos në dramën “Diell mbi Kaster”. Deri në vitin 1991 realizoi mjaft role të arrira në skenën e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar), duke u shquar si një aktor potent e mjaft skenik.
Ndër rolet e më të spikatura janë:

Hoshi i Nurit në “Besa e madhe”;

Dhëndri në “Vërshime pranverore“;

Marku te “Gryka e nemur”;

Eriku në “Vizita e Inspektorit”;

Konsulli i Rusisë “Epoka para gjyqit”;

Prifti të “Nata e 12-të”;

Babai i rremë i Vincencios te “Zbutja e kryeneçes”;

Ligori te “Përballë vetes”;

Efesti tek “Prometeu”;

Moralesi tek “Monserati”;

Parisi te “Romeo e Zhuljeta”;

Besjani te “Nesër është vonë”;

Avokati te“Komunistet”;
Stemetesku te “Valsi i Titanikut” ku mendohet të jetë roli i fundit.

Edhe në filmin artistik, aktori Leka Sefla ka disa role të realizuara me mjeshtëri nga ku mund të veçojmë “Ilegalët” dhe “Sketërrë ‘43”.

2 3 9 10 12 11 7 8

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top