Në fokus

November 3, 2017 | 8:01

Aktori Nikolla Llambro rrëfen jetën e vështirë, nga skena e Gjirokastrës në skelat e ndërtimit në Athinë

Nga Orjona Tresa

Mbahet mend me rolin e tij të paharruar të Zeman Mashkullorës tek “Liri a Vdekje”, për atë shoferit Qemal te “Koncert në vitit ‘36”, por dhe për rolin e trimit të çartur Gogo te “Nata e parë e lirisë”. Nikolla Llambro me të paktën 60 role në teatër e kinema, është një figurë e dashur për spektatorin shqiptar. Por edhe pse një aktor me përvojë e karrierë për t’u pasur zili, ai do të pësonte zhgënjimin e tij në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve. Dhe aty do të bënte një sakrificë dyfishe: do të zbriste nga skena e teatrit të Gjirokastrës për t’u ngjitur në majën e pallateve të larta të Athinës, ku edhe pse me kombësi greke do të trajtohej veç si një emigrant shqiptar e do të punonte në ndërtim. 27 vite më vonë, ai vazhdon ta vizitojë rregullisht Tiranën, qytetin ku mbaroi studimet e larta për aktrim dhe nga ku mori shoqen e tij të jetës. E në vizitën e fundit, rrëfen plot detaje nga jeta e tij, gjëra që s’i ka thënë kurrë më parë. Ky është një rrëfim i plotë i aktorit, nga biseda që ndamë edhe për lexuesit e revistës “Psikologjia” në print, e cila sapo ka dalë në treg.

ok

Cila është jeta e aktorit Nikolla Llambro?

Unë ika si shumë shqiptarë të tjerë, gati 1/3 që emigruan. Po them disa të vërteta që jo se nuk i kam thënë apo të tjerët nuk i dinë. Unë kam qenë komunist, jo anëtar partie. Hyra shumë vonë në parti, por jo me zor. Unë kisha një vjehërr, Skënder Rusi, pedagog i luleve në ish-Institutin Bujqësor, i përjashtuar në vitin ’46, por një njeri shumë i guximshëm që në një mbledhje me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, i kërkoi 5 mijë dollarë që në fund të vitit t’i jepte 50 mijë dollarë që të eksportonte lulet, gladiolat e asaj periudhe, sidomos mimozat. Filloi t’i binte por, siç e kishte zakon Mehmeti, (pasi e kam dëgjuar me veshët e mi që ishte shumë ironik dhe pedant), gati e ofendoi. Dhe vjehrri im ia ktheu: unë nuk merrem me injorantë profanë. Pauzë, u bukosën të gjithë. Vjehrri im ishte përjashtuar edhe nga Koçi Xoxe, se kishte divergjenca me të, i kishte vënë pistoletën. Dhe prisja në shtëpi që të më arrestonin. Ai e thirri në shtëpi dhe i tha: Si ma the atë fjalë? Të kërkoj 5 mijë e të jap 50 mijë, dhjetëfishin. Po nuk kemi, ia ktheu Mehmeti. Nejse. Kur erdhi puna që unë të futesha në parti, që ma kërkonin me çdo kush në teatrin e Gjirokastrës, sepse isha i vetmi që mbarova Institutin e Lartë dhe shkova atje. Në atë periudhë organizata dhe komiteti donin një njeri që të ishte dhe profesionist, sepse ka pasur edhe amatorë.

Si u pranuat në parti?

Rezistova 7 vjet, sepse vjehrri më thoshte: Mos u fut, se ti do përjashtohesh me kokën që ke. Shmangu! Ndërsa vjehrra ime, Nebahet Bakiri, e cila vinte nga një familje me shumë merita në kohën e luftës, një nga kuadrot, por që u nda nga jeta e pastër. Ishte një nga të 8-at që krijuan partinë e grupit komunist të Gjirokastrës. Ishte një grua e jashtëzakonshme. Për të dalë te pranimi në parti, isha 35 vjet pa gjashtë muaj, sepse 35 vjet nuk futeshe dot në parti, ishte në statut. Më thotë sekretari i partisë: Pse nuk futesh, apo nuk e do partinë? Kjo gjë ishte si puna e oktapodit, që kur e gjen të pafuqishëm, i fut një shigjetë dhe hapet. Edhe, erdha në Tiranë dhe u konsultova me vjehrrën dhe vjehrrin. Më thotë ai: Tani nuk ke rrugë tjetër, se nëse atëherë kishte njëfarë pikëpyetje, tani mund të dënohesh. Vjehrra më tha prapë: si të duash. U futa, por u përkushtova edhe në profesion. Kam punuar pa i bërë dëm njeriut, e duke luftuar mediokritetin e kohës në profesionin tim, duke luftuar intrigat.

Çfarë ndodhi pas ndryshimit të sistemeve?

Pas kësaj kohe, kur ndodhën ndryshimet nga një sistem në një sistem tjetër, (pasi unë nuk e quaj ende demokraci), është anarshi. Madje guxoj dhe i thërras me një emër që e quaj “Putanokraci”. U detyrova të emigroj. Në atë periudhë, djali i madh ishte 15 vjeç dhe nuk e dija se çfarë rruge do merrte. U shkatërrua gjimnazi “Asim Zeneli”, që ishte me shumë tradita, filloi të futej rrugaçëria. Kisha 6 vetë për të ushqyer. Dy prindërit dhe ne të katërt. I them gruas: Unë do iki! Si rrugë më të lehtë me vizë.

Fëmijëve deri në atë kohë, duke qenë dhe minoritarë, ua kishit mësuar gjuhën greke?

Jo. Në shtëpi ne flisnim shqip, sepse bashkëshortja ime Arjana, ishte vajzë e vetme, erdhi në Gjirokastër si shqiptare.

Sa ia vlejti sakrifica që bëtë?

Ia vlejti sepse unë fitova fëmijët e mi. Unë nuk e dija se ç’rrugë do të merrnin fëmijët e mi. Sidomos i vogli, i cili na ka bërë gjyshër sot, është pasionant pas armëve. Dhe në atë periudhë, në një moment kur kishte vajtur me pushime pas’97-ës kishin gjetur një arkë me bomba e granata dhe e hidhnin në tunel. Një pasion i jashtëzakonshëm për armët. Nuk e di si do të shkonte.

Sa të fortë ju kanë bërë këto sfida, jo thjesht si prind, sepse ky është një detyrim i pafundmë deri sa mbyll sytë? Ndryshuat?

Duke qenë minoritar fisi i nënës time dhe babait, pjesa më e madhe ishin andej. Ka ikur në ’22 nga fshati me gjithë familje, kur ishte katër vjeç dhe doli vullnetar në luftën italo-greke, sepse u tha qeveria e atëhershme greke që nëse doni nënshtetësi greke, d.m.th “mish për top”, duhet të shkoni vullnetarë. Dhe shkoi. Mirëpo u shkatërrua ushtria, u kthye dhe mbetën pa ngrënë. U kthyen me pretendimin që sa të mbarojë lufta të kthehet, por u mbyllën kufijtë dhe mbetën aty. Pra, pjesa më e madhe e fisit tim është andej. Kur u hapën kufijtë, i gjithë fisi këtej shkoi andej dhe filluan pretendimet e kërkesat. Ata na pritën shumë mirë, por pastaj u mpinë. Kur vajta unë, u thashë: erdha, nuk dua punë, nuk dua asgjë, por vetëm miqësi e vëllazëri. Por, kam ardhur me mendimin e vendimin që bukën e fëmijëve të mi ta nxjerr nga guri me këto shpatulla. Po nuk e nxora dot, do kthehem. Dhe nuk u kam kërkuar asgjë. Isha i papërkulur, dhe fillova si punëtor. Kur punoja në Omonia, kush ka qenë, aty ku rrinin të gjithë shqiptarët, në verë ishte 46 gradë nën hije. Unë e merrja llastikun që përvëlonte dhe e hidhja në krah. Punoja me lopatë, punëtor. Ishte një gjirokastrit atje, nga ata që gjuanin dhe e nxirrnin lekun ndryshe, më shikonte e nuk më njihte. U afrua afër e më thotë: Ti je Nikolla Llambro? Po, ia kthej. Se më kishte parë në qytet të veshur, me kravatë e me dosje, e më thotë: Si ke rënë kaq poshtë, më thotë. Kam rënë poshtë, pse? Ç’po bëj? Vjedh, kurvëroj, drogoj, pse kam rënë poshtë? Hiç.

6

Sa zgjati kjo periudhë?

Zgjati dhjetë vjet. Punoja 18 orë në ditë-natë në një punë. Shkëputesha gjysmë ore sa për një dush, apo dhe mund të haja, kishte raste që dhe nuk arrija prej autobusëve. Ky orar zgjati gjashtë vjet, por ama kur ika nga firma, pronari më tha, mos ik, se i fundit që do i vërë çelësin do jesh ti. Nuk e lejova të më shtypte. Punoja me sforco të jashtëzakonshme që të ruaja personalitetin e të mos i jepja rast. Arrita që fëmijët e mi të rriten e të edukohen. Djali i madh Martioni u regjistrua për pastiçeri dhe ka mbaruar për Shkollë Turistike. Tani është bërë shef, është bërë një nga më të mirët e Greqisë, është ambasadori i vetëm i Greqisë për Kakao Barinë, firma më e madhe e çokollatës me bazë në Belgjikë dhe që qendrën e ka në Spanjë dhe i 77-ti në botë. I vogli, Elvisi mbaroi për Teknikë Elektronike. Punon në një firmë servisi, është një djalë i shtruar, duarartë. Është një teknik që ka zënë vend dhe unë atij fëmije nuk ia kam frikën sepse kudo që të jetë ai vërtet do ta nxjerri bukën nga dheu.

Si e ndani sot kohën e lirë me zonjën?

Grindemi në këtë periudhë. Kur vinim nga puna, qetësi shtëpia. Më thoshte Arjana: Po këta, nuk dëgjohen sot. Ajo grua për mua është gjithçka, sepse së pari sakrifikoi, la Tiranën në atë periudhë në ’76 dhe erdhi në Gjirokastër. Kur i thanë babait të saj se ku e ke fejuar vajzën, ai i tha: në katakombet e Gjirokastrës. Jo se e bëra me detyrim, e doja, e dua dhe do ta dua derisa të kem jetë. Jemi një çift që kur na shikonin në Gjirokastër veç e veç, u bënte përshtypje. Edhe tani vijojmë të dalim e jemi bashkë. Kur më kërkon ndonjë mik për kafe pasdite, u them: nuk dal pasditeve. Nuk e kam zakon. Nuk e lë gruan vetëm. Kohën e lirë e ndajmë bashkë. Vjet që nuk ishim të ngarkuar, sepse këtë vit kemi dy fëmijët e vegjël, kur nuk ishte Irisi, mbesa, me makinë dilnim anës detit. Është jashtëzakonisht bukur. Një jetë familjare e lidhur e të lidhur dhe me fëmijët shumë. Kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, që përgjërohen, e kjo është meritë e Arjanës. Unë kam ecur në profesion, janë 26 vepra në Greqi, por edhe tani nëse kam ecuri, ajo më thotë, do të shkosh. E gjitha meritë e saj. Erdha luajta në një film të Edmond Budinës e më duhej të largohesha një muaj gati. Tërë ngarkesa i ra asaj, por e përballoi.

8

Në periudha kur ju është dashur të punoni jashtë profili, sa shpesh ju shkonte mendja apo ndjenit keqardhje që pse unë gjendem këtu dhe jo aty ku jap shpirtin?

Hyrja në pjesën e dytë të jetës ishte rastësi, por kur ika në Greqi atje thoshin që paratë i marrin me lopatë. Duhet të ishte budalla ta besoje që Europa do na hapte dritën jeshile. Amerika do na japë çekun e bardhë, apo çdo gjë do fillonte nga zero. Në periudhën e parë, mund të fitoje 300-400 mijë dhrahmi. Ata që kishin punuar 2-3 muaj i dorëzonin në bankë. Po të punoje në bujqësi merrje 250 mijë në muaj. Kur shkova atje, isha me një vendim të plotë, që do punoja për familjen. Nuk kisha asnjë të ardhme tjetër. Kur shkova në dy shfaqje, mund të them që ajo që vulosi largimin nga profesioni, ishte shfaqja e Lorkës, “Dasma e përgjakur”. Atje kam qarë. Kjo ishte tronditja e madhe shpirtërore. Vajta takova një nga përfaqësuesit e shfaqjes, mirëpo unë nuk dija greqisht. Atë greqishte që dija, ishte ajo e gjyshes time, e vjetër, e krahinës veriore. Nuk mund të luaja asgjëkundi. Më thanë që është jashtëzakonisht e vështirë. Më tej më rekomandoi një nga aktoret te një regjisor. Doli një propozim që të luaja një rol episodik në një film, i cili më vonë fitoi çmim. Pagesa ishte qesharake, por mora pjesë. Në atë kohë sapo kisha filluar punë në një firmë reklamash. U thashë: unë jam aktor. Asnjë nuk e besonte që një aktor të punonte në ndërtim. Kushëriri i parë i mamasë time, i cili bënte oxhaqe, kur i thosha unë që isha aktor, eee më thoshte. Por kur takuam shqiptarët që njëri më thoshte Mato, e tjetri Zeman, mbeti. Më thotë pronari: nëse ke ardhur në Greqi që të mbash familjen si aktor, unë të këshilloj të ikësh. Puna jote që të mbash familjen, është këtu. U dërgova kastit që nuk mund të merrja pjesë se nuk më linte pronari, e kështu zgjati.

7

Po hapat e parë të mundësive cilat ishin?

Manushus Manushaqis, nipi i Irene Papas, në ’92 kishte filluar një seria me pjesë policeske. Në një nga ato ishte për mafien shqiptare. Se ku kishte gjetur emrin, e më thirri të bisedonim. Donte të dhëna dhe njerëz që dinin shqip. Kryemafiozi ishte shqiptar. Me rezymenë që më bëri për skenarin, unë i thashë që nuk prononcohem. Nuk dua të luaj se shqiptarët nuk janë të tërë mafiozë. Rastësisht, kur firma që punoja unë ishte mbyllur e unë isha në asistencë, prapë i njëjti regjisor nxjerr lajmërim se donte aktorë shqiptarë për serialin “Dashuria erdhi nga larg”, i cili bëri shumë bujë. U paraqitëm dhe i thashë regjisorit Manushaqis: kam dëshirë të shohësh një film. Kisha marrë kasetat e këqija që shiteshin rrugëve, ku ngjyrat ishin jo cilësi e mirë. Vumë “Liri a Vdekje”. Ai pa momentin e luftës së Mashkullorës. Mbeti pa frymë dhe tha: Unë këtë film sot nuk e xhiroj dot. Kjo është një simfoni! Fillova me serialin dhe ai ishte rikthimi në profesion. Mbas asaj dhe derisa dola në pension, kam jetuar me profesionin, me dinjitet e forcë si aktor shqiptar, i mirëpaguar si emigrant në kinematografi, kam bërë shumë reklama edhe jashtë shtetit, kam luajtur me gjermanët, polakët, kam vajtuar deri në Keip Taun, reklamë për në Kenia.

5

Është më e gjatë koha në profesion në Shqipëri apo Greqi?

Në teatër numëroj gati 37 role, pjesa e madhe në Teatrin e Gjirokastrës, ku në vitin ’76 mora diplomën në Teatrin e Gjirokastrës me “Njeriu me top” në Festivalin e Teatrove Profesioniste që u zhvillua në Tiranë 1978, ku mora çmimin si aktori më i mirë i festivalit, ndërsa në kinemanë shqiptare jam i pranishëm me rreth 9 filma, ndërsa në Greqi kam më shumë. Janë 4 pjesë në teatër, pjesën më të madhe e kam refuzuar se nuk paguhet periudha e provave. Ajo që nuk më pëlqen është se fillon sezoni në tetor e mbaron në prill. Kjo i mërzit aktorët.

9

Ke nostalgji për periudhën se si punohej në atë kohë në Shqipëri?

Ne kemi qenë heronj. Po të tregoj që në filmin “Liri a vdekje”, në të cilin kemi xhiruar luftën e Mashkullorës në Jergucat, në nuk kishim as ujë të pinim. Mbase ishte mungesë përvoje, na thahej goja për një kafe, punonim nga ora 8 e mëngjesit deri në 7 të darkës të lagur, 21 ditë, por edhe në filmat e tjerë, ku interpretonin aktorë si Rikard Ljarja në filmin “Rrugë të bardha”, apo aktorët te “Dimri i fundit”, ku përfunduan me dëborën në brez. Me 130 lekë dietë që unë nisesha për film, gruan time e zinte tmerri. Vija dy rroga mujore brenda se nuk dilte. Por nga pikëpamja profesionale ne punonim me shpirt. Sot nuk ka skenarë, është vetëm ai letrar, jo profesional, regjisorial. Edhe në Greqi punohet në mënyrë amatoriale.

Për kë rol të merr më shumë malli?

Të gjitha rolet janë si fëmija për prindin. Do të veçoja nga teatri “Duke gdhirë viti ‘45” që kanë bërë edhe në spektatorë. Janë disa, po ajo që më bëri të vërtetoj se jam akoma gjallë në skenë, është shfaqja “Emigrantët” në Teatrin e Botës së Re në Greqi, me aktorin tjetër shqiptar Karafil Shena, ku Laert Vasili ishte regjisor. Ne kemi dhënë dy sezone, 70 vende salla, por kishte raste që duhej të tregoja kujdes mos shkelja spektatorët. Patëm 4 raste të rënit të fikët nga spektatori. Spektatori nuk ikte, rrinte dhe një orë më pas. Dhe një ish-i juntës, i cili shoqërohej me një shqiptare që punonte me të, erdhi e na përgëzoi. Na bëtë t’ju shikojmë si njerëz. Ai ishte kryeroli im i shekullit të ri. Kam luajtur te “Njerëz dhe minj” të Stainbek, në përgjithësi edhe në Greqi më ka rënë rasti të luaj me aktorë të mëdhenj. Një film tjetër ku mora çmimin si aktori më i mirë i festivalit në Pogradec, është filmi “Maria”, një rol epik, portreti më jep ndjesinë e teatrit antik. Nuk i veçoj dot rolet. Zeman Mashkullora është një rol që në e kam luajtur me shumë dashuri, por nuk mund të lë mënjanë Gaqon te “Nata e parë e lirisë”. Apo Beshar Gjyrasi ku kam luajtur me Sandër Prosin që ishte një ëndërr, me Piro Manin në Gjirokastër ishte e jashtëzakonshme.

2

Si i ruan sot kontaktet me kineastët shqiptarë, aktorët, regjisorët?

Keq. Ndryshimet sollën edhe mangësi. Unë e shikoj që zgjati shumë dhe po humbasim shumë kohë. Edhe historia nuk të fal. Janë 27 vjet. Janë bërë filma, por nuk është një film që të thuash, ky film mbeti, siç ishte “Lulëkuqet mbi mure”, doli jashtë dhe u thyen koncepte e dyer pavarësisht ideologjive. Nuk kam pasur shumë oferta, përveç Edmond Budinës ku luajta te filmi “Balkan Pazar”, te “Të thyerit” ku kam rol kryesor, si edhe me Robert Budinën, i cili më ofroi rol në filmin “Agon”.

Arti ju frymon, sa shfletoni në përditshmërinë tuaj për të?

Nuk mund të rrish pa lexuar. Vjen Orfeu e të heq librin nga dora. Unë e gjej kohën e jam në kontakt sa mundem. Kam mall të shoh shfaqje.

Më shumë teatri apo kinemaja?

Teatri më pëlqen më shumë, por zgjedh kinemanë.

 

***

Nikolla Llambro u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, Dega e Dramës më 1974. Në jetën artistike ka spikatur në skenën teatrore, por dhe në kinematografi, duke sjellë me dhjetëra personazhe para publikut. Roli i parë në skenën teatrore ka qenë tellalli në vitin 1974 me dramën “Kohë Lufte” që u vu në skenën e Teatrit të Gjirokastrës. Më pas të tjerë role në këtë teatër ndër vite janë dhe “Fundi i Një Dredhie” më 1979, me rolin xhandari Sheme, më 1975 roli i bariut në “Shtërngatë në male”, më 1976 në dramën “Njeriu me Top” vjen me rolin Mato Gruda (Heroi i Dramës), me të cilin u shpall dhe  Fitues i Çmimit të Parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesionistë zhvilluar në Tiranë. Po këtë vit sjell rolin e Besharit, heroi i dramës, në veprën “Duke u gdhirë viti 1945”, më 1978 roli i Ganiut në dramën “Në ngjitje Thanas Borodani”, më 1982 roli i pensionistit në komedinë “E fejuara ime”, etj, dhe roli i fundit më 1990 në teatrin e Gjirokastrës është Monuni në “Beselam pse të flijojnë”. Më pas jeta artistike vijon në teatrin grek me role në veprat “Emigrantët”, “Njerëz Dhe Minj”, “Ikaros Lindja e Fluturimit”, etj. Sa i takon kinematografisë, aktori Nikolla Llambro ka dhjetëra role. Fillojnë në vitin 1974 me rolin e Mitaqit në filmin “Shpërthimi” regjia Muharrem Fejzo, 1975 roli i Aleksit në filmin “Në fillim të verës” me regji nga Gëzim Erebara, 1978 “Koncert në vitin 1936” roli i shoferit Qemal, më 1979 roli i Zeman Mashkullorës në filmin “Liri e vdekje”, regjia Ibrahim Muça, 1984 “Nata e Parë e Lirisë”, më 1985 roli i Gogos në filmin “Gurët e shtëpisë sime” regjia Dhimitër Anagnosti, më 1988 roli i Vasilit “Bregu i Ëndrrës”, etj. Mes serialeve në Greqi përmendim role si Ramizi më 2002 në serialin televiziv “Dashuria erdhi nga larg”, më 2005 filmi “Sheshi Kollonaqi” shefi i policisë, 2006 filmi “Eduart” gardiani i burgut, 2006 filmi “Pandora”, Anestis rol kryesor, më 2008 “Maria”, Janis rol kryesor, etj.

1 3 4

1 10

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com