Në fokus

May 28, 2016 | 12:13

Alfred Moisiu: Një rrëfim për…

NË EMËR TË ORIGJINËS

Moisitë janë vendosur në Kavajë që në fillimet e shekullit të 16-të, apo ndoshta edhe më parë, sipas regjistrit të Kishës së Shën e Premtes. Në librin e Prof. Dr. Kristo Frashërit, “Historia e Tiranës” janë dy akte të regjistruara në kodikun e kishës së Kavajës, njëri prej të cilëve i përket vitit 1796, në kohën e pushtimit Osman, ku përmendet se për kishën e Shën Prokopit në Tiranë, Haxhi Moisiu, dhuroi 1600 aspra. Gjyshi im nga babai, Theodori, ka qenë njeri i ditur dhe patriot. Ishte fëmija i dytë. Ngjarjet e detyruan gjyshen time të përballonte një jetë të vështirë për të rritur e vetme katër fëmijët. Stërgjyshi im Grigor Moisiu ka pasur një vëlla, Konstandinin, i cili kishte djalë babanë e Aleksandër Moisiut, artistit të madh të skenës botërore. Pra Spiro Moisiu dhe Aleksandër Moisiu kanë qenë kushërinj të dytë. Vëllai i gjyshit tim Xha Petro na tregonte për bëmat Aleksandrit kur vinte në Kavajë, ashtu edhe dhomën ku flinte. Fatkeqësisht ajo shtëpi është prishur në 1956, për arsye të panjohura. Gjatë kohës që isha president bëra përpjekje për ta rindërtuar shtëpinë, për ta kthyer në një muze të artistit. Por nuk u arrit gjë. Nëna ime Aspasia, e bija e një njeriu të rëndësishëm në vendimmarrje u kujdes për edukimin tonë. Babai im, Spiro Moisiu, ka pasur një jetë e cila lidhet me periudhat më të vështira që ka kaluar vendi ynë. Ai ka marrë pjesë në gjashtë luftëra, si në atë kundër ushtrisë jugosllave në Kaptinën e Martaneshit deri ato italo-greke në ‘40 dhe në luftën Nacional-Çlirimtare gjatë viteve’42-‘44, ku ishte Komandant i Shtabit të Përgjithshëm. Përveç këtyre ai ka qenë dëshmitar aktiv i të gjitha zhvillimeve kryesore të Shqipërisë nga viti 1919 deri në vitin 1981, kur dhe ndërroi jetë. Ajo që ndikoi në karrierën ushtarake të tim eti ishte mundësia që iu dha në vitin ‘14 për të vazhduar studimet në Vels të Austrisë, dërguar nga Princ Vidi bashkë me 20 djem të qytetit të Kavajës. Karriera e tij ushtarake ka qenë vazhdimisht në ngritje deri në ‘65, vit kur doli në pension me gradën Gjeneral Lejtnant.

USHTARAKU

Unë kam lindur më 1 dhjetor 1929 në Shkodër, në shtëpinë e Stakajve në lagjen Dugajat e Reja. Shkollën fillore, për shkak të detyrave të babait, e kam kryer në vende të ndryshme. Ndërsa të mesmen në liceun e Tiranës, sot gjimnazi Qemal Stafa. Uniformat dhe pajisjet ushtarake të im eti që ndodheshin në shtëpi, për mua si për çdo fëmijë të asaj moshe, ishin shumë tërheqëse dhe mbrujtën një dëshirë dhe respekt për jetën ushtarake. Në vogëli, kur bisedoja me nënën, për t’i rrëfyer dashurinë, shpesh i thosha se kur të rritesha do të bëhesha doktor, që të kujdesesha për shëndetin e saj. Më vonë, kur shikoja që ndërtoheshin shtëpi, rrugë, ura ndërrova mendje dhe i thosha që do të bëhem inxhinier. Kështu duke e pasur shumë për zemër profesionin e ushtarakut, u specializova në të njëjtën kohë edhe si inxhinier, pra u bëra inxhinier ushtarak.

NË KOLLTUKUN E PRESIDENTIT

Unë pata nderin dhe fatin që, për pesë vjet t’i shërbej popullit dhe vendit tim në detyrën e Presidentit të Republikës. Përgjegjësia e kësaj detyre më nxitën të hedh në letër një pjesë të arkivit memorial personal në librin që e kam emërtuar: “Midis Nanos dhe Berishës”. Gjatë pesë viteve më ka ndodhur të përjetoj ngjarje të gëzuara e historike, ngjarje dramatike dhe fatkeqësi të rënda. Me sa munda shkova të takoj banorët e çdo zone, çdo “ishulli” të harruar nga politika dhe njëherësh në emër të vendit tim të bisedoj me pjesën më të madhe të liderëve botërorë. Për herë të parë institucioni i Presidentit u shfaq si avokati i vendosur i institucioneve kushtetuese, roje e Kushtetutës dhe e frymës së saj, për një shtet ligjor, demokratik e të integruar. …Më ka mbetur peng që të dy kryeministrat shqiptarë, me të cilët bashkëpunova gjatë presidencës time, nuk më kuptuan që në përplasjet me ta nuk kisha asgjë personale. Asnjëherë nuk jam ndeshur për kokëfortësi, dëshira apo interesa. Dëshira ime e vetme ka qenë forcimi i shtetit demokratik dhe ligjor, për të qenë një vend i vërtetë sipas parimeve që kërkonte BE, me qëllim që Shqipëria të shënonte prosperitet dhe të forcohej drejtësia dhe mirëqenia në vendin tonë. Kam pasur vlerësime të larta nga Presidenti i SHBA-ve Xhorxh VV. Bush, nga Mbretëresha Elisabeth, nga Presidenti i Polonisë, i Kroacisë Mesiç, i Lituanisë dhe disa shteteve të tjera. Së fundi por me simbolikë të veçantë, nga udhëheqësi historik i Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova. Çdo vlerësim e kam parë dhe trajtuar si vlerësim për vendin tim, të cilin pata fatin ta drejtoj në një periudhë historike të rëndësishme të tranzicionit, integrimit euroatlantik dhe të pavarësisë së Kosovës.

FAMILJA DHE FËMIJËT

Familja ime është e madhe, pasi bashkë me time shoqe Milicën sollëm në jetë katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë. Përqendrimi im në punë në mënyrë të vazhdueshme pati krijuar një disproporcion në dedikimin tim ndaj fëmijëve, që me shumë kujdes u përmbush nga bashkëshortja ime. Por megjithatë, për kohën që isha pranë familjes, jam kujdesur që fëmijët e mi të mos shkëputen nga tradita dhe performanca familjare e Moisive. Duke i edukuar të ndershëm, të përkushtuar për arritjen e kulturës dhe formimit profesional. Tre mbesat e mia dhe nipi i vetëm, më kanë mbushur jetën duke më dhënë një kënaqësi të pamatë, të cilën e kam kaluar tani te stërmbesa ime Sofia, që ka kaluar vitin e parë dhe ende nuk e ka njohur stërgjyshin e saj plotësisht. Shpresoj se do të arrij që të dal me të shëtitje për t’i treguar personalisht mbi trungun nga i cili rrjedh.

KUR TROKET PLEQËRIA

Edhe pse jam i moshuar, prapë dua të besoj se jeta është e bukur dhe duhet vlerësuar, për ta bërë atë sa më të pëlqyeshme, të gjallë e të gëzueshme. E di që vdekja është diçka që nuk mund të evitohet, por nuk e mendoj atë. I përmbahem mendimit se ajo ka punën dhe të drejtën e saj mbi krijesat njerëzore, ndërsa ne kemi të drejtën tonë për ta jetuar secili sipas mënyrës së vet. Kur shpesh kthej kokën mbrapa, sigurisht më vjen keq që gjatë jetës kam derdhur shumë energji dhe djersë, por nuk pata mundësi të bëja më shumë, për arsye që nuk vareshin nga unë. Më vjen shumë mirë që sot në kushtet e një demokracie dhe ekonomisë së tregut djersa e mundi nuk shkojnë kot. Kjo është një begati për fëmijët, nipërit dhe stërmbesat që do lëmë mbrapa. I kam dhënë fjalën vetes por edhe shoqërisë shqiptare sesa të jem në këtë jetë do të punoj për vendin tim.

JETA DHE VDEKJA

Sigurisht jetën njeriu do ta jetojë ashtu sikurse i vjen me të mirat dhe të këqijat e saj. Jo gjithçka e kemi në dorë ta drejtojmë si duam. Ndarja nga jeta para kohe e bashkëshortes dhe akoma më shumë e djalit tim të vetëm Admirit, ma rënduan bukurinë e asaj që po përjetoj, por çdo gjë duhet pranuar ashtu sikurse të vjen. Përpiqem t’i qëndroj furtunës së jetës duke u përballur me të, duke shikuar përpara, për t’u bërë sa më i vlefshëm për familjen, shoqërinë dhe vendin tim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top