Ca nota nga Moxart a Shubert në sfond, dhe ca bojëra të përziera rrëmujshëm që hidhen mbi një kanavacë të bardhë. Është kjo një pamje sa e kaluar në kohë po aq edhe moderne, thuajse e pandryshuar. Por kjo është dhe ajo që e frymëzon më së shumti. Arti i saj është ndjesia që takon mes shqisash e prekjesh fizike. Një metamorfozë idesh që i jep jetë një imagjinate të shfrenuar arti abstrakt apo një “natura morte” me pamje frutash mbi servis a sende të palëvizshme shtëpiake.
Nga Orjona TRESA | Foto Vlasov SULAJ
Dhe pasi ka shpenzuar të gjitha energjitë aty në botën e përtejme sureale dhe krejt absurde, del të bëjë ritualin e saj të përditshëm, një xhiro relaksuese me biçikletë, pak palestër për të tendosur muskujt dhe një set tenisi për t’u çliruar përfundimisht nga çdo ngarkesë e mundshme negative. Dhe pas kësaj, kthehet sërish në të njëjtin vend, për të marrë sërish pozicionin të vjetër e romantik dhe krejt modern gjithashtu.
Ajo e mbart muzën në gjithë lëmin e kontaktit shqisor dhe kjo me sa duket është menyja e saj e preferuar. Një botë e mrekullueshme që e fton në zgjimin artistik, dhe të vë sërish në gjumë po aty. Ngarkesa krijuese emotive i mbush shpirtin. Kavaleta, telajo, bojërat e vajit dhe vetë penelat janë miqtë e lirisë së saj narrative. Një zinxhir kompakt që plotëson një mision që nuk njeh kohë të plotësisë së tij, mëngjesi herët a nata e vonë. Kjo devizë i jep kuptim krijimtarisë. E në fakt nuk është aspak një transformim i lehtë. Të mishërosh impulse krijuese, pa pasur pathosin artistik në vena, padyshim që do të ishte një mision i pamundur.
E konsideron artin e saj, si ushqimin që natyra ia ka falë pa kushte. Dhe aty, ajo guxon me talentin e saj. Gjithçka të perceptueshme e transformon në vepra unike. Bukuritë e natyrës dhe silueta femërore, familja dhe vazhdimësia, janë frymëzimi i pashtershëm për artisten. Anila Hetoja, tashmë e njohur si piktore me prezantime në publik, në pjekurinë e saj akademike njehson disa diploma. Ky profil nuk sjell vetëm prezantimin e një artisteje, por shumë më tepër se kaq. Atë të një gruaje model për shoqërinë, që i pëlqejnë sfidat, që konkurron me kohën veten, që kërkon të lartësojë imazhin e femrës, duke u rritur si në spektrin profesional, ashtu dhe në garën prindërore e të lirisë së gruas.
Ndoshta nuk ka asnjëherë kohë të lirë për ju, por aktualisht keni lënë pas një periudhë angazhimesh të rëndësishme e pak kohë për çlodhje ka vendin e vet. Në fakt jeni ju natyrë që ngarkesa ju rrëmben apo racionalizimi i gjërave me metodë matematikore ndihmon për të vënë ekuilibrat në vend?
Sapo kam mbyllur dy ekspozitat personale, të cilat më kanë marrë kohë dhe shumë energji. Është e vërtetë që nuk kam shumë kohë të lirë, mundohem ta menaxhoj atë më së miri. Për mua çlodhje është kur jam pranë telajos dhe me një muzikë të mirë në sfond, mund të kalojnë orë të tëra pa u vënë re. Jam natyrë shumë e organizuar dhe e disiplinuar në punën time, dhe në të shumtën e rasteve kam një plan B.
Si erdhi Anila në këto ekspozita, me sa piktura u përfaqësuat në publikun kryeqytetas, atë shkodran, por edhe jashtë kufijve në periudha të tjera kohore?
Në këto ekspozita u paraqita para artdashësve me një koleksion prej 85 punimesh të realizuara në tri vitet e fundit. Në këto koleksione kisha zgjedhur të paraqitesha me një qasje dhe stil disi ndryshe nga dy koleksionet e para, duke eksperimentuar hedhjen në telajo të frymëzimit të marrë në mrekullitë që sjell natyra, ndoshta dhe ta sjell natyrën më të bukur, më të pastër. Gjithashtu, nuk mund të mungonte një perëndim, një lindje, fëmijë duke vrapuar nëpër lëndina, silueta femërore dhe çdo gjë që më ngjall interes e që jam e rrethuar çdo ditë. Kam menduar të jap mesazhe nëpërmjet artit dhe disa nga punimet të punuara me materiale të riciklueshme (si plastikë, karton, komça, bizhu etj.), e tregon më së miri këtë. Gjithashtu, në ekspozitën e kohëve të fundit jashtë vendit në Gjermani, u prezantova pranë artdashësve të Bocholt me veshjet tona tradicionale (nga Jugu në Veri) të punuara në telajo me materiale të riciklueshme.
Gjithmonë preferoj të vij me risi për artdashësit dhe gjithashtu preferoj të luaj me ngjyrat dhe konturizimet që e mundëson teknika e punimeve me gota plastike “work with cups”, e cila është një teknikë e re në Shqipëri dhe që shumë pak artistë e aplikojnë. Jam shumë e lumtur që arrita të përcjell këto risi edhe në qytetin tim të lindjes në Galerinë e Arteve Shkodër, ku u prezantova me rreth 40 punime, të cilat ishin koleksion ndër vite. Ballafaqimi me qytetin e lindjes, vendin ku kam hedhur hapat e para në art, vendin ku kam zbuluar dëshirën e time për pikturën, e konsideroj një tjetër moment të rëndësishëm në krijimtarinë e time artistike.
Si shkoi e gjitha dhe cili është shpërblimi më i madh emocional që morët?
Çdo gjë shkoi shumë mirë. Ishte një përgjegjësi e madhe, emocion i madh, u ndjeva shumë ngrohtë pranë artdashësve shkodranë, dhe ky ishte shpërblimi që mora, vlerësim dhe respekt.
Sa kohë t’u desh të përkujdeseshe për ekspozitat paralele, dhe pse erdhën pikërisht në të njëjtën kohë?
Ekspozitën në qytetin tim të lindjes kisha vite që e mendoja dhe e kisha si një detyrim për veten time, gjithashtu dhe për familjen time. Unë i kisha gjërat e qarta, punët i kisha aty, kisha vite të tëra që i kisha koleksionuar, pasi në këtë ekspozitë nuk mungonin detaje nga qyteti im i lindjes ku shpeshherë jam frymëzuar. Më është dashur një muaj të organizoj këtë event.
Një artist është i lirë dhe mund të bëjë gjithçka që ai e quan të vlefshme në përmasat e veprave të tij. Sa ju kanë plotësuar në qëllimet tuaja këto ekspozita?
Një artist ndjehet i plotësuar kur arrin të shprehë veten nëpërmjet artit figurativ, të përcjellë mesazhe të cilat të jenë të kuptueshme për artdashësit. Ky është qëllimi im në çdo ekspozitë të dhuroj, por edhe të marrë emocion.
Çfarë ju motivon për të krijuar?
Motivohem nga njerëzit e mi më të dashur, dashuria që më dhurojnë energjia pozitive që marr prej tyre. Pa qetësi shpirtërore do ishte shumë e vështirë të bërit art dhe këtu më vjen ndër mend një thënie e Tolstoit, “Arti është pasqyrë e jetës”. Prandaj në krijimtarinë time artistike ka shumë jetë, ngjyra, dashuri, pasi unë mundohem të përcjell ndjesinë shpirtërore timen.
Lëvroni tema të ndryshme, ndërsa dominojnë natyra, peizazhet, por edhe figura femërore. Cila është semantika e kësaj lidhjeje që gjeneron një burim të pashtershëm krijues tek ju?
Me natyrën unë përfshij çdo gjë që na rrethon, qoftë ajo humane apo bota shtazore, e cila lidhet nëpërmjet ndjesisë shpirtërore. Të gjithë këto elementë së bashku plotësojnë njëra-tjetrën dhe që më ngacmon në krijimtarinë time artistike.
Sa ndihmon forca e të shprehurit me anë të penelit për të përcjellë mesazhe të botës shpirtërore?
Peneli për mua është si një stilolaps në dorën e një shkrimtari. Me të arrij që nëpërmjet ngjyrave, të arrij të ngacmoj ndjesinë shpirtërore.
Fanatike e pikturave që kanë një domethënie të veçantë e që nuk i shisni? Cilave periudha u përkasin nëse ka diçka?
Po, ka disa punime që unë i koleksionoj i mbaj për vete dhe që kanë një kuptim dhe domethënie. Ato i përkasin fillimeve të mia artistike, ku janë shpalosur kujtime, ndjesi të cilat janë shumë të rëndësishme për mua.
Sa me fat ndiheni që Shkodra, si djep kulture dhe artdashëse në përgjithësi, veçanërisht pikturës, jua ka trashëguar këtë gjini?
Jam me fat që jam pjesë e një baçeje me lule bore, e cila rigjenerohet çdo vit dhe që s’e humbet asnjëherë shkëlqimin e saj (e thënë kështu në mënyrë figurative). Shkodra, një djep kulture që vazhdon brez pas brezi të nxjerrë artistë të rinj dhe që përfaqësojnë veten e tyre, si brenda dhe jashtë.
Ndoshta shumë ju identifikojnë me pikturën, ndërsa ju vini nga një formim akademik për ekonomi si dhe interior&design. Si i alternon këto fusha dhe si është Anila në raport me secilën?
Jam diplomuar për Eknomik sepse në atë periudhë doja të merrja një profesion, i cili të më shërbente për të ardhmen, por unë asnjëherë nuk jam ndarë nga piktura dhe me kalimin e kohës mendoja që duhet të plotësohesha më shumë nga ana profesionale në fushën e artit. U diplomova në Kanada, Toronto, në fushën e Interior Design, në një nga universitetet më të njohur në fushën e artit. Me këtë nënkuptojmë se për asnjë arsye s’duhet të heqim dorë nga ëndrrat tona, të cilën unë e realizova me shumë sakrificë, dhe çfarë është më e rëndësishme, me shumë dashuri.
Cila përmbush profesionin, cila ëndrrën dhe cila pasionin?
Ndihem mirë, e realizuar. Është plus për mua dhe nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë, sepse në punën e përditshme si Interior Designer më ndihmon që të jem më e saktë gjatë përllogaritjeve. Tek unë pasioni është në të dy profesionet dhe që falë talentit, pune s’kam realizuar ëndrrën time, e cila është piktura dhe të cilën e bëj me pasion.
Çfarë duhet të kemi parasysh në arredimin e brendshëm dhe cilat janë tendencat e 2019?
Mundohuni të krijoni në ambientin tuaj sa më shumë dritë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi lejon rrezatimin dhe ngrohtësinë nga jashtë-brenda, e cila është shumë e rëndësishme në ditët gri dhe me shi. Gjithashtu, duhet të kenë parasysh ngjyrat që përdorin. Sa më thjeshtë dhe minimalist, pasi në fund të fundit, ambientet e brendshme janë për t’u relaksuar dhe për t’u ndjerë, sa më ngrohtë. Gjithashtu, duhet të kenë parasysh, marrëveshjet simetrike, të cilat lidhen me hijeshi dhe harmoni. Prandaj, gjithmonë synoni të ndiqni rregullat e simetrisë, veçanërisht kur planifikoni pozicionin e elementëve kryesore në një dhomë.
Përdorimi i shumësimetrisë në një dhomë krijon një atmosferë shumë formale. Gjithashtu të mbeten në një stil, mos të ndërthuren elementë të ndryshëm në një design, që do të thotë klasik, me elementë klasik, modern, me element modern. Do të doja ta theksoja këtë, pasi shumë herë ndeshemi me këtë fenomen.
Disa nga tendencat në këtë periudhë janë stili industrial dhe ai modern. Stili industrial i referohet një tendence estetike në dizajnin e brendshëm, që merr gjurmë nga fabrikat e vjetra dhe hapësira industriale. Elementët e stilit industrial janë hekuri, druri, ngjyrat e tokës, etj… Ndërsa stili modern i referohet ndikimit të artit modern në dizenjimin e brendshëm, por nuk i referohet domosdoshmërisht epokës apo moshës së dizajnit. Disa nga elementët e stilit modern janë kristalet, hekuri, guri, letrat murale, format gjeometrike. Gjithashtu karakterizohet nga ngjyra të ftohta.
Sa ju kanë rritur të gjitha, në të qenit personaliteti që jeni sot? Keni ndryshuar apo…?
Jam rritur nga ana profesionale, por kjo nuk do të thotë që kam ndryshuar si tip apo karakter. Jam gjithmonë vetvetja.
Jeni bashkëshorte dhe nënë e dy vajzave të rritura. Si është koha që ndan me ta dhe ka vend për “mea culpa” për shkak të angazhimeve që duan kohë?
Arti do kohën e vet dhe të rrëmben orar pa orar. Koha që kaloj me fëmijët është momenti më i bukur. Jemi prindër të lumtur dhe me shumë fat që kemi dy engjëj në gjirin e familjes. E nëse do i referohesha shprehjes tuaj “mea culpa”, ne jemi gjithmonë të pranishëm në çdo hap të jetës së tyre dhe do të jemi gjithmonë pranë “si çdo prind”sa herë të kenë nevojë për ne. Është e vërtet arti do kohën e vet dhe pa mbështetjen e familjes time s’do arrija të isha këtu ku jam sot. Familja është mbështetja ime më e madhe dhe kritikët e mi në fushën e artit.
Si do ta konsideronit veten si grua?
E konsideroj veten time si një njeri të përmbushur dhe racional në dëshira. Nuk jam perfekte dhe nuk do të doja të isha. Thjesht, jam vetvetja.
Anila Hetoja…
…ka lindur në Shkodër, një qytet me tradita dhe tejet artdashës, nga ku ka marrë edhe dashurinë për artin dhe për të bukurën. Frymëzimin që merr nga arti i saj, ajo e transmeton me një stil të veçantë, pa kursyer asnjë detaj. Piktorja Hetoja i është dedikuar artit vizual që në moshë të hershme, duke përcjellë në telajo frymëzimin e marrë tek natyra, duke sjellë kështu forma të reja të gjallërisë dhe larmishmërisë në artin bashkëkohor shqiptar me një stil tjetër. E diplomuar në ekonomi, Anila paralelisht me arsimimin dhe ushtrimin e profesionit, ka kultivuar në vazhdimësi dhe me kurajë pasionin e saj për pikturën, i cili u kompletua dhe me disiplinën e Interior Design në sajë të edukimit specifik të kryer në Toronto, Kanada, qytet ku Anila jetoi për disa vite me familjen.
Me kthimin në Tiranë, Anila shkarkoi muzën bartëse të ideve që kishte ndërtuar në sedrën e saj artistike, duke iu prezantuar publikut artdashës me punimet e para në një ekspozitë personale. Ekspozitat e Anilës pasojnë njëra-tjetrën, jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë vendit, si Gjermani apo në Kanada ku dhe ka studiuar në një ndër Universitetet më të njohur në fushën e dizanjit. Deri më sot numëron 6 ekspozita në përkushtimin e punës 30-vjeçare, të cilat kanë bërë jehonë për suksesin që kritikët kanë konfirmuar. Pas koleksionit “Love” në vitin 2016 dhe “Motivet Tradicionale” në vitin 2017 (dhe një sërë aktivitetesh ku ka marrë pjesë në bashkëpunim me artistë të tjerë), Anila sjell për artdashësit në 2019 koleksionin e tretë të titulluar “Natyrë “. Koleksioni përmbante rreth 85 punime të punuar në dy vitet e fundit. Me këtë koleksion, Anila ka zgjedhur të paraqitet para artdashësve me një qasje dhe stil disi ndryshe nga koleksionet e para, duke eksperimentuar hedhjen në telajo të frymëzimit të marrë në mrekullitë që sjell natyra.
Disa nga punimet e saj janë punuar me material të riciklueshme (si komça, bizhu, etj). Anila, si gjithnjë, preferon të luaj me ngjyrat dhe konturizimet që ia mundëson teknika e punimit me gota plastike “work with cups”, të cilën e njeh dhe e përdor më së miri. Gjithashtu në ditën e luleve të qytetit të Shkodrës Anila kthehet pranë artdashësve me rreth 40 punime, të cilat ishin një koleksion ndër vite.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.