Këshilla & Arsye

January 15, 2021 | 8:19

Ankthi: deri kur na mbron dhe kur fillon të bëhet çrregullim?

Lediona Braho, Psikologe dhe Terapiste

Lediona Braho, Psikologe dhe Terapiste

Ankthi është përgjigjia natyrale e trupit tuaj ndaj stresit. Është frika për diçka që mund të ndodhë. Dita e parë e shkollës, një intervistë pune, prezantimi para një publiku – të gjitha këto mund të përjetohen me frikë dhe nervozizëm nga shumica e njerëzve. Mirëpo, nëse ju përjetoni ankth të lartë në këto situata dhe në situata të ngjashme, që zgjat për më tepër se gjashtë muaj dhe nëse ankthi ju pengon në jetën e përditshme, gjasat janë që ju po vuani nga një çrregullim ankthi.

Web

Çfarë është një çrregullim ankthi?

Në përgjithësi, ankthi është i pakëndshëm, por mund t’ju motivojë që të punoni më fort dhe t’ia dilni mbanë në jetën dhe në punën tuaj. Ankthi i zakonshëm është një ndjenjë që herë vjen e herë shkon, por ai nuk e ndërpret jetën tonë të përditshme. Nëse ankthi është i pranishëm gjatë gjithë kohës, i fortë dhe bëhet bllokues, atëherë kemi të bëjmë me një çrregullim ankthi.

Çrregullimet e ankthit janë çrregullimet emocionale më të zakonshme që mund të prekin këdo, në çdo moshë. Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, gratë dhe vajzat diagnostikohen më shpesh sesa djemtë dhe burrat me një çrregullim të ankthit.  Dikush që vuan nga një çrregullim ankthi nuk arrin dot të kryejë gjërat që dëshiron. Në raste ekstreme, ankthi mund ta pengojë personin të përdorë ashensorin, të kapërcejë rrugën, madje edhe të dalë nga shtëpia.

2

Disa lloje të çrregullimeve të ankthit

Ankthi është pjesë kryesore e disa çrregullimeve, si:

Çrregullimi  i panikut: Përjetimi i përsëritur i atakeve (sulmeve) të panikut në momente të papritura. Personi me çrregullim të panikut mund të jetojë me frikën e përjetimit të një ataku tjetër.

Fobia:  Frika e tepruar nga një objekt, situatë apo aktivitet specifik, si: fobia nga lartësitë, nga gjaku, errësira, etj.

Çrregullimi i ankthit social: Frikë ekstreme se mos gjykohesh nga të tjerët në situata sociale.

Çrregullimi obsesiv-kompulsiv: mendime irracionale të përsëritura të cilat të shpien në përsëritjen e disa sjelljeve specifike, si: larja e shpeshtë e duarve, në përgjigje të mendimit “mund të infektohem me një sëmundje”.

Çrregullimi i ankthit të ndarjes: Frika e largimit nga shtëpia ose nga njerëzit e dashur.

Çrregullimi i ankthit nga sëmundjet: Ankthi për shëndetin (më përpara është njohur me emrin Hipokondriaza).

Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD): Ankthi i përjetuar pas një ngjarjeje tronditëse/ traumatike.

3

Cilat janë simptomat e ankthit?

Ankthi përjetohet në mënyra të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Ndjenjat mund të variojnë nga “ndjesia sikur kam flutura në stomak” te “rrahjet e shpejta të zemrës”. Dy ndjesi të zakonshme mund të jenë: “nuk kam kontroll” dhe “më duket sikur mendja dhe trupi janë të shkëputura”. Simptoma të tjera mund të jenë: ëndrrat e këqija (makthet), sulmet e panikut, mendimet dhe kujtimet e dhimbshme, të cilat nuk mund të hiqen nga mendja. Ju mund të keni një ndjesi të përgjithshme frike dhe shqetësimi ose mund të keni frikë nga një vend apo diçka specifike.

Në përgjithësi, simptomat e një çrregullimi ankthi janë:

Rrahjet e shpeshta të zemrës,

Frymëmarrja e shpejtë,

Nervozizmi,

Vështirësia për t’u përqendruar,

Vështirësia për të rënë në gjumë.

 

Megjithatë, simptomat tuaja mund të jenë tërësisht të ndryshme nga ato të dikujt tjetër. Nëse nuk trajtohet, ankthi priret të përkeqësohet. Nëse përjetoni ankth dhe nuk keni gjetur zgjidhjen e duhur deri më sot, konsultohuni me një profesionist të shëndetit mendor: psikolog, psikoterapist ose psikiatër.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top