Radiografi

May 19, 2017 | 10:19

ARKIV/ Me hapin e Luizës

Vrapimi nuk është sport për vajzat “e bukura”… ka djersë, tension, të gërvishtura e flluska në këmbë. Kur pjesa tjetër e botës jeton për të pasur një pasion, ti duhet të jetosh çdo ditë me të. Ky është rasti i atletes 28-vjeçare Luiza Gega. Këmbët e shpejta e nxirrnin faqebardhë në çdo aktivitet të shkollës, kur ajo ishte ende fëmijë, çka bëri që shumë shpejt të kuptojë se ishte e aftë për shumë më tepër. Ndjekja e shkollës “Mjeshtëria Sportive” në Durrës në moshën 13-vjeçare, provoi se ky drejtim i dha guximin për të filluar, vendosmëria, për të mbajtur gjallë përpjekjen, dhe shpirti fëmijëror, argëtimin në këtë rrugëtim të jetës. Qëllimi ishte gjithmonë për të përmirësuar performancën. Dhe ndërsa gjenetika luan një rol të madh, zgjedhjet e jetesës, angazhimet, kufijtë ekonomikë dhe socialë, dëshira e madje edhe fati lartësuan hap pas hapi emrin e saj.

 

Sot, vajza dibrane është krenaria e të gjithë shqiptarëve, që valëvit flamurin dykrenor në gara botërore. “Nënkampione e Europës në Atletikë”, Luiza Gega mbajti gjallë edhe ëndrrën në Lojërat Olimpike “RIO 2016”. “Po më dhimbte shumë këmba. Nuk munda ta duroja dhe e lëshova veten”, më shkroi menjëherë pas përfundimit të garës e dëshpëruar. E vetëdijshme për dëmtimin që pësoi në kampionatin Europian, për kushtet në të cilat stërvitet, beteja në Rio për Luizën nuk ishte betejë për medalje ari, por një betejë me veten e saj, me refuzimin që të ndalet. Jo pa qëllim Mark Allen citon në një nga thëniet e tij: “Gara është dhimbje, dhe kjo është arsyeja pse ju e bëni atë, për të sfiduar veten dhe kufijtë e barrierave tuaja fizike dhe mendore. Ju nuk mund ta përjetoni atë në një kolltuk duke parë televizor”.

Sido që të jetë, ajo e mori një titull Nënkampione e Europës në Austri. Nuk është pak. Ka fitore dhe humbje. Rëndësi ka t’i provosh të dyja këto ndjesi në jetë. Ndaj ne si dashamirës duhet t’ua kursejmë zemërimin tonë fenomeneve si Luiza, me shpirt luftarak dhe atdhetar.

kkkk

Intervista

Si ndihesh emocionalisht pas një gare ku morët çmimin si Nënkampione e Europës në Atletikë?

Emocionet, sidomos në momentin kur mbarova garën, ishin vërtet të papërshkrueshme, aq sa për momentin, kur përfundova garën, isha pak si e ngrirë, pak e hutuar, e lumtur, shumë emocione të ndryshme në të njëjtën kohë. Të them të drejtën kam punuar shumë, jam lodhur shumë, madje dhe kam sakrifikuar shumë për këtë, që në radhë të parë sigurisht është pasion, është punë dhe një karrierë 15-vjeçare. Sigurisht, sidomos kur je lodhur aq shumë dhe emocioni është akoma më i fortë. Të paktën kështu është për mua.

I sati është ky çmim në karrierën tuaj?

Çmimet në atletikë, por dhe në çdo lloj sporti janë të ndryshme. Por mund t’i ndaj kështu: që në garën e parë që kam bërë, kam dalë kampione kombëtare, më pas që nga ai moment e çdo vit në disiplinat 800m, 1500m isha kampione absolute. Në moshën 20-vjeçare fillova të thyej rekorde kombëtare, ku nga ai vit e gjer më sot që flasim, kam rekord në garat: 800m, 1500m, 3000m, 3000m me pengesa 5000m dhe 10’000m. Në fillim kam thyer rekordet e dikujt tjetër, e më pas vazhdoja të thyeja rekordet e mia.

Cila është vlera e kësaj medaljeje jo vetëm emocionalisht, por edhe materialisht?

Sigurisht që përjetimet për një sportist, medalja e niveleve të tilla ka një vlerë të madhe, sidomos emocionale, ku këto emocione do të të shoqërojnë gjithë jetën. Për sa i përket vlerës materiale do të marr një shpërblim që është me VKM, ku vendi i 2-të në Europë shpërblehet me 2 milionë lekë të reja. Sigurisht ka procedurat dhe kohëzgjatjen, por që do të merren sigurisht.

Prireni nga këto të fundit, apo pasioni nuk i zëvendëson dot paratë?

Kur e kam vazhduar sportin, sigurisht që ka qenë pasion, siç është për çdo fëmijë. Por kur ti vazhdon rritesh, rezultatet e tua rriten, kostot për çdo gjë shtohen (ushqim i detajuar, fizioterapi, masazh, bazë materiale)… Të them të drejtën paratë bëhen domosdoshmëri për rritjen e performancës sportive. Përveç faktit që ti kur bëhesh sportiste profesioniste nuk ke mundësi as të punosh, pasi duhet të
stërvitesh 2 herë në ditë, duhet regjim strikt, etj. Pra, në momentin që flasim paratë dhe pasioni janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën, sidomos për arsyet që unë përmenda.

Pati një pritje modeste prej disa sportdashësish në Rinas. Jua përkëdheli sedrën kjo gjë apo prisnit më shumë nga shteti?

Medalja e argjendtë në Europian ishte e para për mua deri tani dhe pritja në Rinas nga ata njerëz dashamirës të sportit dhe të arritjes sime ishte e para për mua. U ndjeva vërtet e lumtur dhe shumë e emocionuar, pasi ne mbërritëm në orë të vona. Ishte ora 01:30 e natës. Avioni për fat të keq u vonua dhe ata kishin 2 orë që prisnin aty. Ishte vërtet shumë bukur dhe unë i falënderoj shumë. Për sa i përket pritjes së shtetit, sigurisht që u ndjeva pak e zhgënjyer, pasi ne e dimë shumë mirë që medalje të tilla nuk na ndodhin shpesh dhe për sportin e Atletikës ishte medalja e parë në një kampionat të tillë. Unë në fakt e dija që nuk do më prisnin, pasi me ne ishte dhe Drejtori i Sporteve, Vladimir Gjoni, i cili u njoftua rreth 4 orë përpara, që nuk do të kishte pritje zyrtare pasi do priteshin analizat anti-doping pastaj do të bëheshin pritjet zyrtare. Kjo sepse ka pasur disa situata të pakëndshme më përpara me sportistë të tjerë. Sigurisht, nuk u ndjeva mirë, pasi unë çdo vit bëj mbi 15 kontrolle dhe kurrë nuk kam rezultuar pozitive në testet anti-doping.

untitled1

Ndihesh e nënvlerësuar në fakt nga shteti për trajtimin që ju bëjnë atletëve dhe jo vetëm?

Unë e di, jemi shtet me shumë probleme, por nuk mendoj që shteti ka aq probleme sa kaq pak sportistë që ka, të mos i vlerësojë, por shpresoj që për Shqipërinë çdo gjë të shkojë mirë si dhe pjesa e vlerësimit të sportistëve.

Ekipi i kuqezinjve në futboll mori pasaportë diplomatike pas arritjeve në Euro 2016? E pretendoni dhe ju një të tillë?

Jo nuk pretendoj pasaportë diplomatike. Nuk është ajo gjëja më kryesore për mua, apo si të thuash ‘kam çdo gjë tjetër dhe më ka mbetur vetëm ajo pa pasur!’. Pretendoj gjërat më të rëndësishme në radhë të parë. Atletika, sot që flasim, nuk ka akoma terrene sportive, nuk ka akoma baza materiale, etj.. etj… Do isha e lumtur që të fillonin të bëheshin gjërat bazë, dhe mendoj që kjo s’do më shërbente vetëm mua, por të gjithë sportistëve dhe të ardhmes së sportit shqiptar.

Sporti kërkon këmbëngulje dhe disiplinë. Cila jeni ju në raport me këto dy përcaktime?

Sporti, sidomos ai elitar, i kërkon patjetër të dyja. Kërkon një vullnet të jashtëzakonshëm, sepse stërvitja shpeshherë është lodhje e madhe, aq sa ti ndonjëherë çdo fuqi tënden të duhet ta lësh aty në pistë, duhet të gjesh prapë fuqi të çohesh e të vazhdosh segmentin tjetër gjer sa ndjen muskujt e çdo pjesë të trupit, jashtë pjesës së stadiumit. Sigurisht kërkon një regjim të madh, kërkon që ti ato fuqi të humbura, t’i rimarrësh sërish me ushqim të mirë, gjumë të mjaftueshëm, etj., sepse së shpejti do të vijë stërvitja tjetër. Pra janë një lidhje e ngushtë me njëra-tjetrën.

Pas garave, cila do jetë vijueshmëria në atletikë?

Direkt pas garës së Kampionatit Europian fillova përgatitjen për Lojërat Olimpike. Në fakt kështu ndodh gjithmonë! Sa mbaron një garë duhet të fillosh stërvitjen për garën pasardhëse. Vetëm në mes shtatori mbyllet sezoni i garave të Atletikës për të filluar një fazë rikuperimi e për t’u pasuar më pas me sezonin tjetër të garave. Pas Lojërave Olimpike ndoshta do të bëj dhe dy aktivitete të tipit “Diamond League” dhe pastaj pak pushim e stërvitje, sepse garat pasardhëse vijnë me shpejt nga sa mendon.

Cilat janë pengjet e Luizës?

Sporti në fakt të merr shumë gjëra. Ti duhet të lësh shumë gjëra pa bërë, qoftë dhe ndonjë drekë me shoqet, ndonjë gëzim familjar dhe ndonjë fundjavë për pushime. Kjo pasi duhet të stërvitesh dhe ti duhet pothuajse të refuzosh çdo gjë, pasi nuk ke kohë, stërvitja kërkon një regjim të madh ku thuhet: “Në qoftë se e lë 1 ditë, të lë 1 javë, e në qoftë se e lë 1 javë, të lë 1 muaj”. Dhe pse ndoshta më mungon shoqëria, shpeshherë dhe familja, pasi kur shkoj grumbullim jashtë, duhet të rri dhe 3 muaj pa i parë dhe kur shkoj i takoj më duhet të rri shumë pak me to. Këto janë ndoshta jo pengjet, por gjërat që më mungojnë, që më është dashur të heq dorë për pasionin që kam për sportin. Gjithsesi, kam 15 vjet që merrem me këtë sport dhe më është bërë pjesë e jetës dhe do të jetë shumë e vështirë kur të vijë ai momenti që duhet të shkëputem prej tij.

Kush jua ka trashëguar pasionin për atletikën?

Nuk ma ka trashëguar ndonjë, të paktën asnjë nga familja nuk ka bërë sport profesionist. Por, babi më tregon që në olimpiadat që organizonin shkollat, kur ai ishte fëmijë dilte gjithmonë i pari, por nuk kishte mundësi ta zhvillonte si sport profesionist. Ndryshe ndodhi me mua. Dhe unë, në të njëjtën mënyrë e kam nisur, kur bënim gara ndërmjet shkollave dilja gjithmonë e para. Isha fëmijë shumë i lëvizshëm. Për fatin tim, kisha një të afërm të familjes që ishte trajner tek “Mjeshtëria Sportive” e Durrësit. Ai erdhi dhe i tha mamit e babit: “Kam shumë dëshirë ta marr Luizën ta provojë”. Unë në atë kohë isha në klasë të 8-të dhe sigurisht, kur ishte fjala për sport isha gati.

Po pasione të tjera a ka Luiza Gega?

Kam pasur pasion shëtitjen në vende të ndryshme të botës, ku sigurisht sporti më ka ndihmuar shumë me këtë. Pastaj sigurisht nuk quhen pasione, por gjëra që më pëlqen të bëj si dhe çdo vajzë. Të bëj shopping, blej shumë gjëra dhe në shumicën e rasteve nuk më bie rasti t’i vesh, pasi pothuajse e tërë java më gjen të veshur sportive. Dhe motra ime e vogël është me fat për këtë pjesë, pasi çdo gjë përfundon e veshur nga ajo.

Cili ka qenë idhulli juaj në atletikë?

Kur isha e vogël, në Shqipëri kisha idhull Klodiana Shalën. Ishte sportistja më e mirë shqiptare. Rekordmene e gjithë disiplinave të shpejtësisë. Kur erdha në Universitet, u ndjeva me fat që u bëra pjesë e ekipit të saj, pasi më ka ndihmuar shumë të shikoj sportin me ambicie.

Cilat janë limitet tuaja? I njihni ato?

I njoh limitet e mia dhe akoma nuk i kam arritur ato, mendoj që kam akoma rrugë për të arritur… Sigurisht flas për rrugën në sport, pasi këto janë për momentin sfida ime.

Sa ju ka penguar të qenit femër sportiste përballë staturës mashkullore? Ndihet kjo gjë?

Në fakt, Shqipëria është vend që sidomos sportet individuale, përfshirë dhe atletikën, nuk ka shumë femra që e zhvillojnë. Në ekip për momentin jemi 2, por gjithmonë kemi qenë pak. Unë tashmë jam mësuar dhe ne jemi si familje dhe nuk më bën përshtypje, por mendoj që jo të gjithë e kuptojnë këtë, sidomos njerëzit jashtë sportit. Unë shpeshherë jam e detyruar të shkoj në grumbullime qoftë dhe vetëm me meshkuj, por kjo gjë nuk përbën problem, për mua ata janë shokët e mi, vëllezërit e mi.

untitled2

E keni menduar familjen tuaj të re apo është herët për të marr një hap të tillë?

Ndoshta edhe pse vitet ikin më shpejt nga sa mendoj, të them të vërtetën, s’e kam menduar dhe s’e di kur do ta mendoj, por sigurisht që do t’i vijë dita ta mendoj dhe atë.

Brenda sportit apo jashtë tij ka vend për gjysmën tjetër? Si mendon?

Jo, për momentin s’ka asgjë!

Cili është mashkulli i ëndrrave tuaja? Si do ta përkufizonit atë?

E para dhe më e rëndësishmja të kuptoj jetën që bëj. Bëj një jetë të vështirë për t’u kuptuar nga një mashkull, sepse jam gjithë kohës në lëvizje, jam pothuajse gjithë kohës në grumbullime, brenda apo jashtë vendit dhe e di që kjo për çdo njeri është pak e vështirë për t’u pranuar. Pastaj, sigurisht, përputhje idesh, karakteri… si çdokush tjetër.

Familja juaj, është ajo modeli që ju ndjek në jetë, që do të thotë, edhe për krijimin e familjes tuaj të re?

Sigurisht që secili nga ne ka një model të vetin për familjen e re, e cila ka pikënisjen nga familja, nëna, babai, motrat. Nuk e kam menduar pothuajse fare gjatë kësaj kohe që jam në sport aktiv, por shpresoj e besoj se, familja ime e re nesër do të jetë shëmbëlltyrë e familjes time të sotme.

Cili është roli i familjes tuaj në karrierë? Sa ju ka mbështetur ajo në këtë drejtim, duke ditur kostot dhe mundësitë e pakta?

Sigurisht që familja ka qenë mbështetja kryesore, si në ditë të mira ashtu dhe në ato të vështira. Unë e kam nisur sportin në moshë të vogël dhe familja ka investuar tek unë si financiarisht dhe moralisht. Ato edhe sot janë ndihmesë e madhe në vazhdimësinë time në karrierën sportive.

Jeni “Ambasadore” e vlerave në sportin që ju përfaqësoni. Do ta braktisnit flamurin shqiptar para një oferte joshëse? Keni pasur oferta nga shtetet e tjera?

Vonë për të thënë do ta tradhtosh, pasi këtë s’e kam bërë as para disa vitesh e s’do ta bëja as tani. Nuk dua të bëj personin, i cili bën nacionalistin e madh, por krahasuar me sportistë të tjerë, e ndjej veten krenare që kam qëndruar e palëkundur në qëndrimin tim Kuq e Zi. Këtu them krenare, pasi s’kam ndihmesë financiare as të ushtroj sportin për të cilën shumë vende të rajonit, dhe jo vetëm, do të më jepnin bonuse të mëdha për të qenë pjesë e këtyre shteteve. Nuk është etike të përmend shtete të huaja që më kanë kërkuar, por dua të them që, kanë qenë më shumë se 3 shtete dhe akoma vazhdoj të kem njerëz që më kontaktojnë nga jashtë vendit.

Pushimet, ka vend për to këtë verë apo angazhimet profesionale as jua çojnë nëpër mend?

Do të dëshiroja shumë që të paktën të bëja 3 ditë pushime në Jug. Axhenda është shumë e ngjeshur pasi jam në Lojërat Olimpike Rio 2016 deri me datën 25 Gusht e për më tepër, më presin disa gara të tjera Diamond League deri në mes të shtatorit.

Projektet pas “Rio 2016”, apo një palë pushime për qejf?

Diamond League Paris, Diamond League Zurich World Challenge Berlin… Këto janë tre “meeting” që jam në diskutime me trajnerin për të garuar. Do të vendosim pas garës së Rios. Sido që të jetë, 3 ditë pushime pas mbylljes së sezonit të garave do t’i bëj pushime në Jug, qofshin edhe ditë vjeshte.

 

Botuar në revistën Psikologjia, nr. 111

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top