Do të të them një të vërtetë: nëse do të ekzistonte një aplikacion që zgjidhte problemet psikologjike me disa ushtrime dhe një kujtesë të thjeshtë si “Merr frymë dhe gjithçka do të shkojë mirë”, do të isha e para që do ta shkarkoja.
Dikur besoja te këto zgjidhje të shpejta. Kërkoja me ngulm teknika, ushtrime, diçka konkrete për të “rregulluar” atë që ndieja, sikur të isha një pajisje e prishur që kërkon manualin. Nuk doja të ndieja…, doja ta zgjidhja dhe ta mbyllja. Sot, nga ana tjetër, shoh të njëjtën prirje te njerëzit që vijnë tek unë dhe i kuptoj plotësisht. Kur lëndohesh, nuk kërkon filozofi…, kërkon diçka që të funksionojë menjëherë.
Por e vërteta është kjo: teknika shpesh është një mbrojtje. Është më e lehtë të bësh një ushtrim frymëmarrjeje sesa të përballesh me peshën e një humbjeje; më e lehtë të numërosh mendimet sesa të durosh ankthin e moskontrollit. Ajo të jep ndjesinë se po vepron, por shpesh të largon nga ajo që vërtet dhemb.
Teknika nuk shëron, marrëdhënia shëron. Teknika është mjet, ndërsa marrëdhënia është terren. Pa një lidhje të vërtetë, çdo udhëzim mbetet i zbrazët…, me të, gjithçka fillon të marrë kuptim. Sepse ndryshimi nuk varet vetëm nga ajo që bën, por edhe nga mënyra si ndihesh dhe nga prania e tjetrit. Teknikat kanë vendin e tyre. Ato mund të të mbajnë në momente të vështira. Por nëse mendon se do ta “rregullosh” veten si një objekt me udhëzime, do të zhgënjehesh. Qëllimi nuk është të menaxhosh simptomën, por të kuptosh çfarë ajo përpiqet të të tregojë.

Kjo nuk arrihet me lista apo përgjigje të gatshme. Ndodh në një marrëdhënie, me prani, qëndrueshmëri dhe ndershmëri, shpesh edhe duke hequr dorë nga kontrolli që përpiqesh ta mbash. Dhe pikërisht aty, ku kontrolli lirohet, ndryshimi nis të shfaqet: pa bujë, pa spektakël, por i vërtetë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

